1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

A po tensionohen marrëdhëniet ndëretnike në mesin e të rinjëve në Maqedoni?

13 Shkurt 2010

Zënkat midis nxënësve shqiptarë dhe maqedonas janë sinjal shqetësues, andaj duhet bërë çmos që të njejtat të parandalohen thotë Vllado Dimovski. Reflektimi i marrëdhënieve ndëretnike vërehet më së miri në shkolla .

Nxënësit e shkollës "Arsenije Jovkov”Fotografi: DW

Rrahje, bojkotim i mësimit, protesta -janë dukuri të shpeshta që po hasen në shkollat e mesme të Maqedonisë. Rritja e tensioneve ndëretnike në arsim është sinjal shqetësues dhe si i tillë duhet penguar urgjentisht, thonë nga Qendra për Tolerancë Ndëretnike. Rezultatet e anketës së realizuar nga Qendra, tregojnë se mbi 70 % e të të anketuarve vlersojnë se marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni janë të tensionuara tej mase, thotë Vllado Dimovski, sekretar i Qendrës për Tolerancë Ndëretnike.

Menjanimi i urretjes etnike tek grupmoshat e reja duhet të jetë angazhim gjithpërfshirës sepse mostoleranca etnike nuk është dukuri e rastësishme . Ajo reflekton politikën aktuale në vend, thotë Dimovski

“ Shumë më tepër duhet të punohet me popullatën e re në Maqedoni. Haptas duhet të flitet për dallimet fetare, kulturore, etnike e gjuhësore. Të rinjëve duhet t'u mundësohet shoqërim që në arsimin fillor dhe të mesëm", vlerëson Dimovski.

Ndarjet në shkolla

Në shkollën e mesme ekonomike “Arsenije Jovkov”së bashku mësojnë nxënës shqiptarë dhe maqedonas, por klasët janë të ndara. "Shkolla është e ndarë në dy pjesë. Në njërën anë ne dhe në anën tjetër maqedonasit. Ne takohemi ndonjëherë, por nuk komunikojme, ashtu është atmosfera në shkollë, e cila nuk më lejon të komunikojë me ata nxënës", thotë nxënësja Anila Ejupi.

Edhe eskursionet e shkollës organizohen të ndara, nxënësja e vitit të dytë Sadije Ibrahimi thotë se asnjëherë nuk ka vizituar ndonjë vend së bashku me nxënësit maqedonas.

"Paralelet shqiptare parapëlqejnë të vizitojnë Kosovën, ndërsa kjo u pengon paraleleve maqedonase sepse ata kanë paragjykime për Kosovën. I kam shoqet që i njoh me vite që nga vegjëlia, por kur jemi në shkollë dhe takohemi nuk komunikojmë, nuk e di pse", pohon ajo.

Reflektimi i politikës në shkolla

Fotografi: DW

Për Marija Sedllovska, nxënëse në paralelet maqedonase, mësimi në një shkollë të përbashkët me nxënësit shqiptar nuk paraqet ndonjë pengesë serioze, por ajo deri më tani nuk ka arritur të shoqërohet me nxënës shqiptarë.

“Jo, jo nuk kam asnjë shok apo shoqe, kam shoqërinë time dhe nuk shoqërohem me shqiptarët", thotë Marija.

Përgjegjësi i paraleleve në gjuhën shqipe në shkollen “Arsenije Jovkov”, Shaip Zendeli, thotë se situata e përgjithshme politike në vend reflektohet në shkollë, familje po edhe tek nxënësit.

“Mund të them se marrëdhëniet ndëretnike janë në nivel të lakmueshëm. Për këtë meritë më të madhe kanë profesorët dhe nxënësit, sepse çdo herë angazhohemi për parandalimin e acarimit të marrëdhënieve", pohon ai.

Projektet e përbashkëta

Ariton Rama është kryetar i unionit të nxënësve shqiptarë. Ai thotë se përmes projekteve të përbashkëta me nxënësit maqedonas, tentohet të tejkalohen paragjykimet etnike në mesin e të rinjëve.

“ Këto marrëdhënie i kemi përmisuar gradualisht përmes projekteve të ndryshme. Në projektin “Mozaik” kemi bashkëpunuar me nxënësit maqedonas me qëllim të eliminimit të paragjykimeve dhe stereotipeve në shkollë”, shpjegon ai.

Pas konfliktit të viti 2001, në Maqedoni janë realizuar dhe promovuar një sërë projektesh që kanë pasur për qëllim afrimin sa më të madh të të rinjëve nga grupet e ndryshme etnike, por acarimi i sërishëm i marrëdhënieve ndëretnike është tregues se në këtë drejtim duhet të punohet edhe shumë.

Autor: Fatos Musliu

Redaktoi: Bahri Cani