1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

AfD e papranueshme edhe për të djathtët evropianë

Publikuar 6 Maj 2024Përditësimi i fundit 6 Maj 2024

Përpara zgjedhjeve për Parlamentin Evropian, skandalet rreth politikanëve të AfD-së po shtohen në numër. AfD madje është e papranueshme edhe për shumë parti të djathta.

Alice Weidel e papranueshme edhe për Le Pen
Alice Weidel e papranueshme edhe për Le PenFotografi: Liesa Johannssen/REUTERS

Zgjedhjet e ardhshme për Parlamentin Evropian, sipas sondazheve të fundit, nuk do të jenë të këndshme për partitë politike tradicionale gjermane: Kristiandemokratët gjermanëkanë rreth 30% të mbështetjes, ndërsa Socialdemokratët dhe të Gjelbërit kanë mbështetjen e rreth 15% të votuesve.

Sipas sondazheve, Alternativa për Gjermaninë (AfD), e cila në programin e saj për zgjedhjet evropiane thotë se do të luftojë kundër "kufizimit të sovranitetit kombëtar dhe kundër shpërndarjes së mirëqenies e pasurisë, sipas rregulloreve evropiane", ka po ashtu mbështetjen e rreth 15 për qind të votuesve. Ajo llogaritë me bashkëpunimin me parti të tjera të djathta në BE.

Por pas skandalit rreth AfD-së në muajt e fundit - shtrohet pyetja se kush në Evropë dëshiron të bashkohet me deputetët e një partie të tillë? Kush do të bashkohet me një parti, politikanët e së cilës dyshohen se marrin para në mënyrë të paligjshme nga Rusia? Me një parti që dyshohet se ka punësuar një spiun kinez dhe adhuron regjimin autoritar të Kinës?

"E dua me shkrim!"

Para së gjithash, marrëdhëniet midis AfD dhe partisë franceze të ekstremit të djathtë Rassemblement National (RN) të udhëhequr nga Marine Le Pen janë tensionuar prej muajsh. Siç raporton Neue Zürcher Zeitung, RN po shqyrton mundësinë e largimit nga fraksioni i ekstremit të djathtë "Identiteti dhe Demokracia" pas zgjedhjeve evropiane. Në fund të prillit, presidenti i RN, Jordan Bardella nuk donte të përgjigjej për asnjë pyetje rreth AfD.

Spiunimet e AfD në GjermaniFotografi: Sean Gallup/Getty Images

Kjo nuk do të thotë se Marine Le Pen nuk ka asnjë lidhje me Putinin: ajo buzëqeshi bukur kur e vizitoi në Moskë në 2017, e buzëqeshi edhe më shumë, kur mori hua në vlerë prej miliona eurosh nga një bankë e afërt me Kremlinin. Por kjo ka ndryshuar: Le Pen dëshiron të kandidojë në zgjedhjet presidenciale franceze, ndërsa skandalet rreth AfD-së po e shqetësojnë edhe atë. (Bashkë)presidentja e këasaj partie gjermane, Alice Weidel, u përball me këtë në një takim në prill në Paris, ku politikanja franceze dyshohet se i kërkoi "mikes" gjermane një garanci me shkrim se AfD nuk do të përfshinte kurrë persekutimin e emigrantëve nga Gjermania në programin e partisë.

E ngjashme është situata edhe në Itali me Fratelli d'Italia të kryeministres Giorgia Meloni. Këtë janar, ajo përsëriti se ka "dallime të papajtueshme" midis partisë së saj dhe AfD-së gjermane, e kjo ka të bëjë kryesisht me marrëdhëniet me Rusinë. Kur bëhet fjalë për emigrantët, mund të ketë qëndrime të ngjashme, por kur bëhet fjalë për partnerët, Meloni preferon t'i përmbahet Amerikës, Ajo madje vendosi të largohet nga Rruga e Mëndafshit të Kinës.

Korrupsioni, spiunët dhe nazistët

Ndërkohë, kandidati kryesor i AfD-së në zgjedhjet europiane, Maximilian Krah, është bërë një barrë e tepërt për vetë partinë dhe është hequr nga gara parazgjedhore. Një nga bashkëpunëtorët e tij të ngushtë u arrestua si i dyshuar për spiunazh për Kinën. FBI amerikane është e interesuar për vetë Krah për shkak të pagesave nga Rusia. Prokuroria e Shtetit nga Dresdeni po udhëheq dy hetime kundër Krah, një për shkak të pagesave nga Rusia, dhe tjetri për shkak se ndoshta ka marrë diçka edhe nga kinezët.

Maximilian Krah i dyshuar për aferat e spiunimeveFotografi: Fabrizio Bensch/REUTERS

Kandidati i dytë në listën e AfD-së për Parlamentin Evropian, Petr Bystron, është nën dyshime - ai gjithashtu dyshohet se ka marrë para nga Moska, madje ka një video-incizim ku Bystron shihet i zemëruar për paratë e paguara. Më e keqja është që ndoshta as kjo nuk është e gjitha. Ministri gjerman i Drejtësisë, Marco Buschmann tha se "në muajt e ardhshëm duhet të llogarisim me zbulime të reja të njerëzve që punojnë për vendet e huaja", e duket se ata prapë do të jenë njerëz nga radhët e AfD.

Kjo parti ka shpresa të mëdha edhe për kandidatin Siegbert Drose. Ai "u bë i famshëm" me një foto në të cilën mban dorën në zemër ndërsa qëndron para rrënojave të bunkerit të Hitlerit Wolfsschanze. Problem është edhe një Mercedes me të cilin viziton votuesit e mundshëm, të lyer me ngjyrat e AfD-së me targat L-AH-1818.

Në Gjermani askush nuk mund të marrë targa me shkurtesat si SS ose SA. Ndaj politikani i AfD vendosi inicialet e Adolf Hitlerit, dhe ate tre herë, sepse shkronjat A dhe H janë në vendin e parë dhe të tetë të alfabetit gjerman, që simbolizohet dy herë me numrat 1818.

 

Kaloje seksionin tjetër Zbulo më shumë