1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

AfD hyn në fushatën zgjedhore me kërkesa radikale

12 Prill 2021

Dalje e Gjermanisë nga BE, një politikë krejtësisht e ndryshme ndaj Coronas dhe jo bashkime familjare për refugjatët. Me deklarata të tilla, AfD dëshiron të marrë pikë në muajt e ardhshëm.

Deutschland AfD-Bundesparteitag | Präsidium
Fotografi: Kay Nietfeld/dpa/picture alliance

Me teza të tjera të ashpërsuara në mënyrë radikale, partia ultra e djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) dallohet nga partitë e tjera demokratike në fushatën zgjedhore. Pas dy ditësh diskutimesh në Dresden, më shumë se 550 delegatët që morën pjesë në kongresin federal të partisë përcaktuan piketat për programin për zgjedhjet federale në 26 shtator.

Kundër paralajmërimeve të forta nga krahu i moderuar i partisë dhe nga lideri i partisë Jörg Meuthen, i cili është anëtar i Parlamentit Evropian, AfD rekomandon një dalje nga BE. Manifesti zgjedhor thotë: "Ne e konsiderojmë të domosdoshme daljen e Gjermanisë nga Bashkimi Evropian dhe krijimin e një komuniteti evropian të ri ekonomik dhe interesash."

Kreu i partisë Meuthen është kundër largimit nga BE dhe paralajmëron: "Politika është arti i së mundshmes"

Edhe në temën e migracionit, tonin e përcaktuan mbështetësit e vijës së ashpër. Imigracioni - edhe nga punonjës të kualifikuar - do të kufizohet rreptësisht. Si argument sillet "shembulli i Japonisë".

 

Ligjërisht e pamundur - por kjo nuk ka rëndësi

AfD gjithashtu kërkon "refuzimin e çdo bashkimi familjar për refugjatët". Kritikët e këtij formulimi theksuan se kjo nuk është e mundur ligjërisht. Kryetari i degës së partisë në landin e Tyringenit, Björn Höcke kundërshtoi duke thënë se kjo nuk është në një fushë ligjore, por një fushë politike. E vetmja gjë që ka rëndësi është dërgimi i një mesazhi politik për votuesit. Një delegat u kujtoi kolegëve të tij se AfD është një parti e familjes. Një qasje e tillë do t'i sillte asaj akuzën e qëndrimit çnjerëzor.

AfD gjithashtu dëshiron një kthim në kontrollet kufitare, së bashku me "pengesat fizike" të tilla si gardhet kufitare në kufijtë e shtetit gjerman.

Kundër mbylljeve, maskave, testeve...

Fotografi: Jens Schlueter/AFP/Getty Images

Në pandeminë kundër Coronas, AfD-ja e kundërshton në mënyrë të qartë qasjen e qeverisë federale dhe të qeverive të landeve. Ajo është kundër masave kufizuese ose testeve të kurorës, çështja e mbrojtjes nga infektimi duhet t'u lihet "qytetarëve të përgjegjshëm". Detyrimi për të mbajtur maskë gjithashtu në përgjithësi refuzohet. Politikanët në pushtet akuzohen për "politikë të frikës".

Çështja e kandidatit për zgjedhjet federale nuk u zgjidh në kongresin e partisë. Shumica e delegatëve i refuzuan kërkesat për të përcaktuar kandidatët në Dresden. Kjo çështje tani do të veendoset- siç synonte kreu i partisë Meuthen - me anë të një sondazhi të anëtarëve. Dyshja kandidate duhet të përcaktohet në fund të majit.

Bashkëkryetari i partisë, Tino Chrupalla besohet se do të jetë kandidati kryesor. Politikani nga Saksonia është i lidhur ngushtë me të djathtën e partisë dhe e përfaqëson AfD në lindje të Gjermanisë. Kampi rreth Meuthen mbështetet tek deputetja Bundestagut nga Hesseni, Joana Cotar. Në një ekip me Chrupallan, ajo do të përfaqësonte degët rajonale perëndimore dhe forcat liberale ekonomike në parti.

aud (dpa, afp, rtr)