1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Saksoni e Poshtme:AfD "ekstremiste e djathtë e vërtetuar"

17 Shkurt 2026

Agjencia shtetërore e inteligjencës për Saksoninë e Poshtme e ka ngritur degën rajonale të partisë Alternativa për Gjermaninë (AfD) në "objekt mbikëqyrjeje me rëndësi të konsiderueshme".

Ministrja e Brendshme e Saksonisë së Poshtme Behrens dhe Presidenti i Zyrës për Mbrojtjen e Kushtetutës, Dirk Pejril, në një konferencë shtypi ne tryeze me emrat e tyre dhe me mikrofona perpara.
Ministrja e Brendshme e Saksonisë së Poshtme Behrens dhe Presidenti i Zyrës për Mbrojtjen e Kushtetutës, Dirk Pejril.Fotografi: Julian Stratenschulte/dpa/picture alliance

Katër vjet më parë, Zyra për Mbrojtjen e Kushtetutës e kishte kategorizuar tashmë AfD-në në landin e Saksonisë së Poshtme si parti të dyshimtë. Tani ajo është ngritur në kategorinë "ekstremiste e djathtë e vërtetuar".

"Kjo parti përçmon shtetin dhe institucionet demokratike"

Për Ministren e Brendshme të Saksonisë së Poshtme Daniela Behrens (SPD), vlerësimi i Zyrës për Mbrojtjen e Kushtetutës është i qartë:

"Rreziku më i madh për shoqërinë tonë vjen nga ekstremizmi i djathtë, dhe sipas kategorizimit, AfD në Saksoninë e Poshtme është qartësisht pjesë e këtij fenomeni." Kjo parti përçmon shtetin dhe institucionet demokratike. Njerëzit me origjinë emigrante i konsideron qytetarë të klasit të dytë. Ajo nxit me paturpësi "remigrimin" ("emigrimin në atdheun e tyre") të miliona njerëzve. Vendimi i Zyrës për Mbrojtjen e Kushtetutës u bazua në vendime gjyqësore. Ai mbështetej në informacione nga burime të aksesueshme publikisht. Sipas ministres, kjo ishte "demaskuese".

Pejril nga agjencia shtetërore e inteligjencës tha se kjo parti ka ndjekur një qasje pak më të përmbajtur në një land ku qeverisin partitë me orientim të majtë."Në publik, AfD-ja e Saksonisë së Poshtme dhe liderët e saj rajonalë përpiqen të paraqesin një imazh më të moderuar," tha ai. "Por distancimi nga forcat ekstremiste brenda partisë në tërësi nuk po ndodh."

Në vend të kësaj, tha Pejril, funksionarët mbështesin, përhapin, ose u afrohen aktivisht  aktorëve ekstremistë dhe ideologjive të tyre.

AfD mund të monitorohet më lehtë

Në të ardhmen, Zyra për Mbrojtjen e Kushtetutës do të jetë në gjendje të monitorojë më lehtë AfD-në duke përdorur shërbimet e inteligjencës. Shërbimi kombëtar i inteligjencës do të jetë në gjendje të vazhdojë monitorimin e partisë dhe anëtarëve të saj. Mund të rekrutojë informatorë dhe të monitorojë telekomunikacionet.

Megjithatë, të gjitha masat bazohen në parimin e proporcionalitetit, i cili tani është më i lehtë për t'u justifikuar. Klasifikimi si objekt vëzhgimi me rëndësi të konsiderueshme "lejon përdorimin e masave të inteligjencës invazive". Sipas ministres, ekstremistët nuk mund të punojnë në sektorin publik. Prandaj, tani duhet të shqyrtohet çdo rast individual.

Brenda AfD-së, po krijohet një strukturë e re e brendshme rinie, "Brezi Gjermanisë"Fotografi: Andreas Arnold/dpa/picture alliance

Në nivel federal e rajonal: AfD "vërtetuar si ekstremiste e djathtë"

Në majin e kaluar, Zyra Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës e klasifikoi AfD-në si parti në nivel federal si "ekstremiste e djathtë e vërtetuar".  Për shkak të një padie të ngritur nga partia dhe procedurave të vazhdueshme në Gjykatën Administrative të Këlnit, agjencia ka premtuar të ndalojë së etiketuari publikisht AfD-në si "ekstremiste e djathtë e vërtetuar" derisa të merret një vendim. AfD kategorizohet gjithashtu si "ekstremiste e djathtë e vërtetuar" edhe në Brandenburg, Turingi, Saksoni dhe Saksoni-Anhalt. Degët rajonale të AfD-së në Bremen, Baden-Württemberg dhe Hessen konsiderohen raste të dyshuara. AfD është nën vëzhgim në Bavari.

Shoqata rinore e AfD-së riorganizohet

Ish-organizata e rinisë e AfD-së, "Alternativa e Re", u klasifikua nga Zyra Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës gjithashtu si "ekstremiste e djathtë e vërtetuar". Ajo u shpërbë zyrtarisht në vitin 2025. Brenda AfD-së, po krijohet një strukturë e re e brendshme rinie, "Gjenerata e Gjermanisë", gjithashtu e mbështetur nga e djathta ekstreme. Dega rajonale e Saksonisë së Poshtme do të themelohet fundjavën e ardhshme në Dötlingen, në rrethin e Oldenburgut.

AfD fitoi 11% të votave në zgjedhjet e fundit rajonale  në Saksoninë e Poshtme në vitin 2022 dhe aktualisht është partia e dytë më e madhe në opozitë në këtë land federal.

 

tgsch/dw

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW