1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Marrëveshje partneriteti mes Afganistanit dhe Gjermanisë

Angelina Verbica17 Maj 2012

Gjermania dëshiron që me marrëveshjen e partneritetit me Kabulin të forcojë bashkëpunimin pas përfundimit të misionit të NATO-s.

Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti afgan Hamid Karzai, pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Partneritetit në Berlin
Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti afgan Hamid Karzai, pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Partneritetit në BerlinFotografi: Reuters

Shumë afganë entusiazmohen, kur flasin për Gjermaninë dhe për bashkëpunimin tradicional gjermano-afgan, që e ka zanfillën qysh nga vitet 20-të të shekullit të kaluar. Ndihma gjermane për zhvillim në shëndetësi dhe arsim vlerësohet shumë në Afganistan.


Lajmi se qeveria pas Indisë, Francës, Britanisë së Madhe dhe Shteteve të Bashkuara nënshkruan tashmë edhe një marrëveshje partneriteti me Gjermaninë ( 16.050.2012) në Berlin, mirëpritet nga shumë njerëz. 20 vjeçarja Layloma nga Kabuli gëzohet për interesimin e vazhdueshëm të Perëndimit në vendin e saj. "Unë e mbështes shumë bashkëpunimin e vazhdueshëm mes Afganistanit dhe Gjermanisë. Gjermania është një anëtare e rëndësishme e Bashkimit Europian. Një partneritet me një vend të tillë na jep shpresë të madhe ne afganëve."

Ndjenjë sigurie

Shpresa është gjëja më e rëndësishme, që u duhet tani njerëzve në Afganistan, thotë Layloma. "Shumë nga bashkatdhetarët e mi kanë shqetësim të madh se Afganistani pas tërheqjes së trupave të NATO-s, në fund të vitit 2014, mund të bjerë përsëri në duart e talibanëve", thotë studentja. Çdo marrëveshje me një vend të madh si Gjermania u jep njerëzve në Afganistan ndjenjën, se edhe në vitet e ardhshme mund të kenë mbështetjen e botës.
Muhammed Baqir, po ashtu nga Kabuli, sheh në bashkëpunimin me sa më shumë vende një rritje të sigurisë. "Gjermania e ka mbështetur vitet e fundit Afganistanin dhe tani kjo mbështetje do të vazhdojë. Kjo mund të parandalojë që Afganistani si në dekadat e fundit të jetë në mëshirën e fqinjëve të tij."

Fotografi: dapd

Izolimi është thyer

Pas dëbimit të trupave sovjetike pasoi koha e luftës shkatërruese civile në vitet 90-të, së cilës talibanët i dhanë fund, por e çuan vendin në një izolim të përhershëm. "Këto kohë kanë marrë fund një herë e mirë", thotë Emal Faizi, zëdhënës i presidentit afgan Hamid Karzai. Afganistani, siç e tregon marrëveshja e ardhshme me Berlinin, nuk do të lihet vetëm me problemet e tij. "Marrëveshja me Gjermaninë do të hapë një epokë të re bashkëpunimi mes dy vendeve. Marrëveshja me Gjermaninë rregullon bashkëpunimin në dekadën e ardhshme dhe dërgon një sinjal të qartë se Afganistani pas vitit 2014 nuk do të lihet vetëm."

Takimi mes ministrit të Jashtëm të Gjermanisë Guido Westerwelle dhe presidentit afgan Hamid KarzaiFotografi: picture-alliance/dpa

Qeveria afgane shpreson nga partneriteti i saj me Berlinin për mbështetje në fushat e arsimit, ekonomisë dhe sigurisë, dhe në forcimin e autoriteteve afgane, thotë Faizi. Kabuli gjithashtu shpreson që edhe pas vitit 2014 në vend të mbeten sa më shumë trajnerë gjermanë. Shifra të sakta qeveria afgane nuk do të japë. "Partnerët tanë", thuhet nga qarqet qeveritare në Kabul, " i dinë kërkesat tona."

Besimi te Gjermania

Qeveria afgane është këtu shumë e kujdesshme me pretendimet e saj, thotë shkencëtari Faizullah Jalal politolog në Universitetin e Kabulit. "Presidenti Hamid Karzai e di, se çdo marrëveshje me një vend të madh perëndimor e rrit në masë të madhe reputacionin e qeverisë dhe vendit të tij në botë, por edhe në vendin e tij kundër talibanëve", thotë Jalal. Sidomos marrëveshja me Gjermaninë do të sjellë avantazhe të tjera për Kabulin ". Marrëveshje me Gjermaninë ka një efekt qetësues ndaj atyre që ishin më parë kundër një partneriteti mes Kabulit dhe Uashingtonit. Shumë kritikë tani do të jenë të bindur se bashkëpunimi me botën është në të mirë Afganistanit, sepse edhe Gjermania do të jetë në krah të Afganistanit.