1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
PolitikëLindja e Mesme

Afganistan: Ushtria gjermane përfundon misionin në Kabul

27 Gusht 2021

Bundeswehr-i i ka dhënë fund misionit të tij të evakuimit në Kabul, me fluturimet e fundit që u larguan nga kryeqyteti afgan. Sipas Ministres së Mbrojtjes Kramp-Karrenbauer, të gjithë ushtarët janë evakuuar.

Fotografi: localpic/imago

Misioni evakuues gjerman në kryeqytetin afgan Kabul ka përfunduar. "Ne po i japim fund transportit ajror sot," tha kancelarja gjermane Angela Merkel. Ministrja e Mbrojtjes, Annegret Kramp-Karrenbauer tha se avionët e fundit ishin larguar nga aeroporti i Kabulit. "Të gjithë ushtarët, pjesëtarë të Ministrisë së Jashtme dhe Policisë Federale" u evakuuan, tha politikanja e CDU-së.

Kjo vlen edhe për dy ushtarë të Bundeswehr-it, të cilët fillimisht duhej të liheshin atje. Ata u larguan me aeroplanin-spital në mbrëmje.

Fotografi: Julian Stratenschulte/dpa/picture alliance

Dy shpërthime në aeroport

Aeroporti i Kabulit ishte tronditur më herët nga dy shpërthime në afërsi, që vranë disa njerëz. Ushtria amerikane informoi se në dy atentate në Kabul u vranë 12 ushtarë amerikanë. Por megjithatë evakuimi nga aeroporti do të vazhdojë.

Sulmet e kishin bërë të qartë "se zgjatja e operacionit në Kabul nuk ishte e mundur," tha ministrja Kramp-Karrenbauer. Situata e sigurisë dhe vendimi i talebanëve për të mos toleruar evakuimet ushtarake pas 31 gushtit nuk do ta lejonin këtë, tha ajo.

Fotografi: REUTERS

Sipas ministres, ushtria gjermane, Bundeswehr-i ka evakuuar përmes transportit ajror, fillimisht në Tashkent dhe në disa raste në Gjermani gjithsej 5347 persona, midis tyre më shumë se 4.000 afganë dhe rreth 500 gjermanë. Kramp-Karrenbauer-i tha se edhe pas përfundimit të operacionit të evakuimit, Gjermania mbetet përgjegjëse për njerëzit që nuk mund të largoheshin me fluturime. "Për ta, fundi i kësaj ure ajrorë është momenti i shqetësimit më të madh," tha ajo. Premtimet ndaj tyre se do të pranohen mbeten të vlefshme.

Merkel: "Sulm i neveritshëm"

Kancelarja Merkel, duke iu referuar shpërthimeve, tha se mendohet se ka pasur një ose më shumë sulme vetëvrasëse. "Ky është një atentat absolutisht i neveritshëm," tha ajo. Ajo shtoi se njerëzit që nuk u sollën në siguri me urën ajrore nuk do të harrohen. "Ne do të vazhdojmë përpjekjet tona për t'i larguar ata nga vendi." Ajo shtoi se Gjermania po punon "shumë dhe me këmbëngulje" për të negociuar kushtet me talibanët për këtë.

Fotografi: CHRISTIAN MANG/REUTERS

Maas: vazhdojnë përpjekjet për të krijuar mundësi për largim

Sipas Ministrit të Jashtëm gjerman, Heiko Maas, aktualisht nuk ka informacion në lidhje me viktima të mundshme gjermane në atentate. Sipas politikanit socialdemokrat, qeveria gjermane po punon gjithashtu për të krijuar opsione largimi për punonjësit e mbetur lokale dhe veçanërisht njerëzit e rrezikuar. "Evakuimi ushtarak tani ka përfunduar. Por puna jonë vazhdon - dhe do të vazhdojë derisa të gjithë ata për të cilët ne kemi përgjegjësi në Afganistan të jenë të sigurtë."

Përpjekja e ndihmës tani po hyn në një fazë të re, tha ai. Ai shtoi se kontakti i drejtpërdrejtë vazhdon të mbahet me shtetasit gjermanë të mbetur në Afganistan. Për të bërë të mundur që ata të largohen nga vendi, po zhvillohen bisedime me partnerë të ndryshëm dhe gjithashtu me talibanët. Ndër të tjera, kjo përfshinte funksionimin e vazhdueshëm të aeroportit.

Maasi e bëri të qartë se përpjekjet do të vazhdojnë të bëhen për të siguruar që edhe afganët të mund të largohen nga vendi. Ai tha se ambasadat gjermane në vendet fqinje ishin udhëzuar të lëshonin dokumente hyrjeje për të gjithë ish-punonjësit e Bundeswehr-it dhe ministrive federale. Një "perspektivë nisjeje" do të krijohej edhe për afganët e tjerë veçanërisht të rrezikuar.

 

aud (tgsch, dpa)