1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Afrimi mes SHBA-së dhe Kinës duket i mundshëm

30 Gusht 2024

Pas muajsh konflikti në zona të ndryshme, Kina dhe SHBA duan të ulin tensionet mes tyre. Hapi i parë është takimi mes Këshilltarit Amerikan të Sigurisë, Jake Sullivan, dhe presidentit kinez, Xi.

Jake Sullivan dhe Xi Jinping
Ende pak larg - Këshilltari i Sigurisë i SHBA Sullivan dhe Presidenti i Kinës XiFotografi: Trevor Hunnicutt/Pool Photo/AP/picture alliance

Ambienti për takimin midis Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare të SHBA, Jake Sullivan dhe Presidentit kinez Xi Jinping ishte domethënës: të dy u takuan në Sallën e Madhe të Popullit në Pekin, kryeqytetin kinez. Gjithashtu u premtua një dialog i nivelit më të lartë. Një takim mes Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, dhe Xi është planifikuar në javët në vijim, njoftoi Shtëpia e Bardhë. Ai mund të zhvillohet në samitin e Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC) ose në takimin e G20-ës në nëntor.

Sullivan dhe Xi u përpoqën të mbanin humor të mirë pas disa muajsh tensioni midis vendeve të tyre. "Në këtë botë të ndryshueshme dhe të trazuar, vendet kanë nevojë për solidaritet dhe koordinim, jo për margjinalizim dhe regres," tha Xi më pas. Sullivani e informoi Xi se Bideni favorizon një marrëdhënie pa konflikte.

Shumë tema, pak detaje

Temat e diskutimit të Sullivanit përfshinin disa pika të nxehta, të tilla si Tajvani, sulmi rus ndaj Ukrainës dhe Deti i Kinës Jugore. Lidhur me Detin e Kinës Jugore, Sullivani shpjegoi se nuk kishte pasur marrëveshje konkrete. Megjithatë, ai shprehu shqetësim për qasjen e Kinës ndaj "veprimeve të ligjshme" të Filipineve. Marrëdhëniet mes dy vendeve janë të tensionuara për shkak të një mosmarrëveshjeje territoriale. Thelbi i grindjes është shkëmbi i dytë Thomas Shoal, i cili është pjesë e Ishujve Spratly. Ai ndodhet në një nga rrugët më të rëndësishme të transportit në botë. Gjithashtu mendohet se në atë zonë ka vendburime nafte dhe gazi, të pasura me peshk.

Joe Biden dhe Xi Jinping, 15.11.2023Fotografi: Kevin Lamarque/REUTERS

Sullivani shprehu gjithashtu "shqetësim" për mbështetjen kineze për industrinë ruse të mbrojtjes. Pekini ka thelluar partneritetin e tij strategjik me Moskën që nga pushtimi rus i Ukrainës. Kina është një partner kryesor tregtar për Rusinë përballë sanksioneve perëndimore.

Deklaratë për të ndihmuar në mosmarrëveshjet tregtare

Sullivani deklaroi gjithashtu se asnjë marrëveshje për tregtinë nuk ishte arritur midis SHBA-së dhe Kinës. Megjithatë, ai u përpoq të reduktonte tensionet në këtë pikë: "Unë mendoj se dialogu është shumë i dobishëm sepse sqaron shqetësimet e të dyja palëve dhe na jep mundësinë të shpjegojmë se çfarë po bëjmë."

Sipas Sullivan-it, ai kaloi gjithsej 14 orë duke folur me politikanë dhe personel ushtarak kinez gjatë vizitës së tij tre-ditore në Kinë. Kjo përfshinte një takim të rrallë me një gjeneral që konsiderohet nga diplomatët si këshilltari më i rëndësishëm ushtarak i presidentit: Zhang Youxia, nënkryetar i Komisionit Qendror Ushtarak të Kinës.

Harrisi apo Trump?

Vizita e amerikanit u zhvillua disa javë para zgjedhjeve presidenciale në SHBA. Nëse fiton kandidatja demokrate, zëvendëspresidentja Kamala Harris, ajo pritet të vazhdojë politikat e Joe Biden-it. Nëse fiton kundërshtari i tij, republikani Donald Trump, ai ka shpallur një qëndrim më të ashpër, të paktën retorikisht. Disa nga këshilltarët e tij presin një konfrontim të gjerë global me Kinën. 

 

 

aud (fab/dpa/rtr, afp)