1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

AH1N1 arrin në Shqipëri

21 Korrik 2009

Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik në Tiranë, Alban Ylli: S'ka vend për ankth e frikë.

Specialistët: E vështitë të parashikohet se ç'formë mund të marrë pandemia e gripit të shpendëve në të ardhmen.
Specialistët: E vështitë të parashikohet se ç'formë mund të marrë pandemia e gripit të shpendëve në të ardhmen.Fotografi: dpa

DW: Si është situata në terren. Sa është numri real i të prekurve a të dyshuarve si të prekur me virusin?

Ylli: Deri tani ne kemi kalkuluar rreth 100 të dyshuar si të prekur me virusin A H1N1. Këto janë për muajin e fundit. Çdo ditë në Institutin e Shëndetit Publik vazhdojnë të vijnë mostra të dyshuara. Çdo ditë nga spitalet rajonale qendrat shëndetësore, apo epidemiologët e rretheve ka sinjalizime, ka kontakte të vazhdueshme. Por është vetëm një rast i konfirmuar. Me shumë gjasë do të kemi raste të tjera të konfirmuara së shpejti. Pasi kjo është natyra e kësaj pandemie, që është vërtetuar dhe në shumë vënde të Perëndimit. Mund të themi që virusi i ri pandemik ka qarkullim komunitar. Pra nuk është çështje vetëm e udhëtarëve, por është e qytetarëve shqiptarë.

DW: Nisur nga ky realitet i ri, cilat janë disa nga masat që janë marrë nga Instituti i Shëndetit Publik, apo struktura të tjera të shëndetësisë?

Ylli: Rasti i ri pandemik nuk ka ndryshuar në thelb formën e masave. Kemi qënë të përgatitur në fakt për një plan emergjence, që parashikonte të gjitha fazat e mundshme, të gjitha situatat e mundshme. Kemi trajnuar të gjithë personelin e spitaleve rajonale dhe pjesën dërmuese të tyre në qendrat shëndetësore. Kemi shpërndarë protokollet përkatëse. Ata janë të përgatitur për të monitoruar e administruar situatat e reja që mund të shfaqen. Nuk ka asnjë dëshmi në botë, por mund të jenë fare të rralla, që të orientonte për masa dratike të tipit karantinë për efekte afatmesme. Popullata nuk ka nevojë të ketë ankth e frikë, sepse nga analiza që u bëjmë ne burimeve të brendshme duket se shumica, apo për të mos thënë të gjitha ekzistojnë në Shqipëri.

DW: A keni kapacitete që situata të jetë nën kontroll në të gjithë territorin e vendit?

Ylli: Në situatën në të cilën ndodhemi burimet janë të mjaftueshme. Por gjithësesi jemi duke kërkuar burime shtesë, për elementë të tillë si antiviralët. Ose dhe për vaksinën e re, e cila mund të jetë në treg nga vjeshta. Sistemet tona të mbikqyrjes, të inspektimit dhe në përgjithësi rrjeti i shpërndarjes së mjekut të familjes apo dhe spitalet rajonale janë të përgatitura për këtë valë të gripit pandemik. Specialistë vendas e të huaj, nga Anglia e Spanja thonë se është e vështitë të parashikohet se çfarë forme mund të marrë pandemia në të ardhmen. Unë mendoj se Shqipëria është e përgatitur njëlloj sa vendet e tjera të ngjashme me të.

DW: Tani ju i bëni analizat e mostrave në Angli apo Rumani. Kur do të kryet ky proces në Shqipëri?

Ylli: Shikoni, ne kemi filluar të investojmë në rritjen e kapaciteteve tona laboratorike para se të fillonin të ndodhnin ngjarjet në Meksikë, lidhur me virusin e ri. Po përpiqeshim të përgatiteshim për një pandemi të mundshme nga gripi i shpendëve. Megjithatë në Shqipëri kemi kapacitete për të diagnoztifikuar disa faza të virusit. Jemi të detyruar që për elementë gjenetikë të dërgojmë mostrat në laboratorët e referencës, në Angli ose Rumani. Në vjeshtë pritet të përfundojë në mjediset e ISHP-së laboratori i sigurisë së nivelit të tretë. Kjo do të na garantojë më shumë efikasitet e shpejtësi në dhënien e përgjigjeve, qoftë për klinicistët, qoftë për të analizuar situatën e përgjithshme epidemiologjike.

Intervistoi: Arben Muka
Redaktor: Pandeli Pani