1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ahtisaari përfundon vizitën në Kosovë

Bekim Shehu25 Gusht 2006

Ndërmjetësi ndërkombëtar në bisedimet për statusin e Kosovës, Marti Ahtisari, përfundoi vizitën e tij katër ditëshe në Kosovë. Në një konferencë për media ia tha se akoma kërkon nga palët në bisedime veçanërisht nga Prishtina që të bëjnë koncesione në çështjen e decentralizmit

Marti Ahtisari
Marti AhtisariFotografi: AP
Ndërmjetësi ndërkombëtar në bisedimet për statusin e Kosovës, Marti Ahtisari, tha se qëndrimet e palës kosovare dhe asaj ndërkombëtare për decentralizimin gradualisht po përafrohen, ndërsa negociatat për decentralizimin sipas tij, akoma nuk kanë përfunduar. Marti Ahtisari nuk tha të ketë arritur marrëveshje me palën kosovare, mirëpo la të kuptojë se formula e Prishtinës 5+1 komuna të reja për serbët me zgjerimin e disa zonave kadastrale është qëndrimi përfundimtar, ndërsa çështja e pjesës veriore të Mitrovicës sipas tij ka mbetur të diskutohet sërish. "Për të arritur qëllimin në mënyrë që të konkludohet çështja e statusit përfundimtar të Kosovës nga të gjitha palët, veçanërisht nga Prishtina pres që të bëjë koncesione. Në të njëjtën kohë, e përsëris thirrjen time për serbët e Kosovës që të përfshihen në institucionet kosovare, ndërsa për komunat veriore serbe të bashkpunojnë ngushtë me institucionet e Kosovës dhe të mos e vështirësojnë jetën e serbëve të Kosovës," tha Marti Ahtisari. Qëllimi i decentralizimit sipas tij është që të gjithë qytetarët e Kosovës të jetojnë më mirë se më parë. Diskutimet për çështjen e decentralizimit në Kosovë, ndërmjetësi ndërkombëtar nuk i cilësoi të përfunduara. Ai tha se, ekpertët e zyrës së tij do të takohen sërish me palët në bisedime në fillim të shtatorit ndërsa, ata do të vazhdojnë të udhëtojnë në Beograd dhe Prishtinë në mënyrë që qëndrimet e Prishtinës dhe Beogradit të jenë sa më afër dhe në këtë mënyrë planin për decentralizimin ai ta paraqesë para anëtarëve të Grupit të kontaktit po në muajin shtator. Pala kosovare nga ana e saj, duket se ka arritur siç është shprehur disa herë vijën e kuqe përtej së cilës nuk mund të kalohet. Ata mbrojnë formulën 5+1, komuna të reja për serbët dhe pranojnë zgjerimin e zonës kadastrale të Gracanicës dhe Novobërdes, ndërsa refuzojnë kërkesën serbe për bashkimin e pjesës veriore të Mitrovicës me komunën e Zvecanit. Kjo formulë për palën kosovare tashmë është e përfunduar thuhet se me të është pajtuar edhe ndërmjetësi ndërkombëtar dhe sipas zëvëndëskryeministrit Lutfi Haziri, ka mbetur të specifikohen vetëm disa detaje teknike. Ndërmjetësi ndërkombëtar në bisedime për statusin, Marti Ahtisari qëndroi katër ditë në Kosovë, bisedoi me udhëheqësit kosovar dhe vizitoi pjesën veriore të Kosovës. Ai tha se bisedimet për çështjen e decentralizimit duhet të përfundojnë më së largu deri kah gjysma e muajit shtator para takimit të Grupit të Kontaktit që do të zhvilloi punimet në Sofje dhe ku ai thuhet se do të paraqesë paketin e parë me propozime për zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës.
Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW