Akademia Oskar i kërkon falje aktores Sacheen Littlefeather
16 Gusht 2022Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit, e cila çdo vit ndan çmimet "Oskar”, i ka kërkuar falje zyrtarisht aktores Sacheen Littlefeather. Marlon Brando i kishte kërkuar aktores me origjinë nga fisi Apache në vitin 1973 që të merrte pjesë në ndarjen e çmimit Oskar në emër të tij. Ajo do të duhej të merrte çmimin për aktorin më të mirë, për rolin e bosit të mafies Don Vito Corleone në filmin "The Godfather".
Por Brando e refuzoi çmimin në shenjë proteste ndaj shtypjes së indianëve me origjinë nga Amerika në industrinë e filmit. Brando "për fat të keq nuk mund ta pranojë këtë çmim shumë bujar", deklaroi në skenë Littlefeather, në emër të aktorit në atë kohë - që u shoqërua me protesta dhe fishkëllima nga shumë të pranishëm.
Pakënaqësi kishte edhe në prapaskenë. Thuhet se ylli i filmave uestern John Wayne, i cili ishte atje, ishte shumë i zemëruar me paraqitjen e Littlefeather. Një numër dëshmitarësh bën të ditur se janë detyruar të ndalojnë aktorin që të mos sulmonte edhe fizikisht Sacheen Littlefeather. Këtë e ka pranuar edhe vet aktorja, e cila më pas u tall, u diskriminua dhe u sulmua në vitet që pasuan. Ajo më nuk kishte pothuasje asnjë ofertë për filma.
Kërkimfalja e vonuar
"Fyerjet që ajo duhej të duronte për shkak të kësaj deklarate ishin të papranueshme dhe të pajustifikueshme", thuhet në një letër të Akademisë, të shkruar në qershor, e cila u publikua këtë të hënë (15 gusht). "Shqetësimi emocional me të cilin jeni përballur dhe ndikimi që ka pasur kjo në karrierën tuaj është i papranueshëm", thuhet në letrën e nënshkruar nga presidenti i Akademisë David Rubin. "Guximi" i Littlefeather nuk është vlerëuar për shumë kohë. "Ne sinqerisht kërkojmë falje për këtë dhe në të njëjtën kohë shprehim admirimin tonë të thellë."
Në të njëjtën kohë me publikimin e letrës, Akademia Oskar i ka dërguar aktores Sacheen Littlefeather edhe një ftesë. Aktorja është ftuar të flasë në një ngjarje në Muzeun e ri të Oskarit në Los Angeles më 17 shtator. Në këtë ekspozitë flitet edhe për kapituj të vështirë - si racizmi apo diskriminimi - në historinë e Holivudit. Në këtë ekspozitë do të flitet edhe për diskriminimin e Littlefeather pas deklaratës së saj në ndarjen e çmimit Oskar në vitin 1973.
Vet aktorja iu përgjigj kërkimfaljes me humor: "Sa i përket kërkimit të faljes nga Akademia, ne indigjenët jemi njerëz shumë të duruar – nga ajo kohë kanë kaluar vetëm 50 vjet!”, tha aktorja me sarkazëm në një deklaratë. Ajo e përshkroi ngjarjen e ardhshme në Los Angeles si një "ëndërr të realizuar". "Është thellësisht inkurajuese të shohësh se sa shumë kanë ndryshuar gjërat që nga koha kur nuk e pranova çmimin e Akademisë 50 vjet më parë. Jam shumë krenare për çdo person që do të ngjitet në skenë", nënvizoi Littlefeather.
bc/ash/sw (AFP, AP)