1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Akreditimi universitar në Shqipëri sipas përvojës gjermane

Arben Muka23 Shkurt 2009

Rektori i Universitetit të Tiranës, prof.dr. Dhori Kule, e shikon këtë proces si domosdoshmëri për arsimin e lartë shqiptar për t'iu përgjigjur kërkesave të integrimit në BE dhe për njohjen reciproke të diplomave

Prof. dr Dhori Kule duke folur per DWFotografi: DW/Arben Muka

Në një kohë kur në Shqipëri janë hapur dhjetëra universitete e fakultete private, sistemi publik në arsimin e lartë po lëviz në drejtim të vlerësimit të standarteve, që ofron, si për nivelin e diplomimit dhe të kualifikimit pasuniversitar. Për herë të parë universitetet publike janë duke u ballafaquar me konceptin e akreditimit, d.mth. të vlerësimit të standartit shkencor e kërkimor, kjo duke u krahasuar me nivelin e vendeve të zhvilluara. Universiteti i Tiranës, më i madhi në Shqipëri, ka vendosur të jetë i pari, që do të akreditohet dhe këtë do ta realizojë kompania gjermane "Aquin", e specializuar dhe me aktivitet në disa vende europiane.

Prof.dr. Dhori Kule, rektor i Universitetit të Tiranës thotë për DW se nuk ka qënë rastësi afrimi i "Aquin".

"Ne kemi një bashkëpunim të ngushtë me mjaft institucione akademike e kërkimore në Gjermani, ndaj dhe këtë aspekt delikat dhe me shumë përgjegjësi duam ta ndajmë me partnerët gjermanë".

Ai e mendon akreditimin si një mënyrë efikase për të qënë aktiv në tregun e arsimit të lartë brenda vendit, në rajon dhe më gjerë.

"Akreditimi është një pasqyrë reale për të matur shërbimin, që ne ofrojmë, është një domosdoshmëri për arsimin e lartë shqiptar për t'iu përgjigjur kërkesave të integrimit të vendit në BE dhe për njohjen reciproke të diplomave me ato të vendeve të tjera".

Studentë të Universitetit Politeknik në TiranëFotografi: Arben Muka

Duke shpjeguar ecurinë e procesit për DW prof. dr Dhori Kule thotë se ka një fazë të parë, që është vetëvlerësimi. Ky proces do të përmbyllet për pak ditë në të gjitha fakultetet e departamentet e Universitetit të Tiranës."Edhe këtë e kemi bërë në bashkëpunim me kolegët tanë gjermanë. Më konkretisht kemi vepruar sipas modelimit dhe eksperiencës, që ka Universiteti i Bamberg-ut, por dhe përvoja të tjera nga partnerët tanë gjermanë me të cilët kemi krijuar bashkëpunim shumëplanësh. Ne procesin e akreditimit nga ana e "Aquin" e shikojmë edhe si vlerësim për stadin, ku jemi, por dhe për të nxjerrë në pah ato probleme, me të cilat duhet të merremi seriozisht për t´i përmirësuar".

Prof. dr Dhori Kule në rolin e kryetarit të rrjetit të universiteteve shqipfolëse në rajon e shikon angazhimin e "Aquin" në një plan edhe më të gjerë. Në kuadrin e ndihmës, që jep Universiteti i Tiranës për universitetet në Kosovë e Maqedoni, prof. Kule thotë se kjo praktikë do të vazhdojë edhe me to.

"Ne e filluam të parët për të patur një rast aplikimi konkret. Po ta bënim të gjithë në të njëjtën kohë, do të ishte procuderialisht më i vështirë dhe nuk do të ishte e frytshëm. Ne e kemi biseduar dhe paraprakisht me drejtuesit e universiteteve publike dhe jo publike dhe ata kanë shprehur gatishmëri, që me të mbaruar ne ata të nisin procedurën e aplikimit".

Në takimet që janë zhvilluar në rrjetin e universiteteve shqipfolëse është mbështetur idea se një akreditim nuk është mbyllja e një etape për aktivitetin akademik, shkencor e praktik, por një verifikim dhe fotografim edhe i atyre problemeve, që kërkojnë zgjidhje e përmirësim sipas standarteve europiane.