1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
PolitikëFinlandë

Akt sabotazhi në Baltik? BE kërcënon Rusinë me sanksione

27 Dhjetor 2024

Një kabllo energjie dhe disa kabllo të dhënash u dëmtuan në Detin Baltik. Finlanda dyshon për një akt sabotimi. Fokusi i hetimit: një cisternë nafte që mund t'i përkasë të ashtuquajturës flotës hije të Rusisë.

Anije nga ku vendosen kabllot e rrymës në Detin Baltik
Dëmtohet linja e energjisë mes Estonisë e Finlandës - pamje arkivi, vendosje e kabllove të rrymës nën detFotografi: Patricia Gabriel-Robez/Lehtikuva/dpa/picture alliance

BE ka kërcënuar të vendosë sanksione ndaj të ashtuquajturës flotë hije të Rusisë pas dëmtimit rishtazi të një kablloje nëntokësore në Detin Baltik dhe kapjes së një anijeje të dyshimtë nga autoritetet finlandeze. "Ne do të propozojmë masa të mëtejshme, duke përfshirë sanksione, që synojnë këtë flotë," thanë së bashku të enjten Komisioni Evropian dhe shefja e re e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas.

BE-ja dyshon gjithashtu si Finlanda,  se transportuesi i naftës është i lidhur me Rusinë. "Anija e dyshimtë është pjesë e flotës ruse në hije, e cila kërcënon sigurinë dhe mjedisin dhe në të njëjtën kohë financon buxhetin e luftës ruse”, thuhet në deklaratën e përbashkët nga Komisioni i BE-së dhe Përfaqësuesja e Punëve të Jashtme Kaja Kallas.

Pas dëmtimit të kabllos së energjisë në Detin Baltik u shpreh kryeministri i Finlandës, Petteri OrpoFotografi: Jussi Nukari/Lehtikuva/picture alliance

Natën e Dytë të Krishtlindjeve, hetuesit finlandezë hyjnë në një cisternë nafte në Detin Baltik.  Anija "Eagle S" nën flamurin e Ishujve Kuk ndodhej në mënyrë të dyshimtë pranë linjës së energjisë Estlink 2 midis Estonisë dhe Finlandës, e cila ndali së punuari papritur në ditën e Krishtlindjes. "Ne dërguam një anije patrullimi te cisterna dhe zbuluam se spirancat nuk ishin në vend. Prandaj kishim arsye të besonim se diçka e çuditshme po ndodhte", u shpreh nënkryetari i rojes kufitare Markku Hassinen në një konferencë shtypi.

Sulmet hibride në rajonin e Detit Baltik janë shtuar

A është fjala për një aksident në linjën e energjisë? Autoritetet finlandeze nuk e besojnë këtë. Ato po e hetojnë rastin si sabotim të rëndë. Që nga fillimi i luftës së Rusisë kundër Ukrainës,  sulmet hibride janë shtuar në rajonin e Detit Baltik. Finlanda është shpesh objektiv i sulmeve të tilla. Dhe nuk është e pazakontë që Rusia të luajë rol në këtë, thotë Hiski Haukkala, kreu i Institutit Finlandez të Politikës së Jashtme në Helsinki.

Rusia po teston kufijtë e saj dhe po kryen sulme të tilla hibride gjithnjë e më agresive. Kjo mbulon të gjithë spektrin e aktiviteteve, thekson Haukkala, "duke filluar nga fushatat e dezinformimit deri te format më agresive të sulmeve kibernetike dhe ndoshta edhe aktet fizike të sabotimit siç kemi parë këtu në Evropë".

Nënstacioni energjitik Estlink 2 - pamje nga arkiviFotografi: Markku Ulander/Lehtikuva/dpa/picture alliance

Jo shumë larg, në nëntor pati një dëmtim të kabllove të të dhënave midis Finlandës dhe Gjermanisë, si dhe Suedisë dhe Lituanisë. Edhe aty hetuesit kishin në shënjestër një anije të huaj. Por ndryshe nga rasti i nëntorit, autoritetet finlandeze mund të ekzaminojnë anijen këtë herë. Për shkak se "Eagle S" është në ujërat territoriale finlandeze, hetuesit mund të hyjnë në bord, të bisedojnë me ekuipazhin dhe të mbledhin prova. "Ne supozojmë se anija është pjesë e flotës hije. Sipas informacioneve tona, ajo mbante benzinë ​​pa plumb që u mbush në një port rus," thotë Sami Rakshit, kreu i doganave finlandeze.

 

la/ag