Syrien Regierung
30 Mars 2011Presioni i ushtruar nga populli u bë shumë i madh. Presidenti Baschar al-Assad ndryshoi qeverinë. Ky ishte nga njëra anë një akt simbolik, sepse pushteti faktik në Siri ndodhet në duart e presidentit, i cili mbetet në post. Por nga ana tjetër, janë bërë edhe pranime të hapura të gabimeve. Ndërkohë që në televizioni shtetëror bëhet e ditur dorëheqja e qeverisë, në rrugët e Damaskut dhjetra mijëra ithtarë të Assadit shprehin mbështetjen e tyre për regjimin: „Ne kemi siguri dhe të ardhura të mira. Ne përkrahim Baschar al-Assad.“
Udhëheqja siriane pati bërë ndjekur ditët e fundit një kurs të tensionuar zik zakesh. Një herë iu tha demostruesve se demostrimi është e drejtë e tyre legjitime, pastaj u fajësuan vendet e tjera që nxisin trazirat, ose u fol për kriminelë dhe islamistë të armatosur që gjoja përpiqen të destabilizojnë Sirinë. Pastaj u bënë premtime për reforma të përgjithshme, heqjen e gjendjes së jashtëzakonshme, lejimin e partive të reja dhe më shumë liri shtypi për përmirësimin e sistemit të shëndetësisë si dhe luftimin më të ashpër të korrupsionit. Pra një pranim indirekt se ka mangësi të konsiderushme.
Udhëheqja siriane i merr protestat seriozisht, siguroi këshilltarja e presidentit, Butahina Shaaban: „Ne e dëgjojmë popullin tonë. Në të ardhmen do të ketë parti të ndryshme politike, të gjitha kërkesat e njerëzve që kanë dalë në rrugë do të diskutohen nga udhëheqja siriane."
Lëvizja për liri në Siri, megjithë demostruesit e vrarë, ka qenë e përmbajtur. Vetëm disa prej tyre kërkojnë rrëzimin e qeverisë. Protestat vazhdojnë të zhvillohen në vende të caktuara dhe nuk kanë mbërritur deri në Damask. Një ithtar i lëvizjes për demokraci: „Jo, largimin e presidentit al-Assad nuk e ka kërkuar asnjë deri tani. Kërkesat janë shumë realiste. Lirim i të burgosurve politikë, heqje e gjendjes së jashtëzakonshme dhe reforma."
Kësaj i shtohet edhe fakti që sirianët, duke patur parasysh zhvillimet dramatike dhe pjesërisht kaotike në vendet arabe, janë më të vetëdijshëm për stabilitetin. Shumë prej tyre janë të bindur se presidenti al-Assad nuk i mbështet sulmet e shërbimit sekret dhe të forcave të sigurisë. Kur ka marrë detyrën, njëmbëdhjetë vjet më parë, ai trashëgoi nga i ati Hafis al Assad një aparat të vështirë që nuk mund të reformohet lehtë.
Presidentit vlerësohet edhe sepse Siria është i vetmi vend në Lindjen e Mesme ku ndiqet një politikë e ndarjes koseguente të shtetit dhe fesë. Në këtë mënyrë vendi nuk është prekur deri tani nga konfliktet midis konfesioneve. Pjesa më e madhe e sirianëve janë sunitë, kurse presidenti dhe familja e tij bëjnë pjesë në pakicën alevite.
Autor: Felixde Cuveland/ Aida Cama
Redaktoi: Bahri Cani