1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Donatorët po humbasin durimin me Greqinë

Bernd Riegert/ Aida Cama24 Korrik 2012

FMN dhe BQE nuk duan të marrin më pjesë në shpëtimin e Greqisë. Gjermania heziton. Taktikë bisedimesh, apo së shpejti Greqia nuk do të marrë më para nga fondi i shpëtimit?

Dhramia greke
Dhramia greke

Në Greqi sërish është koha e vizitave të trojkës. Kontrollorët e arkave të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bankës Qendrore Evropiane dhe Komisionit të BE-së janë kthyer në Athinë dhe do të fillojnë nga puna këtë javë. Deri në mes të muajit shtator ata duhet të verifikojnë nëse Greqia i ka realizuar masat e premtuara. Ashtu si në muajin mars, kur bëhej fjalë për faljen e pjesshme të borxheve nga investorët privatë, edhe kësaj here kontrollorët do të shoqërohen nga një korncert polifonik, ku interpretuesit janë kredidhënësit dhe kredimarrësit grekë. Qeveria greke ka paralajmëruar për rrezikun e falimentimit, para të cilit ndodhet shteti. Vendet donatore flasin për përjashtimin e Greqisë nga unioni monetar i eurozonës dhe dhënien fund të pagesave të ndihmave. Edhe në muajin maj dhe në qershor, para zgjedhjeve parlamentare, kampet kaluan në pozicione ekstreme për të arritur më në fund një kompromis.

Vendimi në shtator

Akti i ri në dramën greke do të vazhdojë mbase deri në mes të muajit shtator. Të paktën këtë afat ka dhënë ministri gjerman i Financave Wolfgang Schäuble në një intervistë me gazetën "Bild-Zeitung". Ai tha se ministrat e financave do të vendosin kur duhet ta paraqesë raportin trojka. Kjo duket se ka marrë si detyrë që ta prezantojë raportin pas marrjes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese gjermane për paketën e shpëtimit të euros, më 12 shtator. Ministrat e financave takohen më 14 shtator në Qipro, e cila kryeson presidencën e radhës në BE.

Jean-Claude Juncker, Christine Lagarde dhe Olli RehnFotografi: REUTERS

Qeveria greke duhet të ketë marrë vendime në mes të muajit qershor për kursime të tjera, për të plotësuar kushtet për marrjen e ndihmave prej 31 miliardësh. Këto para nuk do të jepen nëse qeveria greke nuk i ka prezantuar plotësisht planet e kursimeve. Falimentimi i shtetit nuk mund të ndodhë shumë shpejt, sepse paratë që ndodhen në Greqi mjaftojnë deri në mes të shtatorit, për të paguar rrogat dhe shpenzimet e shtetit. Banka Qendrore Evropiane nuk pranon të bëjë pagesat e obligacioneve shtetërore. Edhe në muajin mars ministri i Financave Evangelos Venizelos kërcënoi me falimentimin e Greqisë. Por kjo nuk ndodhi, megjithëse pagesat e kredive ndihmëse u shtynë deri në muajin maj.

Rösler: Më shumë se skeptik

Me shprehjet për daljen vullnetare të Greqisë nga zona e euros, ministri gjerman i Ekonomisë ka ushtruar presion ndaj qeverisë greke që ajo të veprojë. Në televizionin ARD, Rösler tregoi skepticizëm lidhur me qëndrimin e mëtejshëm të Greqisë në zonën e euros. "Po e them qartë: Nëse Greqia nuk përmbush kushtet nuk do të ketë pagesa të tjera." Kërcënime të ngjashme patën formuluar më parë edhe ministri i Financave Wolfgang Schäuble dhe kancelarja Angela Merkel. Megjithatë Merkel nuk ka folur kurrë për daljen e Greqisë nga zona e euros.

Europarlamentari Jorgo Chatzimarkakis, gjerman me origjinë grekeFotografi: dapd
Ministri grek i Financave Yannis StournarasFotografi: dapd

Fondi Monetar Ndërkombëtar bën të njëjtën gjë me planet për të mos marrë pjesë në paketën e ndihmës shtesë për Greqinë. Kryeministri i ri grek, Antonis Samaras donte t`i zgjaste reformat me dy vjet. Kjo do të bënte të nevojshme një paketë të tretë ndihme në vlerën e 10 deri 50 miliardë eurove. Këtë premtim nuk do ta japë askush në BE dhe FMN. Për zgjatjen kohore dhe paketën e tretë të ndihmave u fol në Bruksel që në muajin mars. Por ministrat e financës së BE-së e hoqën nga protokolli këtë diskutim, pas presionit që ushtroi pala gjermane. Meqenëse nuk mund të parashikohet çfarë pasojash do të kishte dalja e Greqisë nga zona e euros në kombinim me një monedhë të re, ministrat nuk e kanë bërë deri më sot këtë hap.

Chatzimarkakis: Grekët janë duke u munduar

Meqenëse qeveria gjermane e thotë shumë ashpër që Greqia të mos marrë më asnjë para nëse nuk plotëson kushtet, hapësira për të lëvizur në këtë akt të ri të dramës financiare greke është shumë e vogël. Europarlamentari Jorgo Chatzimarkakis, gjerman me origjinë greke, e kritikon si të papërgjegjshëm presionin që po uhstrohet ndër të tjerë edhe nga ministri i financave. "Politika greke lufton që të zbatojë sa më shpejt masat që nuk janë zbatuar gjatë fushatës elektorale. Ajo merr një shuplakë tani që ministri i ri i Financave Yannis Stournaras, përpiqet të bëjë gjithçka për t`i sjellë gjërat në rregull," thotë Chatzimarkakis për Deutschen Welle-n. Deputeti i BE-së është anëtar i partisë së Liberalëve Demokratë, FDP, në të cilën bën pjesë edhe ministri gjerman i Ekonomisë, Rösler.

Që drama greke do të arrijë këtë verë kulmin e saj, e tregon edhe hapi që ndërmorri Banka Qendrore Evropiane, e cila nuk i pranon më si garanci kredish obligacionet shtetërore greke. Kjo do të thotë se Banka Qendrore Evropiane nuk pranon më letra "të vjetra" në bilancin e saj. Ajo ka tashmë pjesë në letrat greke me vlerë në një nivel dyshifror miliardash. Ato do të ktheheshin menjëherë pa vlerë, nëse Greqia largohet nga zona e euros dhe do të duhej të fuste një monedhë të re. Banka Qendrore Evropiane duhet të përballojë humbje të mëdha. Për pjesën e vet, Banka Qendrore Evropiane e mban vetë përgjegjësinë. Pjesa e vet janë shtetet e euros, dhe kjo pjesë paguhet nga taksapaguesit.