Aktori Alban Ukaj një zë aktiv i shoqërisë në Bosnjë
30 Prill 2021Alban Ukaj e ka filluar karrieren e aktrimit në hapësirat e zyrave të minatorëve në Prishtinë. Aty gjendej Akademia pas luftës në Kosovë. Disa vite më vonë shkoi për herë të parë në Sarajevë. Ai nuk e dinte gjuhën, por kishte vendosur të shpërngulej dhe vazhdonte studimet në Sarajevë. Nga ajo kohë kanë kaluar 20 vite. Albani thotë se ka menduar se do të shkonte diku tjetër, apo do të kthehej në Prishtinë. Por vitin e tretë të studimeve nisi të punonte dhe nga ajo kohë jeton aty.
"Në njëfarë mënyrë kam ndërtuar një familje timen në Sarajevë dhe kur më pyet dikush pse Sarajeva, i kam disa personazhe që i përmend. E kam marrë edhe një vullnet më të madh që të bëj një vazhdimësi të asaj që kanë bërë ata gjatë luftës e shfaqje pasi kanë pasur mbi 120 e ca premiera gjatë atyre katër viteve të luftës këtu dhe jam emocionalisht disi i lidhur me qytetin." - thotë Albani.
Aktori me origjinë nga Kosova ka punuar në shumë teatro të rajonit. Ai është i punësuar në teatrin që nisi punën në kohën e shtetërrethimit të Sarajevës SARTR, por ka dhënë shfaqje edhe në Teatrin Kombëtar.
Ukaj është zë aktiv i shoqërisë në Bosnje dhe kritik i ashpër i fenomeneve në shoqëri. Është marrë me temën e luftës dhe është një nga artistët e angazhuar, kritik i nacionalizmit dhe debaton në vazhdimësi për të shkuarën.
Në filmin boshnjak “Quo vadis, Aida?” që u nominua për Oscar në kategorinë e filmave të huaj, por që ndonëse favorit nuk fitoi, Albani luan rolin e njërit prej të punësuarve në bazën e atëhershme të OKB-së ku u vranë mbi 8 mijë myslimanë. Filmi tregon historinë e masakrës së Srebrenicëspërmes përkthyesve dhe paraqet fatin e Aidës, që nuk e shpëtoi dot familjen e saj.
"Që të mos përsëritet diҫka e ngjashmë prapë, duhet ndoshta me qenë radikal në aspektin, të përmendet ajo periudhë, të bashkëjetohet me problemet që janë bërë dhe krimet që janë bërë gjatë viteve të ’90 në ish-Jugosllavi për ta pasur një lloj pastrimi personal secili prej nesh në këto shtetet që janë formuar pas shpartallimit të ish-Jugosllavisë." - thotë aktori.
Ai tregon se ka njëfarë frike që brezat e rinj që po vijnë, sidomos në kryeqendrat e ish-Jugosllavisë "po bëhen më nacionalistë dhe më radikalë nga sa kanë qenë gjeneratat tona të viteve ’90.
Nëse vazhdojmë me përzgjedh fryma të djathta në qeveri, e kam një frikë që nëse mundohemi ta shtypim brenda atë frustrimin që e kemi prej viteve ’90 dhe nuk e lejojmë të dalë jashtë, nuk bisedojmë për atë punë, nuk jemi të gatshëm t'i pranojmë gabimet tona, nuk jemi të gatshëm t'i pranojmë krimet tona - atëherë frikësohem se do na përsëriten gjërat e asaj periudhe." - thotë Alban Ukaj.