Akuza të rënda ndaj ekuipazhit të tragetit të përmbytur
21 Prill 2014Presidentja e Koresë së Jugut, Park Geun Hye theksoi se sjellja e kapitetin të tragetit dhe disa anëtarëve të tjerë të ekuipazhit "është për mendjen e shëndoshë plotësisht e pakuptueshme". "Sjellja e tyre ka qenë si një vepër vrasjeje, gjë që në asnjë mënyrë nuk mund të tolerohet", deklaroi Park në Seul, njofton Agjencia e lajmeve Yonhap.
Kapiteni 69-vjeçar dhe gjashtë anëtarë të tjerë të ekuipazhit që drejtonte tragetin, janë arrestuar dhe dyshohen për shkelje të rënda të detyrave, që si pasojë ka pasur vdekjen e qindra personave të pafajshëm. Ndër të arrestuarit është edhe oficerja e tretë në bord, e cila e ka drejtuar tragetin në momentin e fatkeqësisë së rëndë. Sipas disa burimeve, oficerja nuk ka pasur pothuajse kurfarë përvoje në drejtimin e tragetit.
Dëshmitarët okularë njoftojnë se kapiteni dhe shumë anëtarë të bordit e kanë lëshuar anijen para udhëtarëve, të cilët në masë të madhe kishin mbetur të ngujuar. Trageti "Sewol" është fundosur të mërkurën e kaluar, në mometin kur po lundronte me 476 pasagjerë - ndër ta 339 nxënës dhe mësuesit e tyre. 174 persona kanë shpëtuar, ndërkohë që deri tani janë nxjerrë trupat e pajetë të mbi 60 personave. Si të zhdukur llogariten edhe 238 persona, shumë prej tyre nxënës. Ndërkohë janë zhdukur pothuajse të gjitha shpresat se ndonjë prej tyre e ka mbijetuar.