Albanologjia e Mynihut feston 50vjetorin
25 Qershor 2011Kur Martin Camaj erdhi për herë të parë me bursë të DAAD-së në Munih ishte dhjetori i vitit 1961 dhe «bënte shumë ftohtë», siç do të kujtonte ai më vonë. Ai edhe mund të kthehej sërish në Romën me diell ku jetonte aso kohe. Por ndenji, për fatin tonë, thotë Bardhyl Demiraj. Profesori i Albanologjisë në Mynih, Fondacioni Nehemia dhe Rrjeti Ndërkombëtar i Albanologjjisë INA, kishin ftuar në fshatin piktoresk Shënvag të Bavarisë albanologë nga e gjithë bota për të marrë pjesë në një simpozium dy ditor shkencor (23-25.06.11).
Dhe pikërisht gurin e parë të themelit të kësaj historie 50-vjeçare e hodhi Martin Camaj, i cili qysh në vitin 1961, fillimisht pa pagesë, filloi të japë mësimin e albanologjisë në Mynih. Se sa e rëndësishme kishte qenë kjo degë për interesimin e mëtejshëm të studiuesve gjermanë për hapësirën shqipfolëse kjo del në pah nga vetë pjesëmarrësit.
Leksione plot humor
Njëri syresh është Conrad Clewing, i cili falë mësimdhënies jo-konvencionale të Camajt, jo vetëm që studioi albanologji, por sot është një nga të paktët historianë gjermanishtfolës, që e njohin gjuhën shqipe. Ai kujton: «Unë i hyra albanologjisë më tepër si me shaka. Ishte viti 1987 dhe së bashku me një shok dëgjuam që katedra e albanologjisë është në krizë, profesori është shumë i dëshpëruar, sepse ka vetëm dy studentë, dhe ne thamë, se po të shkojmë dhe ne, atëherë do ta shtojmë numrin e studentëve me 100 për qind. Por kur shkuam ne aty, gjetëm edhe pesë studentë të tjerë dhe profesori jo vetëm që nuk ishte i dëshpëruar, por ai ishte më se në humor, tregonte anekdotë pas anekdotash, dhe na pëlqeu aq, saqë ne mbetëm aty edhe tri semestra të tjerë».
Camaj, me aftësitë e tij të jashtëzakonshme komunikuese, jo vetëm që arriti të siguronte mbijetesën e e albanologjisë, por edhe të krijonte lidhjet e para me arbëreshët e Italisë. Francesco Altimari, shefi i katedrës së albanologjisë në universitetin e Kozencës në Itali, kujton: «Takimet e para me profesor Camajn i kam pasur në Kalabri, ku ai vinte çdo verë për të bërë kërkime në terren. Prej asaj kohe e pastaj, pas diplomës sime, erdha këtu për dy muaj, për të bërë një kërkim për studiuesit gjermanë, që janë marrë me gjuhën dhe kulturën arbëreshe dhe kështu që u konsoliduan këto lidhje.»
Për universitetet italiane katedra e Mynihut ka një vlerë strategjike, vlerëson kolegu i Altimarit, profesori i albanologjisë në Palermo, Matteo Mandalà . Nëpërmjet programit Erasmus të BE-së ka shumë këmbime docentësh e studentësh që ecin në traditën e këmbimeve të profesor Camajt dhe profesor Francesco Solanos (1914-199) nga Universiteti i Kalabrisë.
Autonomi e rrezikuar
Kur Martin Camaj në vitin 1992 vdiq në moshën 67-vjeçare, si pasojë e një sëmundjeje, Katedra e Albanologjisë ishte e konsoliduar. Vendin e tij e zuri Wielfrid Fiedler, i cili sapo ishte shëruar nga një sëmundje e gjatë dhe e rrezikshme. «Për mua marrja e katedrës së albanologjisë ishte sikur të kisha fituar në lotari», thotë me modesti një nga albanologët më të njohur në ish-Republikën Demokratike të Gjermanisë. «Kur erdha unë nuk kishte probleme financiare, por kur dola unë në pension, katedra ishte në rrezik. Në fillim ekzistencën e saj shpëtoi profesor Rexhep Ismajli, por mbas kthimit të tij në Kosovë në përfundim të luftës, për fat erdhi Bardhyl Demiraj që kishte studiuar në Holandë», - rrëfen Fiedler.
Me simpoziume gjermano-shqiptare, si ky i fundjavës, i katërti i këtij lloji, botime veprash e studimesh, siç ishte ai i veprës së plotë të Martin Camajt vitin e kaluar, por edhe një sërë aktivitetesh jashtë universitare, Demiraj mundohet t'i japë degës vendin që i takon. Megjithëse kapacitetet i ka të kufizuara: Deri para se të fillonte reforma universitare katedra i kishte punët më mirë, por me implementimin e procesit të Bolonjës, asaj i mungojnë kapacitetet për të ofruar edhe degën master. Në se albanologjia mbetet gjer në nivel bachelor, atëherë ajo ka rrezik të humbasë autonominë hulumtuese, gjykojnë ekspertët.
Traditë dyqindvjeçare
Pëllumb Xhufi, nga Qendra e Studimeve Albanologjike në Tiranë thotë se do të ishte «mëkat» sikur Mynihu të humbte si vend hulumtimi: «Tradita e studimeve albanologjike në këtë universitet nuk është vetëm 50-vjeçare, ajo fillon që fillim të shekullit të 19-të», kujton ai duke pasur parasysh profesorin e filologjisë Jakob Philipp Fallmerayer, autor i shkrimit «Elementi shqiptar tek grekët».
Edhe anëtari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Kolec Topalli, është i shqetësuar për të ardhmen e Albanologjisë në Gjermani. Se sa e rëndësishme është Gjermania për albanologjinë, për këtë flet vetë fakti, që gati e gjithë letërsia e albanologjisë është shkruar në gjermanisht, thotë ai. «Mua vetë m'u desh të mësoja gjermanisht kur fillova të merresha me albanologji», kujton akademiku shqiptar.
Si për Xhufin ashtu edhe Topallin nga ky simpozium del një apel i qartë në emër të qeverive të Shqipërisë ose Kosovës: Tani ka ardhur koha që katedra të mbështetet jo vetëm moralisht, por edhe financiarisht. Olav Hackstein, profesor i katedrës së gjuhëve indogjermane, thotë se një ndihmë shumë e madhe do të ishte vënia në dispozicion e një lektorati, pra, një docenti për gjuhën shqipe. «Kjo do ta lehtësonte shumë profesor Demirajn», arsyeton Hackstein.
Premtime nga politika
Një temë që u trajtua edhe gjatë vizitës që ministri i Jashtëm i Shqipërisë Edmond Haxhinasto pati në fillim të këtij viti në Mynih. Ambasadori Valter Ibrahimi thotë se vullneti i mirë për ta zgjidhur këtë çështje ekziston, por së pari duhet nënshkruar marrëveshja bilaterale për bashkëpunimin kulturor me Gjermaninë. Një marrëveshje të tillë sapo e nënshkroi Kosova, çka e bën më optimist ambasadorin e saj në Berlin, Vilson Mirdita. «Në Gjermani jetojnë mbi 300 mijë kosovarë dhe për ne ka rëndësi të madhe që gjuha shqipe të institucionalizohet», thotë Mirdita. «Tani, që kemi nënshkruar marrëveshjet, mundësitë për bashkëpunime konkrete janë më të mëdha.» Fjalë, të cilat shefi i katedrës Bardhyl Demiraj, i dëgjon me kënaqësi: «Ne presim dhe shpresojmë që ato tani të bëhen realitet», thotë ai.
Autor: Anila Shuka
Redaktoi: Lindita Arapi