1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Aleat i patundshëm - Obama në Lindjen e Mesme

21 Mars 2013

Presidenti amerikan Barack Obama ndodhet për vizitë katërditore në Lindjen e Mesme. Obama u shpreh qartë se SHBA do të mbetet besnike ndaj aleatit të saj, Izrael.

Obama dhe NetanjahuFotografi: Reuters

Me një rikonfirmim të qartë për patundshmërinë e marrëdhënieve SHBA-Izrael, presidenti amerikan Barack Obama nisi vizitën e tij të parë shtetërore në Izrael dhe rajonet autonome palestineze. Obama u prit në Izrael me përzemërsi. Presidenti i Izraelit, Shimon Perez e priti në aeroport, kryeministri Benjamin Netanjahu dhe i gjithë kabineti izraelit.

Që në fjalimin përshëndetës u bë e qartë se SHBA i mbeten besnik, aleatit të tyre, Izraelit njëlloj si më parë. Obama: "Unë e kam bërë gjithmonë të qartë: Premtimi i Amerikës ndaj shtetit izraelit është një detyrim solemn, dhe siguria e Izraelit nuk negociohet." SHBA është krenare që është aleatja më fortë e Izraelit. "Aleanca jonë është e përjetshme", theksoi Obama, i cili vizitoi të mërkurën edhe sistemin e mbrojtjes raketore të Izraelit, "Iron Dome", simbol i bashkëpunimit ushtarak, Izrael-SHBA.

Fotografi: Reuters

Miqësi demonstrative

Në mandatin e parë, marrëdhëniet mes dy vendeve pësuan edhe ftohje, që u duk edhe në faktin që Obama nuk e vizitoi asnjëherë Izraelin gjatë katër viteve të para. Retë e mandatit të parë duket se janë davaritur, në Tel Aviv u demonstrua unitet dhe miqësi demonstrative.

Këtyre toneve miqësore iu përgjigj edhe kryeministri izraelit, po me tone miqësore. Netanjahu falënderoi Obamën për përkrahjen pa ekuivoke që i jep Izraelit. Ai shprehu gatishmëri për të vazhduar bisedimet e paqes me palestinezët. "Izraeli premton si edhe më parë paqen dhe është i gatshëm për një zgjidhje me dy shtete për dy popuj. Ne i zgjasim popullit palestinez dorën e paqes dhe miqësisë."

Izraeli nuk ka nevojë të presë vendimet e SHBA-së për sigurinë e tij

Edhe në konfliktin atomik me Teheranin, presidenti amerikan foli fjalë të qarta. Armatimin atomik të Iranit, Obam në rast nevoje do ta ndalonte me forcën e armëve. Në një konferencë për shtyp, presidenti amerikan u shpreh se Izraeli nuk ka nevojë të marrë dritën e gjelbër në Uashington para një sulmi kundër programit atomik iranian. "Nuk e di nëse ata do të bëjnë këtë hap", tha Obama, por ai nuk pret që për çështjet sigurisë, Izraeli të presë vendimet e vendeve të tjera. Obama paralajmëroi gjithashtu qevérinë siriane në rast përdorimi të armëve kimike.

Raketa nga Rripi i Gazës në qytetin SderotFotografi: Reuters

Gjatë vizitës së tij katërditore, presidenti amerikan viziton edhe rajonet autonome palestineze dhe Jordaninë. Vizita e së enjtes e presidentit Obama në Ramallah ku ai pritet të takohet me presidentin palestinez, Mahmud Abas, errësohet nga protestat antiamerikane të zhvilluara në Jordanin Perëndimor dhe Rripin e Gazës të mërkurën. Ndërkohë duke u gdhirë e enjtja nga Rripi i Gazës janë hedhur dy raketa drejt Izraelit. Njëra prej tyre ra në kopshtin e një shtëpie në qytetin Sderot dhe shkaktoi vetëm dëme materiale, ndërsa tjetra ra në një fushë është shprehu zëdhënësi i policisë, Micky Rosenfeld për agjencinë e lajme AFP.

Autor: Lindita Arapi (dpa, afp)

Redaktoi: Auron Dodi