1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Alfred Moisiu: Presim më shumë prezencë gjermane në ekonominë shqiptare

Mimoza Cika Kelmendi29 Qershor 2007

Intervistë e Deutsche Welle-s me presidentin e Shqipërisë, Alfred Moisiun, i cili të enjten, më 28 qershor 2007, i dorëzoi drejtorit të përgjithshëm të Deutsche Welle-s, Erik Bettermann, Medaljen e Mirënjohjes.

Alfred Moisiu në intervistë për Deutsche Wellen
Alfred Moisiu në intervistë për Deutsche WellenFotografi: DW

Deutsche Welle: Zoti President! Mandati juaj përfundon në fund të korrikut. Cilat janë sukseset më të rëndësishme të politikës shqiptare në këto vite?

Alfred Moisiu: Gjatë mandatit tim ishte hera e parë që Shqipëria bëri një kalim paqësor të pushtetit nga njëri krah partiak në krahun tjetër. Zgjedhjet e korrikut të 2005-ës u zhvilluan vërtet shumë mirë, gjë, e cila i dha edhe Shqipërisë një avantazh të vlerësimit dhe përparimit të saj demokratik. Është një arritje që tregon zhvillimet demokratike në vendin tonë, maturinë e klasës politike dhe vetë zgjedhësve shqiptarë. Ata kanë mësuar ta përdorin dhe e kanë njohur forcën që ka vota e tyre dhe rëndësinë e të ardhmes së zhvillimit të vendit dhe të jetës së fëmijëve të tyre.

Deutsche Welle: Ju si president keni pasur gjatë këtyre viteve shumë takime rajonale. Cilat kanë qenë frytet e këtij bashkëpunimi rajonal?

Alfred Moisiu: U arrit që qytetarët e shteteve të rajonit të mos jenë më të huaj për njëri-tjetrin, por të shtohen rrugët dhe llojet e komunikimit mes tyre. Në këtë mënyrë arritëm të njohim më mirë njëri-tjetrin, por në të njëjtën kohë të trajtojmë dhe problemet që shqetësojnë rajonin tonë. Kështu për shembull ne kemi arritur vetëm sivjet, që është gjysma e vitit, të takohemi katër-pesë herë me kryetarët e shteteve të rajonit. Vjet në prill për shembull morëm një nismë për një takim joformal të kryetarëve të shteteve të rajonit në Durrës, ku diskutuam në tërësi problemin e zhvillimeve ekonomike të rajonit dhe se cilat mund të jenë rrugët më të përshtatshme për t’i dhënë zhvillim edhe marrëdhënieve ekonomike dhe veçanërisht turizmit në vendin tonë dhe në vendet e rajonit. Kjo pastaj u pasua nga një po ashtu joformal në Karagjorgjeva, në Serbi, ku ne folëm për problemet e sigurisë dhe luftën kundër trafikut, dhe një takim të sivjetshëm në Ohër, ku u fol për problemet e energjetikës. Pra, përveç takimeve të programuara dhe vizitave bilaterale, ne futëm dhe një formë të re informale, por në fakt ajo ka të gjitha parametrat e një takimi të zakonshëm formal, sepse problemet diskutohen, njerëzit janë të gjithë aty dhe kjo ka krijuar një formë mirëkuptimi reciprok shumë më të mirë nga ç’ka qenë më përpara. Vjet, në takimin e Durrësit, ishte hera e parë që presidenti i Serbisë shkeli në Shqipëri dhe njëkohësisht për mua ishte hera e parë që unë shkela në Serbi. Këto takime na krijuan mundësinë të njihemi nga afër.

Deutsche Welle: Mendimet megjithatë mbetën të ndryshme. Mendoni se ky bashkëpunim do ta ndryshojë qendrimin e Serbisë ndaj zgjidhjes së statusit të Kosovës?

Alfred Moisiu: Kryetarët e shteteve janë të zgjedhur në këto detyra dhe kanë përgjegjësitë e tyre, por ata gjithmonë përfaqësojnë edhe konjukturat politike të vendeve që drejtojnë. Pesha e pikëpamjeve nacionaliste në Serbi njihet. Ajo është e një përmase të tillë që nuk u krijon shumë hapësirë politikanëve të tyre. Sigurisht që takimet tona nuk mund të them që kanë ndikuar për të ndryshuar mendimet e homologut tim përkatës, por ato kanë krijuar një përfytrim për performancën e politikës shqiptare për këto probleme. Shkëmbimi i mendimeve, pavarësisht se të kundërta, të bën më realist për vlerësimin e situatës. Në Zagreb për shembull, pata mundësi të takoj presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, dhe isha personaliteti i parë politik shqiptar, që i prezanton presidnetit rus pikëpamjen shqiptare për problemin e Kosovës, por nga këndvështrimi i një shqiptari.

Deutsche Welle: Tani plani i Ahtisaarit ka ngecur në vend dhe rrezikon të hidhet poshtë nga vetoja e Rusisë. Nga kontaktet që keni pasur, a keni përshtypjen se realizimi i tij do të arrihet vërtetë dhe njëkohësisht duke e respektuar durimin e shqiptarëve?

Alfred Moisiu: Ky është një problem jo kaq i lehtë dhe një problem që ka mendime dhe kontradikta nga më të ndryshmet. Presidenti Bush gjatë vizitës së tij në Shqipëri e tha hapur: „Është koha për ta zgjidhur këtë punë“. Kur thuhet „është koha“ kjo nuk do të thotë që do të zgjidhet të nesërmen, „është koha“ do të thotë që kjo punë nuk pret më. Fakti që Këshilli i Sigurimit po merret intensivisht me problemin e Kosovës për një rezolutë të re, e cila do të sanksionojë juridikisht atë që është në fakt, unë mendoj, që tregon që problemi i Kosovës do të zgjidhet. Ai nuk ka kthim pas.

Deutsche Welle: Ju sot dekoroni drejtorin e Deutsche Welles, Erik Bettermann, me Medaljen e Mirënjohjes. Njëri nga misionet e këtij radiotelevizioni është edhe ndërlidhja e urave mes Gjermanisë dhe vendeve të tjera nëpër botë. Cili do të ishte gjykimi juaj për urën shqiptaro-gjermane?

Alfred Moisiu: Në përgjithësi politika gjermane ndaj Shqipërisë ka qenë shumë mbështetëse. Studiuesit më të njohur gjermanë janë ata që kanë hulumtuar në historinë dhe veçanërisht në zhvillimin dhe gjenezën e gjuhës shqipe. Dhe kjo tregon që gjermanët kanë pasur një interes të veçantë për trevat tona. Kjo traditë ka ardhur duke u përmirësuar, pavarësisht nga periudha e Luftës së Dytë Botërore, që ishte një periudhë, kur Gjermania ka pasur probleme me të gjithë pjesën tjetër të Evropës. Shqiptarët i vlerësojnë gjermanët, i respektojnë në mënyrë reciproke. Gjermania ka qenë prezente dhe ne presim që të jetë edhe më prezente në ekonominë shqiptare, në privatizimet shqiptare dhe me investimet e saj në Shqipëri. Gjermania ka ndihmuar shumë si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, ku është prezente si politikisht, ekonomikisht dhe ushtarakisht. Aspirojmë që vitin tjetër të marrim ftesë për Nato dhe shpresojmë që Gjermania do të jetë një nga vendet që do ta mbështesë kërkesën e Shqipërisë për t’u integruar.

Deutsche Welle: Dhe së fundi, me rastin e 15 vjetorit të krijimit, çfarë do t’i sugjeronit programit shqip të Deutsche Welles?

Alfred Moisiu: Unë mendoj që Deutsche Welle, seksioni shqip e ka merituar atë vlerësim që unë i bëra. Shpresoj që kjo do të ndikojë në përmirësimin e punës tuaj të mëtejshme, në forcimin e lidhjeve dhe do të ndikojë në atë që zëri juaj të dëgjohet më shumë në viset shqiptare. Ne mendojmë që nëpërmjet Deutsche Welle-s do të vijnë edhe sinjalet më të forta të Bashkimit Evropian dhe shpresojmë që Gjermania jo vetëm nëpërmjet Deutsche Welles, por nëpërmjet gjithë kanaleve të saja, të mbështesë avancimin e Shqipërisë drejt arritjes së kandidimit të saj për Bashkimin Evropian.