1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Alkooli nuk është i shëndetshëm, edhe me masë

17 Gusht 2024

Një birrë apo një gotë verë nuk bën dëm: kjo bindje ka zënë rrënjë në mendjen e shumë njerëzve. Por tani ekspertët e kanë ndryshuar rekomandimin e tyre. Edhe sasitë e vogla të alkoolit janë të dëmshme.

Person duke rrëkëllyer shishen e alkoolit
Fotografi: Silas Stein/dpa/picture alliance

Alkooli nuk është i shëndetshëm, edhe me masë. Ky është përfundimi i arritur nga Shoqata Gjermane e Ushqyerjes DGE në studimin"Alkooli është një drogë psikoaktive". Rekomandimi i shoqërisë profesioniste është i qartë: shmangia e konsumit të alkoolit është motoja e vetme e sigurt.

Jo vetëm rreziku i varësisë

Sipas DGE, rekomandimi i ri zëvendëson vlerën referencë të publikuar më parë për konsumin e alkoolit. Nuk ka "sasi pa rrezik për konsum të sigurt”. Edhe sasitë e vogla mund të rrisin rrezikun e sëmundjeve, aksidenteve dhe lëndimeve. Ekspertët identifikojnë më shumë se 200 pasoja negative shëndetësore.

Në plan afatgjatë, alkooli jo vetëm që mbart një rrezik të varësisë. Sipas ekspertëve, alkooli kontribuon edhe në shfaqjen e sëmundjeve: kancerit (sidomos i gjirit dhe zorrës së trashë), sëmundjeve kardiovaskulare dhe gastrointestinale, diabetit mellitus, në rënien e aftësive kognitive, në sëmundjen Alzheimerit dhe demenca të tjera.

Fotografi: Clara Margais/dpa/picture alliance

Këto sasi konsiderohen të rrezikshme

Kushdo që vazhdon të pijë alkool duhet të shmangë sasitë e mëdha dhe të ashtuquajturat "pirje të tepërta". Kjo vlen veçanërisht për të rinjtë. "Fëmijët, adoleshentët, gratë shtatzëna dhe nënat me fëmijë në gji duhet të shmangin përgjithësisht alkoolin”. Për vlerësimin e saj të ri, DGE analizoi disa studime mbi këtë temë.

Prej atje, ekspertët e DGE nxjerrin gjithashtu vlerësime të rrezikut për sasi të caktuara alkooli: një deri në dy gota verë ose një deri në dy shishe birrë në javë konsiderohen me rrezik të ulët, ndërsa deri në pesë gota verë ose dy litra birrë konsiderohen të moderuara. Gjithçka mbi këto shifra, shoqëria e konsideron konsumimin e alkoolit të rrezikshëm. Sipas studimit, nëse doni të jetoni një jetë pa rreziqe, duhet të hiqni dorë plotësisht nga alkooli.

Fotografi: Ralph Peters/picture alliance

Gjermania - vend me konsum të lartë alkooli

Dokumenti gjithashtu bën të qartë pse këto rekomandime janë veçanërisht të rëndësishme për Gjermaninë: Gjermania konsiderohet një "vend me konsum të lartë" alkooli. "Sasia mesatare e alkoolit të konsumuar në Gjermani është më shumë se dyfishi i sasisë mesatare që pihet në të gjithë botën”, thuhet në dokument. Prandaj, nevojiten më shumë përpjekje për të përmirësuar ndërgjegjësimin shoqëror.

tg