1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Alstom – simbol i problemeve të Francës

Andreas Becker / exh30 Prill 2014

Siemens dhe koncerni amerikan General Electric janë në garë për blerjen e koncernit francez Alstom. Presidenti i Francës po merret personalisht me këtë blerje. Rasti nxjerr në pah problemet e vendit.

Alstom Firmenzentrale
Fotografi: ERIC PIERMONT/AFP/Getty Images

Në të vërtetë shefi i Alstom Patrick Kron dhe ai i GE Jeffrey Immelt kishin rënë dakord: General Electric, një nga koncernet më të mëdha të teknologjisë në botë, do të blente për 10 miliardë euro kompaninë franceze. Por dy sipërmarrësit i kishin bërë llogaritë pa politikën.

"Ne nuk pranojmë që ky simbol kombëtar të shitet prapa kurrizit të aksionerëve, të punësuarve dhe qeverisë franceze", deklaroi në Twitter të hënën në mëngjes (28.04.) ministri i Ekonomisë Arnaud Montebourg. "Do të mbrohen interesat ekonomike dhe industriale të Francës", tha Montebourg.

Britma e politikës

Alstom konsiderohet në Francë si një sipërmarrje me rëndësi strategjike pasi vepron në sektorin e energjisë dhe prodhon turbina për centralet e shumta bërthamore të vendit. Por fjala është për më shumë: rastin Alstom është "fatkeqësisht një tjetër shenjë se Franca ka dalë nga korsia", tha për kanalin Europe 1, Jean-François Copé, kryetar i partisë opozitare konservatore UMP.

"Të mos përsërisim gabimet e së kaluarës", shkruajti në Twitter ish ministri socialist Jean-Pierre Chevènement. Si shembull ai përmendi "Pechiney, Arcelor-Mittal, Lafarge", të gjithë koncerne industrialë, të cilët janë blerë nga konkurrenca jashtë vendit.

Shefi i bordit drejtues të Siemens, Kaeser dhe ai i këshillit mbikqyrës Chrome në ÉlyséeFotografi: picture-alliance/dpa

Në listën e Chevènement nuk është hyrja e investitorit kinez Dongfeng dhe shtetit francez tek PSA-Peugeot-Citroën. Të premten e kaluar aksionerët e prodhuesit të automjeteve në vështirësi financiare dhanë dritën e gjelbër për aksionin e shpëtimit.

Humbje të industrisë

Shembujt tregojnë se Franca rrezikon të humbasë bazën e saj industriale. Autoriteti evropian i statistikave Eurostat ka llogaritur se industria tashmë ka vetëm një pjesë prej 12,8 për qind në Produktin e Brendshëm Bruto të Francës, dhe kjo është sa gjysma e atij në Gjermani dhe madje shumë më pak se në Spanjë apo Itali.

Dhjetë vjet më parë qeveria e atëhershme konservatore në Francë e pati shpëtuar me para të taksapaguesve Alstom-in dhe pati penguar një blerje të sektorit të energjisë nga Siemens.

Tani duket se është pikërisht kjo zgjidhja e duhur, pra blerja e teknikës energjitike nga Siemens. Në këmbim koncerni gjerman është shprehur i gatshëm t'i dorëzojë Alstom-it pjesën e biznesit me hekurudhën. Deri tani firma franceze konkurron me trenat e saj të shpejtësisë së lartë TGV me trenat ICE të Siemens-it.

Avantazhi për Siemens-in

General Electric (GE) dhe Siemens realizojnë një xhiro prej 75 miliardë eurosh në biznesin industrial, krahasuar me rreth 20 miliardë të Alstom.

"Alstom realizon pjesën më të madhe të biznesit të tij me klientë francezë, p.sh. hekurudhën franceze SNCF apo furnizuesit me emergji Gaz de France", thotë Thomasz Michalski nga universiteti me drejtim ekonomik në Paris, HEC. "Këta klientë vitet e fundit nuk kanë blerë shumë."

Qeveria franceze duket se dëshëron më shumë ofertën e Siemens-it se sa një blerje nga GE por në parim nuk kundërshtojnë ndërhyrjen nga jashtë. "Ekziston ende refleksi që firmat franceze të mbeten në duar franceze", thotë profesori i HEC, Michalski për DW, "megjithatë qeveria e di se ajo është e zhytur thellë në borxhe dhe ka pak hapësirë financiare për një ndërhyrje."

Ndryshim i ngadaltë mendimi

Michalski dallon shenja të një ndryshimi mentaliteti i cili nuk bazohet vetëm në mungesën e mjeteve financiare. Kur koncerni i çelikut ArcelorMittal mbylli në 2012 furrnaltat e tij në Lorenë, pati vërtet një britmë indinjate nga politika, por si përfundim asnjë ndërhyrje shtetërore. Edhe kur në prill të këtij viti Lafarge, prodhuesi i dytë më i madh në botë i materialeve të ndërtimit, njoftoi pas shkrirjes me koncernin zvicerian Holcim, lider në sektor, se do të transferonte në Zyrih selinë qendrore, nuk pati ndërhyrje nga qeveria franceze.

Por duket se ajo kërkon të pengojë më çdo kusht përsëritjen e rastit të koncernit industrial me traditë Pechiney. Në vitin 2003, prodhuesi i katërt më i madh i aluminit në botë në atë kohë, u ble nga grupi kanadez Alcan. "Alcan më pas e copëtoi Pechiney-in dhe shiti disa pjesë të tij, të tjera u mbyllën dhe u pushuan punëtorë", thotë profesori i ekonomisë Michalski.

Sakrifikimi i ruajtjes së vendeve të punës dhe të ardhurave fiskale për interesat e aksionerëve, i tronditi thellë francezët, pasi nuk i përgjigjej kulturës së tyre ekonomike. "Për këtë arsye francezët parapëlqejnë një aleancë me një firmë gjermane", thotë Michalski. "Kultura gjermane është më e ngjashme me atë franceze se sa ajo anglo-saksione e interesave të aksionerëve."

Për ministrin francez të Ekonomisë nga oferta e Siemens-it mund të lindnin dy kampionë evropianë. Montebourg e krahason situatën me ndërtimin e prodhuesit evropian të avionëve Airbus si konkurrencë ndaj prodhuesit amerikan Boeing, dikur sundues në treg. "Ose do të na blejë Boeing", tha Montebourg në Twitter, "ose ne do të krijojmë një Airbus të energjisë dhe një të transportit".

Për ministrin gjerman të Ekonomisë Sigmar Gabriel ideja është mjaft tërheqëse. Një bashkim i Siemens me Alstom ofron "një shans të madh" për të dy vendet, deklaroi zëdhënësi i Gabriel.