1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Alternativa e vetme pranimi Ballkanit në BE

Aida Cama7 Korrik 2006

Në Berlin u zhvillua më 6 dhe 7 korrik një Konferencë për perspektivën europiane të Ballkanit perëndimor. Në konferencën e organizuar nga Fondacioni Heinrich Böll morrën pjesë politikanë të nivelit të lartë dhe eskpertë të rajonit

Folës në konferencën për Ballkanin
Folës në konferencën për BallkaninFotografi: DW


Perspektiva është formuluar qartë. Pas 10 deri 15 vitesh të gjitha vendet e Ballkanit do të jenë anëtare e Bashkimit Europian. Të këtij mendimi janë politikanët dhe ekspertët që janë ftuar nga Fondacioni Heinrich Böll në Berlin. Wolfgang Petritsch, Ambasadori austriak në Kombet e Bashkuara shpalos vizionin e tij: "Unë jam i mendimit se pas 15 vitesh shqiptarët, boshnjakët, serbët, kroatët, maqedonasit, kosovarët do të ulen së bashku në tavolinë në Bruksel me vendet europiane."

Çështja është se si politikanët të bindin politikanët e njerëzit e vendeve tashmë anëtare. Pyetjes pse duhet të futet Ballkani perëndimor në Bashkimin Europian i jepet përgjigje me vështirësi. Për disa madje kjo pyetje nuk duhet shtruar. Azra Dzajic, referente tek Fondacioni gjerman i Të gjelbërve:"Nëse pyesim çfarë është Europa, atëherë shohim se një Ballkani perëndimor është pjesë e Europës. Dhe europianët duhet ta kenë këtë rajon në vetëdijen e tyre po ashtu siç kanë vendet perëndimore. As më pak as më shumë."

Por, kjo nuk mjafton për disa nga ata që ndodhen në EU, ku aktualisht ekziston skepticizëm i madh për disa nga vendet që kanë probleme ekonomike dhe politike.

Por në Europë nuk ka vetëm njerëz skeptikë. Pas 15 vitesh histori të sukseshme në Ballkan, Europa kërkon ta dëshmojë deri në fund suksesin në menaxhimin e krizës. Dhe ky sukses duhet çuar më tej duke e plotësuar deri në fund historinë e suksesit dhe duke futur Ballkanin perëndimor në BE.

Për këtë qeveritë në Ballkan duhet të kthehen në partnerë, duhen përkrahur në luftën e tyre kundër kriminalitetit dhe korrupsionit. Kjo është shumë e rëndësishme sepse: Josst Lagendijk, anëtar i Parlamentit Europian dhe i Të gjelbërve hollandezë (Groentlinks): " Perceptimi i pjesës më të madhe të popullsisë europiane për vendet e Ballkanit perëndimor është aktualisht, se këto vende sjellin në Europë kriminalitet dhe probleme. Ky është realiteti i hidhur. Rajoni ka probleme dhe ka lidhje të forta me trafiqet që vijnë jashtë Europës të armëve, drogës, njerëzve. Por ky është vetëm njëri aspekt i realitetit. Aspekti tjetër është se ballkanasit nuk mund të kthehen në vrimë të zezë të Europës. Nuk ka alternativë tjetër pervëc asaj të pranimit të Ballkanit në BE."

Sigurisht, që futja e Ballkanit në BE ka kostot e veta, por kosto ka edhe mbajtja e këtyre vendeve larg BE. Prezenca ndërkombëtare ushtarake kushton shumë më tepër dhe është shumë pak produktive në krahasim me rrugën e investimeve të ekonomisë në këtë rajon, hapjen e vendeve të punës dhe kështu dhënia e mundësisë që rajoni të zhvillohet.

Ballkani ndodhet në një pikë gjeostrategjike shumë të ndjeshme, me Greqinë dhe Turqinë, me afërsinë me Lindjen e Afërme, që mund të thuhet se është afërsi shumë e madhe, me problematikën shumë të vështirë të konfliktit izraelito-arab. Prandaj është shumë e rëndësishmë që në zonën më të afërt me ne, pra në Ballkan të sundojë paqja dhe siguria.

Jamie Shea, nga Zyra e planifikimeve politike tek Sekretari i Përgjitshshëm i NATO-s: "Ballkanasit janë pjesë e Europës. Gjeografikisht ata janë totalisht pjesë e Europës. Nëse kërkojmë nga vendet e Ballkanit të bëjnë reforma politike, ekonomike dhe sociale ateherë ne duhet të jemi te besueshëm, dhe të mbajmë premtimet tona."

Ballkani nuk duhet vetëm të konsumojë sigurinë që prodhojnë të tjerët, por duhet të prodhojë vetë siguri. Por edhe ekonomia luan një rol shumë të rëndësishëm. Zhvillimi ekonomik në Europë është ngadalësuar ndërkohë që vendet e Ballkanit kanë ritëm më të shpejtë zhvillimi. Çka do të thotë se për Europës perëndimore është interesante të aktivizohet në Ballkan dhe të ketë atje partnere biznesesh.

Për Wolfgang Petritsch: Unë jam i mendimit se kjo çështje duhet parë në tërësi dhe duhet parë në bashkëpunim më Ballkanin. Ne investojmë në Ballkan por dhe marrim diçka prej andej. Që do të thotë se bashkëpunimi nuk është rrugë njëkalimshme, por është marrëdhënie, e cila aktualisht është shumë asimetrike, nuk është e barabartë, por qëllimi ynë është që të arrijmë tek një rrjet raportesh partneriteti të barabartë midis Ballkanit dhe pjesëve të tjera të Europës.

Kështu Ballkani mund të kthehet në një rajon dinamik ekonomik. Potenciali ekziston. Po të funksionojë shteti juridik, po të ulet deri në minimum korrupsioni, po të bashkëpunohet në luftimin e kriminalitetit të organizuar, atëherë Ballkani do të ketë një funksion shumë të rëndësishëm në këtë Europë.

Për Lagendijk ekonomia e ka më të lehtë se sa politika sepse: "Ju mund të bëni biznese në një vend edhe kur atje nuk është çdo gjë në rregull me të drejtat e njeriut, të drejtat e minoriteteve, lirinë e medias, por për politikanët si unë, të cilët luftojnë për pranimin e Ballkanit perëndimor në BE, ne duhet të kërkojmë plotësimin e disa kritereve dhe këto kriteret janë më të vështirat për tu realizuar. Ato kanë të bëjnë më policinë, drejtësinë, të drejtat e njeriut, kështu që fillimisht mund të shkojë në Ballkan ekonomia dhe politika mund ta ndjekë nga pas, sepse atje duhet të plotësohen kritere të cilat janë më të vështira sesa ekonomia."

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW