1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ambasadorët e BE dakord për negociata me Shkupin dhe Tiranën

23 Mars 2020

Të martën (24.03) përmes një video-konference ministrat e Europës të BE-së pritet të dakordësohen për t’i dhënë dritën e gjelbër hapjes së bisedimeve të antarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Bildkombo Flagge EU Albanien Mazedonien
Fotografi: Imago

Pas muajsh të shtyrjeve shtetet e BE-së parimisht janë dakord për hapjen e negociatave të antarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ambasadorët e BE-së të hënën (23.03) ranë dakord për pranimin e bisedimeve me këto dy shtete të Ballkanit Perëndimor, sikurse mësohet nga diplomatët. Ky vendim megjithatë duhet të konfirmohet përmes një procedure me shkrim në të gjitha kryeqytetet e vendeve anëtare të BE-së.

Komisioni i BE-së e ka shprehur qysh më 2018 rekomandimin për këto dy vende. Një vendim i shteteve anëtare në tetor u shty për të tretën herë nën presionin e presidentit të Francës Emmanuel Macron. Pas ndryshimeve në procedurën e antarësimit nga Komisioni i BE-së dhe reformave të mëtejshme në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut, Parisi pranoi.

Fillimi i bisedimeve të antarësimit është vetëm hapja e një procesi shumëvjeçar. Vetëm nëse vendet përkatëse i zbatojnë hap pas hapi kushtet dhe reformat, në fund ato mund të antarësohen në Bashkimin Europian.

Në një intervistë për gazetën „Tagesspiegel" ministri i Shtetit për Europën në Ministrinë e Jashtme gjermane Michael Roth, thekson, se të martën (24.03) përmes një video-konference ministrat e BE-së për Europën „duhet të japin më në fund dritën e gjelbër për fillimin e bisedimeve të antarësimit me Tiranën dhe Shkupin. I jam mirënjohës Komisionit të BE-së, që i ka bërë një ripunim të arsyeshëm procedurës së zgjerimit. Këtej e tutje vendet anëtare të BE-së do të përfshihen më fort në mbikqyrjen qendrore të përmbushjes së kritereve të antarësimit si shteti ligjor dhe liria e mendimit. Kjo është një urë edhe për ato shtete të BE-së, që ishin skeptik për zgjerimin", thotë Roth. Ai nënvizon më tej për „Tagesspiegel", se hapja e negociatave të antarësimit nuk nënkupton pranimin e menjëhershëm të këtyre shteteve. Ky është vetëm fillimi i një rruge të gjatë dhe të vështirë. „Por ne duhet ta përshkojmë këtë rrugë. Kjo nuk është vetëm në interesin e shteteve të Ballkanit, por edhe në interesin tonë vetiak strategjik. Bëhet fjalë për paqen, pajtimin dhe stabilitetin në të gjithë Europën", thekson Roth.

Në sfondin e krizës aktuale Roth nënvizon gjithashtu, që „BE-ja duhet të angazhohet më shpejt dhe më energjikisht. Ne duhet t'i lemë me një anë më në fund egoizmat kombëtare. Qytetaret dhe qytetarët në vendet e Ballkanit Perëndimor duhet duhet ta ndjejnë, që ne nuk i lemë ata vetëm", thotë ministri gjermani shtetit për Europën