Amerikanët e konsiderojnë Gjermaninë partnere të rëndësishme të SHBA-së
8 Dhjetor 2005Gjatë këtij sondazhi u morrën në pyetje 1000 amerikanë mbi moshën 18 vjeçare. 46% e tyre e vlerësojnë Gjermaninë si një shtet partner të rëndësishëm për SHBA-s, madje pas Britanisë së Madhe, shtetin më të rëndësishëm brenda Bashkimit Evropian. Ndërkohë në rangun ndërkombëtar Gjermania zë vendin e katërt pas Britanisë së Madhe, shtetit fqinj Kanadasë, Japonisë dhe qëndron më lart se Kina dhe Rusia.
Ndryshe nga situata e krijuar përpara dy vitesh me fillimin e luftës në Irak, sot rreth 43% e qytetarëve amerikanë kanë sërish një konsideratë të lartë kundrejt Gjermanisë. Në prill të vitit 2003 vetëm 27% e tyre mendonin në mënyrë pozitive mbi Gjermaninë. Por debatet që u krijuan në lidhje me luftën e Irakut si edhe luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar, vazhdojnë t´i influencojnë marrëdhëniet mes SHBA-s dhe Gjermanisë. Pothuajse një të tretat e të pyeturve e vlerësojnë luftën e Irakut si aspektin më negativ të marrëdhëineve bilaterale mes SHBA-s dhe Gjermanisë. Ndërkohë më shumë se 57% e qytetarëve amerikanë kanë shprehur dëshirën, që Gjermania të luajë një rol më aktiv në luftën kundër terrorizmit.
Ambasadori gjerman në SHBA-s, Volfgang Ishinger, sheh aspekte si pozitive, ashtu edhe negative tek rezultatet e këtij sondazhi:
"Mendoj se ky sondazh dëshmon, se po ecim drejt rrugës së duhur. Përpara disa vitesh imazhi i Gjermanisë në SHBA-s pësoi humbje të thella për shkak të debatit që u krijua mbi luftën e Irakut. Por rezultatet e tanishme janë shumë pozitive si për qeverinë gjermane, ashtu edhe për ambasadën tonë. Ndërkohë ne duhet t´u dëshmojmë qytetarëve amerikanë se ne luajmë vërtet një rol shumë të rëndësishëm në luftën kundër terrorit ndërkombëtar, madje në Afganistan ne jemi partneri kryesor i SHBA-s."
Por faktin se Gjermania është vërtet aleati kryesor i SHBA-s në Afganistan, e pranojnë vetëm 19% e amerikanëve.
Sidoqoftë interesi i amerikanëve për Gjermaninë mbetet i lartë. Pothuajse gjysma e qytetarëve amerikanë treguan interes ndaj informacioneve që kanë të bëjnë me Gjermaninë.