1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Udhëtimet e gjata dhe klima

R. Baig/Eliana Xhani9 Gusht 2013

Udhëtimet me makinë dhe avionë janë përgjegjësit më të mëdhenj për ndryshimin e klimës. Sipas një studimi norvegjez shkaktarët kryesorë janë gjermanët që udhëtojnë shumë. Alternativat megjithatë nuk mungojnë.

Foto simbolike: Udhëtim me trenFotografi: Michael Schütze/Fotolia

Në kohërat e globalizimit çdo vend në botë është bërë një destinacion i mundshëm udhëtimi. Gjithnjë e më shumë udhëtime me mjete të shpejta transporti në rajone të largëta, janë të munduara me çmime të përballueshme. Turizmi është tashmë një degë e konsoliduar e ekonomisë, por ai nuk ka vetë anët pozitive të krijimit të vendeve të punës dhe zbavitjes. Vëllimi i madh i transportit ndikon në masë të konsiderueshme edhe në ndryshimin e klimës.

Ndikim të rëndësishëm kanë para së gjithash udhëtimet me makina dhe avion, konstaton Qendra për Studime Ndërkombëtare për Klimën dhe Mjedisin në Oslo (CICERO). "Këto dy mjete transporti janë përgjegjëse për 90 për qind të ndryshimit të klimës të shkaktuar nga udhëtimet", thuhet në një studim të ri të qendrës. Sipas tij, çdo pasagjer në një fluturim të gjatë, e rëndon ambientin aq sa një përdorues mesatar makine në dy muaj.

Mëkatarët e ambientit nga Gjermania

Sipas studimit gjermanët janë ndër përgjegjësit kryesorë për ndotjen në rritje të ambientit nga udhëtimet e gjata. Sipas të dhënave të CICERO ata udhëtojnë rreth pesë herë më shpesh se mesatarja ndërkombëtare, edhe pse zyrtarisht kampionë të udhëtimeve janë tashmë kinezët. Veçanërisht udhëtimet e shtresës së kamur kanë efekt të fortë: "Dhjetë për qind e gjermanëve, ata më të pasurit, janë përgjegjës për 20 për qind të dëmeve ndaj klimës shkaktuar nga udhëtimet në mbarë botën", shkruajnë autorët e studimit.

Shumë turistë shfrytëzojnë udhëtimet me autobus.Fotografi: Fotolia/B. Wylezich

"Mjeti i preferuar i transportit për gjermanët prej vitesh është makina", thotë në bisedë me Deutsche Welle-n, Dörte Beyer, docente për shfrytëzimin e natyrës dhe mbrojtjen e mjedisit në Universitetin për Zhvillim Afatgjatë. "Në vend të dytë vjen avioni", shton ajo. Me distancë të madhe këto dy mjete transporti pasohen nga autobusi dhe treni. Ndërkohë që autobusët modernë të udhëtimeve janë mjetet e transportit më pak të dëmshme për mjedisin.

Kryqëzorët në shënjestër të kritikave

Edhe udhëtimet me kryqëzorë, që vazhdojnë të jenë shumë të preferuara për gjermanët, sipas vlerësimeve të ambientalistëve nuk janë aspak të mira për ambientin. Lidhja gjermane për Mbrojtjen e Natyrës (NABU), në një studim të saj aktual merret me ndotjen e ambientit nga kryqëzorët. "Ne kemi marrë në shqyrtim anije që do të hidhen në treg deri në vitin 2016, ose që janë në qarkullim", thotë Dietmar Oeliger, ekspert për transportin pranë NABU-t. "Konstatimi ynë është se janë të paktën ofruesit që investojnë në teknikë të mirë për gazrat e dëmshme", thotë Oeliger.

Në krahasim me industrinë e automobilëve këtu ka një nevojë edhe më të madhe për përmirësim të teknikës së filtrimit në favor të mbrojtjes së mjedisit. Dörte Beyer pajtohet me shqetësimin e NABU-t: Udhëtimet me kryqëzorë nuk janë ekologjike dhe madje janë shqetësuese edhe pse përbëjnë vetëm 0,5 për qind të gjitha udhëtimeve me anije.

Shumë gjermanë preferojnë të udhëtojnë me anijeFotografi: Reuters

Modeli alternativ: turizëm i butë dhe që respekton ambientin

Shumë operatorë turizmi i kushtojnë ndërkohë rëndësi turizmit që respekton ambientin. Edhe hekurudha gjermane Deutsche Bahn bën reklamë me këtë. "Por këtu nuk nënkuptohet turizëm i mërzitshëm ekologjik", thekson Dörte Beyer. Ndërkohë ka oferta tërheqëse edhe për udhëtime jashtë. Për shembull mund të prenotosh edhe udhëtime luksoze, të cilat janë të konceptuara në mënyrë ekologjike. Interesi për këto lloj udhëtimesh është rritur 20 vitet e fundit, por vazhdojnë të mbeten në kontigjent të vogël.

"Udhëtimet që respektojnë më shumë ambientin janë shëtitjet në këmbë apo me biçikletë", thotë Dietmar Oeliger nga NABU. "Fluturimet janë mënyra e transportit më e dëmshme për ambientin", shton ai. Për këtë arsye duhet të shmangen fluturimet e gjata për qendrime të shkurtra, si p.sh. një fundjavë në Nju Jork.

Nëse është vërtet e pashmangshme, mund të kontribuohet me një donacion për organizata si "Atomsfair". Në faqen e saj të internetit, pasagjerët e udhëtimeve ajrore mund të japin të dhënat për destinacionet e tyre, dhe të llogarisin bilancin e dioksidit të karbonit. Në varësi të kilometrave të fluturuar rezulton një shumë e caktuar, të cilën organizata e investon në projekte për mbrojtjen e klimës. Kështu udhëtarët kanë një ndërgjegje më të qetë.