Angazhimi i avionëve gjermanë Tornado në Afganistan & Klima në samitin e BE-së
9 Mars 2007Së pari lidhur me samitin e BE-së, gazeta "Neue Westfälische" që del në Bielefeld komenton: "Eshtë detyrë e BE-së që jo vetëm të vendosë masa të detyrueshme, por edhe të përshtatshme për mbrojtjen e klimës. Brukseli duhet të kujdeset, që industria të ketë direktiva të qarta për ndryshimin e kursit. Nëse oferta është e saktë, atëherë s´kemi përse të shqetësohemi më për konsumatorin."
E përditshmja e Rostokut "Ostsee Zeitung" thekson: "Angela Merkel pas samitit të BE-së mund të rezatojë nën një farë ndriçimi ekologjik. Vetëm se pyetja që shtrohet është: sa do të jetë në gjendje kancelarja si presidente e radhës së BE-së që të imponojë këto qëllime ambicioze. Fakti që Berlini ndërkohë në skenën e BE-së është duke e shmangur debatin brenda koalicionit të madh mbi energjinë atomike, vetëm sa e vështirëson diskutimin për një strategji të përbashkët energjie. Nëse Gjermania do të jetë e besueshme si pioniere botërore e mbrojtjes së klimës, Berlini politik nga njëra anë duhet të tregohet më elastik dhe nga ana tjetër edhe i papërkulshëm: kundrejt dëshirave ekstra të industrisë së automobilëve dhe të gjigandëve të energjetikës."
Tma e dytë: pritja e votimit në Bundestag lidhur me vënien në përdorim të avionëve ushtarake gjermanë Tornado në Afganistan.
Mbi këtë gazeta "Tageszeitung" që del në Berlin komenton: "Deputetët (...) do t´i japin fund një gënjeshtre të madhe, përmbajtja e së cilës është: Perëndimi ndihmon Afganistanin për demokratizimin dhe përndjek disa terroristë, pra autorë veprash penale. Kjo nuk është e vërtetë. Tani më shumë e vërteta është, që në këtë Afganitan prej vitesh mbizotëron lufta. Dhe Gjermania po merr pjesë në këtë luftë."
Ndërsa "Frankfurter Runschau" kërkon ndryshimin e politikës ndërkombëtare ndaj Afganistanit, duke argumentuar: "Së pari, në përgjithësi duhet që të forcohet më shumë impulsi civil dhe jo ai ushtarak. Së dyti, ka ardhur koha të pranohet, që detyra është nënvleftësuar. Së treti, koncepti i ndihmës duhet të jetë më i gjerë duke përfshirë edhe fundin e kultivimit të drogës. Një detyrë kjo, të cilën askush nuk e preferon dhe që deri më sot askush nuk do ta financojë. Vrasja e një punonjësi gjerman të ndihmës për zhvillimin nuk e bën aspak joshëse këtë detyrë. Pa një koncept të ri Perëndimi do të dështojë në malësitë e Hindukushit."
Gazeta e Dyseldorfit "Handelsblatt" analizon: "Nëse do të dërgohen gjashtë avionë Tornado në Afganistan, ky nuk është ndonjë mision i ri i Bundesverit, që lufton në Afganistan. Ndaj nuk është konform as aspektit juridik dhe as politik që Bundestagu të vendosë për një mandat ekstra. Qeveria e ka aranzhuar këtë në një formë të tillë, vetëm se i trëmbet grindjes brenda fraksioneve të koalicionit qeverisë. Në kabinet përballet pacifizmi me frikën prej luftës, që do t´i ngjajë asaj të Irakut, dhe mendimi se "ne s´kemi ç´kërkojmë në Afganistan". Pothuajse krijohet një qëndrim izolues. Sepse deputetët ashtu si edhe qeveria harrojnë, që debati i vazhdueshëm mbi Tornadot dëmton republikën federale në aspektin e politikës së jashtme dhe as që ka të bëjë me thelbin politik."