1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Merkel: Bilanc i dyzuar për Procesin e Berlinit

6 Korrik 2021

"Dritë dhe hije" në vitet e fundit - Bilanci i kancelares Angela Merkel në kuadër të Procesit të Berlinit për Ballkanin është i dyzuar

Deutschland | Virtueller Westbalkan Gipfel | PK Angela Merkel
Angela MerkelFotografi: Michael Sohn/AP Photo/picture alliance

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, mendon se Procesi i Berlinit solli një mundësi bashkëpunimi të nivelit të ri në rajon dhe shumë përparime praktike për qytetarët e Ballkanit Perëndimor.

Në një konferencë për mediat në përfundim të samitit të Ballkanit Perëndimor në Berlin, ajo vlerësoi disa përparime që janë bërë në dobi të njerëzve, si për shembull, heqjen e tarifave roaming prej datës 1 korrik, çka u mundëson njerëzve telefonimin pa pagesa shtesë nga vendet e tjera të rajonit, por edhe korridoret e gjelbra të transportit, shkëmbimin mes nxënësve në kuadër të Zyrës së Bashkëpunimit Rinor, por edhe përfshirjen më të fortë të shoqërisë civile që u arrit nëpërmjet Procesit të Berlinit.

 

Ajo megjithatë tha se shumë gjëra ende nuk janë arritur, duke veçuar sidomos "njohjen reciproke të diplomave dhe lëvizjen e lirë me karta identiteti në rajon", dy nga pikat kryesore të Planveprimit për Krijimin e një Tregu të Përbashkët Rajonal të miratuar në nëntor të vitit të kaluar në Sofje.

Angela Merkel, e cila ishte mikpritësja e samitit të tetë të Procesit të Berlinit shprehu shpresën që këto përparime të arrihen së paku më 6 tetor të këtij viti, kur është caktuar të mbahet samiti i BE-së me liderët e Ballkanit Perëndimor në kuadër të Presidencës Sllovene.

Takimi i fundit i në kuadër të Procesit të Berlinit

Ky ishte takimi i fundit i kancelares gjermane me krerët e Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit. Ai u bë në formë virtuale për shkak të pandemisë.  Procesi i Berlinit ishte nismë e kancelares, e krijuar në vitin 2014, për të mbajtur Ballkanin Perëndimor afër BE-së, përsa kohë që BE-ja nuk ishte ende e gatshme për të pranuar vende të reja në gjirin e saj.

Fotografi: Regierung R. Nordmazedonien

E pyetur për afrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor me BE-në Merkel tha se ka pasur edhe dritë edhe hije:

"Ne kemi hapur një numër të madh kapitujsh, kemi rindërtuar procesin e zgjerimit. Për shumë vende të Ballkanit Perëndimor shpejtësia është shumë e ngadalshme, por edhe Bashkimi Evropian ka pasur shumë rezerva", tha kancelarja gjermane.

"Këto rezerva kanë qenë të drejta, edhe pse nganjëherë palët e prekura nuk i kanë parë si të drejta," shtoi ajo. "Është bërë shumë, por ka edhe shumë për t'u bërë në drejtim të korrupsionit", shtoi ajo duke veçuar Merkel, Shqipërinë, si shembull pozitiv. 

"Kur shoh se si po emërohen gjyqtarët e rinj, për shembull, me procesin e Vettingut në Shqipëri, atëherë shoh se po bëhen përparime pararendëse të qendruehme",  tha Merkel.

"Procesi i Berlinit ishte i drejtë"

Merkel tha më tej se nisur nga fakti që shpejtësia e zgjerimit është më e ngadaltë se sa mund ta kishte shpresuar shumëkush, hapja e Procesit të Berlinit, në vitin 2014, ishte diçka e drejtë.

Por ajo vuri në dukje se vështirësitë e reja e të papritura, si për shembull bllokimi i Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut, pasi u zgjidh bllokada shumëvjeçare e Greqisë, tregojnë se BE-ja ka nevojë për një ndryshim.

Fotografi: Regierung Nord-Mazedonien

Ajo tha se këtë e kishte biseduar edhe më parë me Presidentin Macron, në takimin e fundit të tyre në Berlin. "Ne duhet ta bëjmë Bashkimin Evropian të aftë për të pranuar anëtarë të rinj", tha kancelarja gjermane. 

"Pra, në tërësi ka pasur dritë dhe hije në vitet e fundit", tha kancelarja. "Disa gjëra janë bërë, por ka edhe shumë për të bërë," shtoi ajo.

Forumi i shoqërisë civile

Paralelisht me samitin e drejtuar nga kancelarja Merkel, u zhvillua edhe Forumi i Shoqërisë Civile, organizuar nga Insitituti Aspsen dhe Shoqata e Evropës Juglindore. Forumi digjital u prezantoi përfaqësuesve të qeverive të vendeve pjesëmarrëse në Procesin e Berlinit një numër të madh propozimesh për përmirësimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme.

Fotografi: Getty Images/J. Macdougall

Një nga kërkesat e shoqërisë civile është bashkëpjesëmarrja e saj në kontrollin e përdorimit të mjeteve financiare. Komisioni Evropian i ka ndarë Ballkanit Perëndimor vitin e kaluar deri në 9 miliardë euro dhurata dhe deri në 20 miliradë euro garanci për kredi, të cilat vendet e rajonit do t'i përdorin për zhvillimin e tyre ekonomik.

Sipas shoqërisë civile, mekanizmat e kontrollit të Bashkimit Evropian, nuk janë të mjaftueshme për të parandaluar keqpërdorimin e mjeteve. "Ato vihen në përdorim, pasi është bërë e keqja," thotë Ardian Haçkaj, nga Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillimin, me qendër në Tiranë, në një bisedë me DW.  Haçkaj mendon se përfshirja e shoqërisë civile në të gjitha fazat e procesit të vendimmarrjes do të ishte një mundësi e mirë për të kontrolluar dhe parandaluar  keqpërdorimin e mjeteve për qëllime korruptive.