Annan: Situata në Siri e papranueshme
25 Prill 2012Siria nuk i është përmbajtur armëpushimit për të cilën kishte rënë dakord. Sipas ndërmjetësuesit ndërkombëtar Kofi Annan, sulmet e trupave qeveritare ndaj popullsisë civile kanë vazhduar edhe më tej. Në një takim të mbyllur të Këshillit të Sigurimit të OKB-së Annan e cilësoi gjendjen si "absolutisht të papranueshme".
Ai u shpreh i shqetësuar po ashtu për faktin që njësitë ushtarake siriane vazhdojnë edhe më tej sulmet në terren ku nuk janë vëzhguesit e OKB-së. Veçanërisht mediet njoftojnë se trupat qeveritare ditën e hënë marshuan përsëri në qytetin qendror sirian Hama pasi vëzhguesit e Kombeve të Bashkuara ishin tërhequr, tha ai të martën (24.04) në Këshillin e Sigurimit . "Nëse kjo do të konfirmohet, kjo është absolutisht e papranueshme dhe e dënueshme", tha Annan. "Situata është në kundërshtim me vullnetin e komunitetit ndëkombëtar", shtoi më tej ai.
Përveç kësaj, qeveria e presidentit Baschar al Assad nuk i kishte tërhequr armët e saj të rënda siç kishte rënë dakord. Dhuna do të ndërpritej përkohësisht vetëm kur 11 vëzhguesit e OKB-së ishin aty pranë. Për këtë arsye Annan foli në favor të rritjes sa më shpejt të numrit të vëzhguesve në Siri. Edhe ambasadorja e SHBA-së në OKB Susan Rice, e cila ka presidencës e radhës në Këshillin e Sigurimit deklaroi se anëtarët e KS kërkojnë shtimin sa më të shpejtë të vëzhguesve në Siri.
Autor: afp, dapd, dpa / M. Kelmendi
Redaktoi: Esat Ahmeti