1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Antisemitizmi islamik tek të rinjtë

Thomas Klatt19 Shtator 2008

Pikërisht në Gjermani duhej t´i përkiste së kaluarës, por ai ekziston ende antisemitizmi. Në bazë të studimeve të fundit të ministrisë së brendshme gjermane ky fenomen biles është rritur në vitet e fundit.

Muzeu hebre në Berlin
Muzeu hebre në BerlinFotografi: picture-alliance /dpa

Rreth 10 përqind e gjermanëve kanë një "antisemitizëm latent". Tek muslimanët që jetojnë në Gjermani ai është biles më i lartë rreth 15 përqind. Sipas studimit në rradhë të parë të rinjtë myslimanë janë të ndjeshëm ndaj propagandës antisemite.

Për kryetaren e bashkësisë ebreje në Berlin qëndrimi antisemit i të rinjve muslimanë nuk është problem margjiinal. Përkundrazi, shoqëria gjermane shumë shpesh qëndron indiferente, thotë ajo. „Vitet e fundit 10 gjimnazistëve ebrej në Berlin ju desh të ndërronin shkollën, sepse ata si ebrej pështyheshin dhe goditeshin nga nxënësit myslimanë. Aktet penale të shtetasve myslimanë janë shtuar. Kush mban në kokë kipën (kapuçin tradicional të ebrejve), e vë veten në rrezik të pështyhet apo të qëllohet."

Polizia ruan sinagogën në Esen, 2002Fotografi: AP

Por është e diskutueshme, nëse antisemitizmi tek të rinjtë myslimanë në Gjermani është shumë më i përhapur se sa tek moshatarët e tyre josmyslimanë. As nuk është hulumtuar, se në ç´masë myslimanët e këtushëm përmes satelitit nxiten nga propaganda antisemite e stacionit shiit hisbollah Al-Manar. Shumë të rinj nuk e zotërojnë mirë gjuhën arabe dhe flasin prej kohësh gjermanisht.

Musik rap e këngëtarit egjiptiano-gjerman Scarabäus, përfaqësues i një vale të re të popit islamik në gjuhën gjermane. Nga njëra anë të rinj muslimanë shijojnë avantazhet e botës perëndimore, nga ana tjetër ata qëndrojnë gjithnjë e më hapur dhe në mënyre demonstrative pas fesë së tyre.

"Ka çifuti mjekër, e quajnë rabin. Ka muslimani mjekër, e quajnë radikal. Mban murgesha shami në kokë, nuk çuditet askush, mban një grua tek ne shami koke është e nënshtruar.…"

Urrejtje e hapur kundër ebrejve nuk predikohet në brezin e ri të muzikës islamike të popit, por për këtë përdoren stereotipe të njohura antisemite, mendon pedagogu nga Berlini Jochen Müller. Ai ka studjuar paragjykimet dhe konceptet ndaj ebrejve tek të rinjtë muslimanë. „Kur fola para disa javësh me një të ri, me sfond familjar libanez, ai më informoi për problemet e tij në shkollë, që atë nuk e do asnjë nga mësuesit. Përse? Ai thotë, janë ebrej! Një shembull, që ebrejtë mbahen si shkaktar i të gjitha problemeve të mundshme."

"Përse çdo musliman shihet shtrembër prej tyre, a nuk e dini, se kjo për ne është terror psiqik?..."

Jo më kot videoja muzikore e Scarabäus është e shoqëruar me pamje nga lufta e fundit në Liban. Figura e armikut Izraeli çon në solidarizimin me njëri-tjetrin, thotë Jochen Müller. Të rinjtë muslimanë e shohin veten shpesh si viktima, në konfliktin në Lindjen e Afërt apo në Gjermani, ku muslimanët e ndjenin vetën në përgjithësi nën dyshimin për terrorizëm. Shumë prej tyre nuk janë në gjendje të ballafaqohen në mënyrë objektive me historinë e Izraelit. Vizita e një memoriali të një kampi përqendrimi është për shumicën e klasave të dominuara nga muslimanët thuajse e pamundur.

Fushatë kundër antisemitizmit në Zvicër që luan me klishetë, 2003

„Kështu përpjekjes për të tematizuar antisemitizmin ndër muslimanët, i kundërvihet shpesh kundërakuza e islamofobisë. Nën moton holokausti është problemi juaj gjerman, kjo s´ka çna duhet, na lini të flasim një herë për islamofobinë."

"Unë nuk jam antisemit, unë vetëm kritikoj. Ju flisni për paqen dhe investoni vetëm për luftën..."

Megjithatë tek shumica e gjeneratës Pop-Islam në plan të parë është, që të gjejnë vendin e tyre dhe të integrohen në shtetin demokratik të Gjermanisë si muslimanë besimtarë, thotë Eberhard Seidel, drejtues ekzekutiv i projektit „shkollë pa racizëm". Vetëm një pakicë radikale do të bënte thirrje për urrejtje kundër atyre, që besojnë ndryshe.

„Problematike bëhet për ne çështja, kur nuk është më fjala për raportin e secilit me zotin dhe besimin e tij, por kur bëhen përpjekje, që nga feja e vet të ngrihen pretendime për dominancë dhe për norma të cilave duhet të nënshtrohen muslimanët e tjerë dhe të bëhen përpjekje për ta zbatuar në shoqërinë e tyre."