1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
PolitikëMaqedonia e Veriut

Costa Shkupit: Ndryshimet kushtetuese kusht për negocitatat

3 Qershor 2026

Presidenti i Këshillit Evropian Antonio Costa në Shkup tha, se BE mbetet e përkushtuar ndaj perspektivës evropiane të Maqedonisë së Veriut, duke theksuar se e ardhmja e vendit është në Union.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Hristijan Mickoski dhe presidenti i Këshillit të BE-së Antonio Costa duke ecur gjatë takimit në Shkup.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Hristijan Mickoski dhe presidenti i Këshillit të BE-së Antonio CostaFotografi: Petr Stojanovski/DW

"Miratimi i ndryshimeve kushtetuese mbetet mënyra e vetme për fillim formal të negociatave. Kjo është mënyra e vetme për hapjen e të gjitha përfitimeve nga anëtarësimi në Bashkimin Evropian për qytetarët e Maqedonisë së Veriut.Bashkimi Evropian është partneri më i sigurt i Ballkanit Perëndimor dhe Maqedonisë së Veriut. Fuqia për të formësuar ardhmërinë është në duart tuaja. Mënyra e vetme për të arritur përparim drejt integrimit evropian është përmes dialogut konstruktiv me fqinjët, përmes ndërmarrjes së hapave pragmatikë për ndërtimin e besimit dhe zbatimit të reformave të domosdoshme”, u shpreh Presidenti i Këshillit Europian Antonio Costa .

Diplomati i lartë i BE-së përshëndeti përpjekjet e qeverisë në zbatimin e reformave, duke theksuar përparimin në sundimin e ligjit, reformën e administratës publike dhe harmonizimin me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së.

"Qeveria juaj ka treguar përkushtim, ndërsa përparimi i fundit në agjendën reformuese është i rëndësishëm për rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut dhe për shfrytëzimin e përfitimeve nga Plani i Rritjes”, deklaroi Costa. Ai nënvizoi, se BE-ja është investitori më i madh dhe partneri më i rëndësishëm tregtar i vendit, duke paralajmëruar vazhdimin e mbështetjes politike dhe financiare për proceset reformuese.

Mickoski: Kërkojmë parime dhe proces normal, të besueshëm dhe të parashikueshëm

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Hristijan Mickoski përsëriti, se shteti mbetet fuqishëm i përkushtuar ndaj integrimit evropian, por theksoi se procesi duhet të jetë i besueshëm, i parashikueshëm dhe i bazuar në merita. "Ne nuk kërkojmë privilegje, nuk kërkojmë rregulla të lehtësuara dhe nuk kërkojmë asgjë më shumë sesa atë që u takon edhe të tjerëve. Kërkojmë një proces të besueshëm dhe të parashikueshëm, në të cilin reformat, puna dhe obligimet e përmbushura do të vlerësohen realisht”, tha Mickoski.

Ai nënvizoi se qeveria vazhdon me reformat, stabilizimin ekonomik, tërheqjen e investimeve të huaja dhe përmirësimin e shërbimeve publike, por shtoi se tek qytetarët ekziston një ndjenjë zhgënjimi dhe pasigurie për shkak të lëshimeve dhe vonesave shumëvjeçare në procesin eurointegrues. Sipas kryeministrit, integrimi evropian nuk është vetëm çështje politike, por ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e jetës së qytetarëve përmes arsimit më të mirë, shëndetësisë më cilësore, institucioneve më efikase dhe një standardi më të lartë jetese.

"Besoj se dinjiteti, identiteti dhe qëndrueshmëria ndaj parimeve nuk duhet të jenë pengesë për perspektivën evropiane. Ato janë pjesë përbërëse e saj”, është shpreh Mickoski.

Vizita e Costës është pjesë e vizitave në vendet e Ballkanit Perëndimor, në prag të Samitit EU–Western Balkans Summit, i cili do të zhvillohet më 5 qershor në Tivat.

Fatos Musliu Korrespondent i DW nga Shkupi, Maqedonia e Veriut
Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW