1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Argumente të reja për BE

Anila Shuka12 Maj 2006

Kancelarja gjermane, Angela Merkel ka kërkuar të enjten argumente të reja në favor të BE-së. Ndërsa në kohën e Luftës së Ftohtë, Bashkimi Evropian ishte alternativë superiore ndaj diktaturave të bllokut të lindjes, tani kur liria ka ngadhnjyer vihet re nevoja për të riformuluar përparësitë e Bashkimit Evropian.

Angela Merkel
Angela MerkelFotografi: AP

Realizimi i interesave të përbashkëta është njëra prej tyre. "Me 415 milionë njerëz në BE mund të ushtrojmë ndikim ndaj rregullave të tregtisë botërore, asnjëherë nuk do të mund të arrinim suksesin në protokollin e Kyotos, në qoftë se nuk do të ishim të bashkuar," – tha Merkel mes të tjerash.

Kancelarja e mbrojti idenë e paktit të stabilitetit ekonomiko financiar dhe tha, se qeveria e saj ka vënë prioritet moslëndimin e mëtejshëm të tij. Gjithashtu ajo u pozicionua pro kushtetutës evropiane, por u shpreh për të mos e shtruar atë menjëherë në rendin e ditës.

Evropës i duhen kufij të përcaktuar

Zgjerimi i mëtejshëm me Bullgarinë dhe Rumaninë është i sigurtë, la të nënkuptonte kancelarja gjermane. Por ajo kërkoi nga Komisioni Evropian që të përmendë edhe mangësitë e këtyre vendeve, si edhe propozimet që duhen për mënjanimin këtyre mangësive. "Në se nuk i njohim mangësitë, nuk mund t’i ndihmojmë ato," – theksoi Merkel më tej.

"Negociatat e anëtarësimit nuk janë rrugë pa kthim." - vuri në dukje Merkel, duke përmendur në këtë kontekst Turqinë dhe Kroacinë. Kancelarja përshëndeti shprehimisht ndërprerjen e bisedimeve për marrëveshjen e Asociim Stabilizimit me unionin Serbi Mali i Zi: "Sinjale të tilla janë të qarta, negociatat nuk mund të vazhdohen me çdo kusht, edhe në qoftë se nuk plotësohen kushtet e vëna nga BE-ja."

Jo çdo vend që dëshiron të hyjë në BE- do të mund të bëhet antar, tha Merkel më tej duke shtuar se Evropa ka nevojë për kufij, përndryshe nuk do të jetë në gjendje të veprojë me vendosmëri.

Në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm Gjermania do të marrë në dorë presidencën e radhës së Bashkimit Evropian.

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW