Arkitekturë impresionuese! Një fabrikë gjermane në listën e UNESCO-s
30 Qershor 2011
Për më shumë se 100 vjet, fabrika „Fagus“ ka qenë një qendër prodhimi për shumë modele bazë. Tani OKB ka vendosur që të njohë fabrikën në Gjermaninë Qendrore, si një kryevepër të arkitekturës botërore. Me një përbërje masive prej çeliku dhe qelqi, ndërtesa e dizenjuar nga arkitekti nga Bauhaus, i mirënjohuri Walter Gropius, tani është bërë vepra më e fundit në Gjermani, që fiton mbrojtjen si pasuri e UNESCO-s.
Organizata kulturore e Kombeve të Bashkuara, njoftoi se fabrika „Fagus“, që ndodhet në qytezën e Alfeldit, do t´i bashkohet listës së trashëgimisë, në të cilën bëjnë pjesë edhe struktura të tilla si Piramida e Gizës, apo Statuja e Lirisë.
Fagus - Pikë kthese e arkitekturës moderne
Fabrika e veçantë, që është ndërtuar prej vitit 1911 deri 1925, është „një pikë kthese në zhvillimin e arkitekturës moderne dhe dizajnit industrial“ tha UNESCO në një deklaratë për shtyp. Aty thuhej gjithashtu, se kompleksi „Fagus“ që ende prodhon modele bazë për kompanitë e këpucëve, „ka eklipsuar punën e shkollës së Bauhaus dhe është një piedestal në zhvillimin e arkitekturës në Europë dhe Amerikën e veriut“.
Johanna Wanka, ministrja e Kulturës për Saksoninë e Poshtme e ka pritur me mjaft gëzim lajmin. „100 vjet më parë, nisi koha e stilit Bauhaus. Tani shohim që i gjithë rajoni po përfiton nga ruajtja e kësaj ndërtese historike“ tha Wanka. Gropius, që në vitin 1919, krijoi shkollën e njohur të arkitekturës, Bauhaus, mjaft influente në Gjermaninë para luftës, konsiderohet një prej pionerëve të arkitekturës moderne.
Autor: David Levitz/Aurel Boriçi
Redaktoi: Lindita Arapi