1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Armë ruse për talebanët?

Wesley Rahn
8 Maj 2017

Rusia do të luajë një rol më të fuqishëm për një zgjidhjeje paqësore për Afganistanin. Ky rol përfshin dhe shitjen e kufizuar të armëve për talebanët, gjë që zgjon mosbesimin e SHBA-së.

Afghanistan Sicherheitskräfte in der Provinz Ghazni
Fotografi: Imago/Xinhua

Nisur nga situata kërcënuese e sigurisë në Afganistan, Presidenti amerikan Trump ndoshta së shpejti do të miratojë shtimin e trupave amerikane në këtë vend me 3,000 deri në 5,000 ushtarë shtesë. Aktualisht në kuadrin e misionit "Resolute Support"  në Afganistan gjenden për konsulenca dhe trajnime 8,400 ushtarë amerikan si dhe 5.000 ushtarë të NATO-s. Kohët e fundit SHBA-ja ka dërguar 300 marinsa në provincën jugore të Helmandit, prej nga kishin tërhequr tre vjet më parë. Ata janë atje kryesisht për të mbështetur si trajnerë ushtrinë afgane në luftën kundër kryengritësve.

Në periudhën e kalimit të presidencës nga Obama tek Trumpi Moska u mundua të ndërmerrte nisma individuale në Afganistan, duke organizuar disa konferenca rajonale edhe me pjesëmarrjen e Pakistanit, Indisë apo Kinës. Moska po përpiqet të pozicionohet si ndërmjetësuese për paqen.

SHBA-ja e shqetësuar

Amerikanët janë nga natyra dyshues lidhur me planet e Rusisë në Afganistan. Shqetësim shkaktojnë sidomos furnizimet me armë që dyshohet se Rusia u bën talebanëve. Ministri amerikan i Mbrojtjes Mattis shprehu në fund të prillit gjatë një vizite të papritur në Kabul "shqetësimin e tij të thellë" lidhur me njoftimet se Rusia i furnizon talebanët me armë.

Fotografi: Getty Images/AFP/F. Usyan

Pyetja është sa janë të vërteta lajmet lidhur me furnizimet e supozuara ruse me armë për talebanët? Seth Jones, drejtor i Qendrës për Politikën e Sigurisë dhe të Mbrojtjes në think tank RAND Corporation, duke u bazuar tek të dhënat e Pentagonit tha për DW-në se është i bindur se deklaratat nga punonjës të Ministrisë së Mbrojtjes bazohen në informata të besueshme. "Deklaratat e tilla, sidomos nëse ato bëhen publikisht nga zyrtarë të lartë të qeverisë duhet të jenë kontrolluar më parë nga shërbimet sekrete, duke përdorur të gjitha burimet e mundshme", tha Jones për DW-në. Çdo gjë tjetër do të ishte "e pazakontë dhe për të ardhur keq."

Jo armë të mëdha

Nga ana tjetër eksperti tha se Rusia nuk duhet konsideruar shpejt si furnizuese e rëndësishme armësh për talebanët: "Talebanët marrin armë dhe mbështetje të tjera nga një numër burimesh të ndryshme, ndër to dhe qeveritare dhe joqeveritare. Në këtë kontekst armatimet apo pajisjet e tjera ruse duhet të jenë shumë të kufizuara." Jones shtoi se beson se Rusia i furnizon talebanët më shumë me armë të vogla.

Fotografi: Getty Images/AFP/SS Mirza

Sipas Seth Jones shkaku për angazhimin rus në Afganistan duhet të jetë shqetësimi për gjendjen e sigurisë në pjesën jugore të vendit. Që prej shfaqjes së IS-it në Afganistan në vitin 2014 Moska ka frikë nga një infektim i mundshëm në jug të vendit.

Meqë talibanët kanë qenë të sukseshëm në spastrimin e jugut të Afganistanit prej IS-it dhe luftojnë vazhdimisht kundër tij, Moska i sheh ata si aleatë të mundshëm, mendon Seth Jones. Sipas tij ndoshta Rusia mendon se mund e të duhet të kooperojë me talibanët, në rast se SHBA, NATO dhe qeveria afgane nuk arrijnë ta stabilizojnë vendin. Por as Kabuli nuk është i bindur për rolin e Moskës si ndërmjetësuese. Një këshilltar i presidentit afgan Ghani tha së fundi në Uashington, se "është gabim i madh që të dallosh mes terroristëve të mirë dhe të këqinj."