Armëpushim në Sudan: Vazhdojnë intensivisht evakuimet
25 Prill 2023Natën e së martës ka filluar një armëpushim 72 orësh mes palëve në konflikt në Sudan. Nuk janë bërë të ditur shkëmbime të mëdha zjarri, por për shkak se armpëushimet e fundit nuk janë respektuar ka dyshime nëse ai do të jetë i qëndrueshëm.
Sekretari i Departamentit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken e bëri të ditur armëpushimin. Të hënën Blinken ishte shprehur, se forcat e armatosura sudaneze dhe forcat paramilitare rivalizuese, Rapid Support Forces, RSF kishin rënë në ujdi për një armëpushim 72 orësh në të gjithë vendin. RSF e konfirmoi armëpushimin dhe bëri të ditur krijimin e korridoreve humanitare për t'u mundësuar civilëve qasjen në kujdesin shëndetësor dhe zonat e mbrojtura si edhe evakuimin e diplomatëve të huaj. Edhe më parë ka pasur njoftime për armpushim, por ato nuk janë respektuar. Luftimet ndërprenë edhe një armëpushim gjatë festimeve të Ditës së Fiter Bajramit.
Bundeswehri drejton fluturimet ndërkombëtare të evakuimit
Në një kohë që të hënën vazhdonin luftime të ashpra mes palëve në konflikt, evakuimet kanë vazhduar. Gjermania ka marrë aktualisht nga Franca përgjegjësinë për koordinimin e fluturimeve të evakuimit. Bundeswehr është tani përgjegjës për lëvizjet e fluturimit, tha një zëdhënës i komandos së drejtimit të misionit. Bëhet fjalë për rregullimin e kohës së fluturimit dhe funksionimin në aeroportin ushtarak të Khartumit. Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius bëri fjalë për "një sukses vërtet të madh në një kohë të shkurtër" dhe shikon të konfirmuar besimin e tij tek trupa gjermane. Aviacioni luftarak gjerman ka evakuuar rreth 500 vetë, përfshirë edhe evakuimin e 100 personave të tjerë të martën.
Disa shtete perëndimore filluan në fundjavë me evakuiimin e qytetarëve të tyre dhe të huajve të tjerë nga Sudani. Franca praktikisht e ka përmbyllur misionin e evakuiimit. Sipas të dhënave të të ngarkuarit të BE për politikën e jashtme, Josep Borrell deri të hënën pasdite ishin evakuuar 1000 qytetarë, priten ende të tjerë. Sipas Ministrisë së Jashtme gjermane ende ka qytetarë gjermanë në Sudan. Numri i tyre nuk dihet saktë, "për shkak se disa nuk mund t'i arrijmë përmes telefonit në këtë moment", tha një zëdhënës i ministrisë.
SHBA angazhohen për fundin e luftimeve
Drejtori i komunikimit të Këshillit Kombëtar të Sigurisë, John Kirby tha për televizionin, CNN, se që nga fillimi i luftimeve ka pasur një kontakt të ngushtë me drejtuesit e të dy palëve në konflikt për të arritur një armëpushim të qëndrueshëm. Tani duhet që armëpushimi aktual të respektohet. Kurse Sekretari Amerikan i Shtetit, Blinken tha se për të arritur një paqe të qëndrueshme, SHBA duan të koordinojnë qëndrimet me partnerët rajonalë dhe ndërkombëtarë si edhe palët në Sudan- Pritet krijimi i një komisioni që do të merret me negociatat për fundin e luftimeve dhe mbikqyrjen e tyre. Edhe Këshilli i Sigurimit të OKB-së në një seancë urgjente do të konsultohet për gjendjen në Sudan të martën në mbrëmje.
la/ag