1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

L.Armstrong dorëzohet

Bahri Cani (dpa)24 Gusht 2012

Legjenda e çiklizmit, amerikani Lance Armstrong gjendet para humbjes së shtatë titujve të garës më të njohur të çiklizmit në botë, Tour de France dhe përjashtimit përgjithnjë nga ky sport.

Lance Armstrong
Fotografi: picture-alliance/dpa

Vendimi për mundësinë që Lance Armstrong të humbasë shtatë titujt e fituar në Tour de France u bë i ditur nga Agjencia për luftë kundër dopingut, USADA. Armstrong më parë deklaroi se nuk do të vazhdojë mbrojtjen nga akuzat për doping, të shpeshtuara vitet e fundit .

"I gjithë procesi ka pasur një çmim tepër të lartë për mua dhe familjen time", tha ai duke shtuar se "nuk do të marrë pjesë në një proces të padrejtë".

Prej kohësh në qendër të akuzave

Armstrong po përballet prej kohësh me akuza se ka marrë doping dhe në këtë mënyrë ka dominuar me vite garën më të njohur në çiklizëm. Në asnjë test nuk është dëshmuar se ai me të vërtetë ka marrë doping. Por autoritetet pohojnë se kanë siguruar më shumë se dhjetë dëshmitarë që dëshmojnë të kundërtën. Ndër ata të cilët pohojnë se "dominatori" në çiklizëm ka marrë substanca të palejueshme janë edhe disa ish-kolegë nga ekipi i tij i dikurshëm.

Çfarë do të ndodhë me titujt?

Lance ArmstrongFotografi: dapd

Armstrong ka dominuar këtë garë në periudhën prej vitit 1999 deri më 2005. Pas "dorëzimit të tij", shtrohet pyetja se çfarë do të ndodhë me titujt e fituar?Kjo pyetje në veçanti është e rëndësishme për çiklistin gjerman, Jan Ullrich (edhe ai ka pasur probleme të mëdha me doping) i cili në vitin 2000, 2001 dhe 2003 ishte i dyti pas Armstrongut. Ndërkohë që në vitin 2004 i dyti ishte gjermani tjetër Andreas Klöden.

Ekspertët janë të mendimit se shanset e tyre janë shumë minimale, që pas kaq shumë vitesh të shpallen fitues. Nëse respektohen rregullat e mëparshme, sipas të cilave akuzat vjetërohen pas tetë vitesh, si në rastin e çiklistit  Bjarne Riis, Armstrongut i rrezikohet vetëm titulli i fundit. Por shanset teorike për dy gjermanët ende ekzistojnë.