Arratiset bashkëpunëtori i helmetgjelbërve
4 Shtator 2013Në një moment të qetë, kur roja e tij me sa duket po flinte, 72-vjeçari Ziad Nuri arriti të hapë një derë dhe të arratiset. Pasi eci disa në orë në këmbë, ai arriti në fshatin e vogël Darkush në kufirin turk.
Atje rebelët lokalë e ndihmuan atë që përmes kufirit të kalojë në Turqinë jugore, ku ai mbërriti të martën në mëngjes. Kështu njoftoi thelemuesi i organizatës humanitare "Helmetgjelbërit" Rupert Neudeck në një intervistë dhënë një gazete gjermane. Makthi tani mori fund, tha Neudeck.
Përveç kësaj Neudeck u shpreh i gëzuar se për lirimin e pengjeve nuk janë paguar të holla, edhe pse rrëmbyesit kishin kërkuar 25 milionë euro. Pas një bisede telefonike me të arratisurin supozojmë se ai është në gjendje të mirë. "Zëri tij tingëlonte stabil", sqaroi Neudeck.
Neudeck falënderon autoritetet gjermane
Inxhinieri me origjinë siriane dhe dy kolegët e tij gjermanë janë rrëmbyer në natën e 15 majit në qytetin Harem në veriperëndim të rajonit Idlib. Ata ishin duke kontribuar ndër të tjera në ndërtimin e një spitali.
Të dy gjermanët e tjerë kishin arritur të arratisen qysh në fillim të korrikut nga vendi, ku ishin dërguar nga pengmarrësit. "Helmetgjelbërit" janë themeluar në vitin 2003 nga Rupert Neudeck si organizatë humanitare e myslimanëve dhe e krishterëve të rinj.
Organizata, e cila e ka selinë në Troisdorf afër Bonit angazhohet në mbarë botën për rindërtimin e rajoneve të krizës. Të martën Neudeck falënderoi Zyrën Federale të Kriminalistikës dhe stafin e Shtabit të krizës në Ministrinë e Jashtme për mbështetjen e dhënë gjatë kohës që bashkëpunëtorët e tij janë mbajtur peng në Siri.