Arrestime për korrupsion në Kinë
15 Korrik 2013Edhe përpara se kryetari i shtetit dhe i partisë, Xi Jingping të merrte në mars të vitit 2013 timonin për vendin me popullatën më të madhe të botës, atë e cituan me fjalët, se lufta kundër korrupsionit, në fund të fundit ka të bëjë me vetë ekzistencën e Partisë Komuniste të Kinës. Tani, qeveria e re e Pekinit po tregon qëndrime të ashpra kundër kuadrove të korruptuara. Pikërisht javën e fundit, ministrin e Hekurudhave e dënuan me vdekje me kusht, për shkak të marrjes së ryshfeteve.
Por edhe ana tjetër, që u ka lyer rrotën funksionarëve, duhet të përgatitet për një stil më të ashpër të autoriteteve kineze. Të hënën u arrestuan katër menaxherë kryesorë kinezë të koncernit farmaceutik britanik, GlaxoSmithKline (GSK). Veç kësaj, hetuesit kinezë e shtuan presionin ndaj sipërmarrjeve me anë të publikimit të detajeve pikante. Sipas tyre, GSK besohet se me një rrjet zyrash udhëtimi dhe firmash të konsulencës u ka dhënë ryshfet në një masë të madhe mjekëve dhe përfaqësuesve të institucioneve, për të rritur qarkullimin e mallit dhe për të ngritur çmimet e medikamenteve.
Hetime i presin edhe firma të tjera
Gao Feng, i cili në Ministrinë e Sigurisë është përgjegjës për hetimet në çështjet ekonomike, foli për një partneritet kriminel midis GSK dhe zyrave të udhëtimit. Që prej vitit 2007, GSK u ka përcjellë këtyre sipërmarrjeve 375 milionë euro. "Kemi shkaqe të mjaftueshme për faktin që këto transferta parash kanë qenë ilegale", thotë Gao.
GSK u tregua "shumë e shqetësuar" nga akuzat dhe dha siguri se do të bashkëpunojë ngushtë me autoritetet kineze. Zyrat e prekura të udhëtimeve nuk do të përdoren më dhe do të verifikohen të gjitha marrëdhëniet e biznesit me agjencitë e ndryshme.
Industria ndërkombëtare farmaceutike mendohet se do ta ndjekë me vëmendje këtë rast. Kryehetuesi Gao tha se policia, në hetimet për GSK zbuloi përcjellje të ngjashme parash të prodhuesve të tjerë të medikamenteve.