1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Arroganca e Rusisë ndaj Perëndimit

22 Shkurt 2022

Njohja e territoreve separatiste nga Putini shuan gjasat për samite diplomatike. BE dhe SHBA reagojnë me sanksione ndaj lëvizjes së fundit nga Moska.

Russland Präsident Putin Dekret zu abtrünnigen Regionen in Ost-Ukraine
Fotografi: Alexey Nikolsky/Kremlin/SPUTNIK/REUTERS

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin i njohu dy rajonet e pretenduara prej separatistëve në lindje të Ukrainës – duke kaluar kësisoj vijën e kuqe, sipas këndvështrimit të Bashkimit Europian (BE) dhe NATO-s. Pasi Putini nënshkroi dekretin për njohjen si „Republika Popullore" të rajoneve „Donjeck" dhe „Luhansk" duke e deklaruar këtë në një fjalim në televizion, në mbrëmje BE deklaroi në Bruksel vendosjen e sanksioneve të reja ndaj personave dhe institucioneve ruse.

Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, dhe presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, deklaruan, se Putini me këtë hap shkel të drejtën ndërkombëtare dhe Marrëveshjen e Minskut, që parashikonte procesin e paqes mes Ukrainës dhe separatistëve. "Unioni do të reagojë me sanksione kundër të gjithëve, që janë të përfshirë në kërë vepër ilegale", thuhet në një deklaratë të krerëve të BE-së. Se çfarë sanksionesh saktësisht do të vendosen, kjo ende nuk u komunikua. Për këtë do të vendosin ambasadorët e përhershëm të vendeve anëtare në Bruksel ose Këshilli i Ministrave.

Një samit nuk ka gjasë të zhvillohet

Me këtë janë zbehur shanset për zgjidhje diplomatike, për të cilën deri të dielën (20.02) dukej se ende kishte një fije shprese. I ngarkuari i BE-së për Politikën e Jashtme, Josep Borrell, deklaroi pas një mbledhjeje që zgjati dhjetë orë në Bruksel me ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare, se ai nuk beson se mund të zhvillohet samiti i parashikuar mes presidentit të SHBA-së dhe atij të Rusisë.

Presidenti francez Emmanuel Macron të dielën (20.02) bisedoi për tri orë në telefon me Vladimir Putinin dhe më pas deklaroi, se ka mundësi për një samit dhe zgjidhje diplomatike të krizës. Nga Kremlini të hënën në mëngjes u tha, se ende nuk ka një plan konkret për një samit. Ministri i Jashtëm i SHBA-së, Anthony Blinken dhe homologu i tij rus, Sergej Lavrov, të enjten ranë dakord për një takim të nivelit të lartë në Gjenevë. Tani nuk ka shpresë as për këtë takim. Përpara një muaji Blinken dhe Lavrov u takuan në Gjenevë, por nuk arritën asnjë rezultat nga bisedimet.

Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba, i cili ishte i ftuar sërish në takimin e ministrave të Jashtëm të BE-së në Bruksel, e pati përshëndetur idenë e këtij samiti. Ai tha, se homologu i tij nga SHBA i pati siguruar, që vendimet nuk do të merren duke anashkaluar Ukrainën. Franca, Gjermania dhe Ukraina patën iniciuar rigjallërimin e formatit të Nordmandisë.

Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock me homologun nga Polonia Zbiegniev Rau dhe të ngarkuarin e BE për Politikën e Jashtme, Josep Borrel në BrukselFotografi: Virginia Mayo/AP/dpa/picture alliance

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock gjatë takimit të ministrave të Jashtëm në Bruksel siguroi, se „ne nuk flasim për Ukrainën, por me Ukrainën". Ne do të përpiqemi me të gjitha mundësitë. "Për këtë arsye telefonojmë papushim me kolegun tonë rus." Ministrja e Jashtme Baerbock bëri të qartë se, me Rusinë mund të flasim për më shumë transparencë, stërvitje ushtarake dhe interesa sigurie, por jo për parimet e marrëveshjeve europiane. Këto marrëveshje përcaktojnë, që secili vend mund të zgjedhë vet se në çfarë aleance do të anëtarësohet, edhe Ukraina ose të tjera ish-republika sovjetike. Baerbock i kërkoi qeverisë ruse direkt: "Kthehuni në tryezën e bisedimeve! Ne po ju presim."

Kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas, në intervistë për DW, u shpreh, që tani BE-ja duhet ta përshpejtojë afrimin e Ukrainës drejt antarësimit. Nëse mbyllet porta e NATO-s, atëherë duhet të hapet edhe më shumë porta e BE-së. "Unë do ta mbështesja, nëse Ukraina merr një sinjal më të fortë europian, një përgjigje më të fortë europiane", tha Kallas.

Diplomacia vazhdon

Megjithatë edhe njohja e Luhanskit dhe Donjeckut ose një ndërhyrje ushtarake nuk do të thonin fundi i diplomacisë, mendon ministri i Jashtëm i Lituanisë, Gabrielius Landsbergis. "Ne nuk duam luftë", tha ai, „portat për diplomaci asnjëherë nuk janë të mbyllura. Edhe nëse bëhet luftë, ka gjithmonë një mundësi për kontakte. Por agresori duhet të tregojë, se është i gatshëm për t'u tërhequr."

 

Bernd Riegert Korrespondent nga Brukseli, me fokus te njerëzit, ngjarjet dhe politikat në BE