1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sa është i nevojshëm mësimi i integruar në Maqedoni

11 Mars 2012

Debat publik me prindërit, studentët, mësuesit dhe pedagogët lidhur me projektin “Arsimi i integruar".

Klasë shkolle në Maqedoni
Klasë shkolle në MaqedoniFotografi: DW/Fatos Musliu

Projekti Arsimi i Integruar në vitin 2010 pësoi fiasko sepse elita politike, edukative e shoqërore refuzoi që gjuha maqedonase, e cila është gjithashtu gjuhë zyrtare, ta mësojnë nxënësit shqiptarë nga klasa e parë. Vendimi u morr në kohën e ministrit të arsimit NikollaTodorov. Me iniciativën e PDSH-së i njëjti dështoi në Gjykatën Kushtetuese me argumentin se ministrit i janë përzier kompetencat e pushtetit legjislativ me atë ekzekutiv. Ndryshe Ligji mbi arsimin prashikon që mësimi në gjuhën maqedonase për fëmijët e pjesëtarëve të komuniteteve të fillojë që nga klasa e katërt.

Përmirësimi i komunikimit mes bashkësive etnike

Pas vizitës që Komisioneri i Lartë OSBE-së për Pakicat Kombëtare Knut Volebek ia bëri Maqedonisë ku zhvilloi bisedime me zyrtarë të lartë dhe partitë politike, Deutsche Welle iu drejtua misionit të OSBE-së me disa pyetje lidhur mbi çështjen e “Arsimit të integruar”.

Në pjesën e Strategjisë lidhur me gjuhën ka keqkuptime të konsiderueshme të cilat po zgjasin një kohë të gjatë. Për fat të keq, tek arsimi i integruar është kontestuar vetëm tema e gjuhës si dhe mosha e fëmijve, se kur duhet të fillojnë ata ta mësojnë gjuhën maqedonase. Nëse lexohet me kujdes, strategjia nuk thotë se gjuha maqedonase duhet të futet në klasën e parë, por duhet futur në fazën e parë të arsimit fillor. Kjo temë duhet të diskutohet më tej, duke marrë parasysh se aktualisht nuk ka ndonjë konsensus'', thonë nga OSBE-ja duke potencuar më tej: "Kjo nuk do të thotë se gjuha nuk është e rëndësishme. Megjithatë, rrjedhja e mësimit, statusi i mësimdhënësve, cilësia e teksteve shkollore, mjedisi ku fëmijët mësojnë janë gjërat që ndikojnë në procesin arsimor. Të gjitha janë njësoj të rëndësishme. Nuk është me rëndësi vetëm ajo se nga cila moshë do të mësohet gjuha apo lënda për të cilën po diskutojmë."

Duhet të merret parasysh konteksti i plotë dhe pikërisht kjo e bën e bën strategjinë për “Arsim të integruar”, që e analizon edukimin në tërësi dhe lejon bashkëveprimin dhe mirëkuptimin e ndërsjellë në të gjitha pjesët.

Këtu përfshihen librat që duhet të reflektojnë multietnicitetin, trajnimet për mësuesit për të zbatuar arsimin e integruar, administrata e shkollës që duhet ta rrisë kapacitetin për t'u marrë me tensionet ndëretnike. Gjithashtu ekspertiza dhe përvoja e projekteve të zbatuara nga shoqëria civile për të ndihmuar në strukturimin e strategjisë së qeverisë në afat më të gjatë, theksojnë nga ana e OSBE-së.

Prezantimi i kujdesshëm i gjuhës maqedonase

Si do të realizohet projekti për “Arsim të integruar” në Maqedoni? OSBE-ja me shpjegim: "Është e rëndësishme se masat që dalin nga plani i zbatimit do tu shpjegohet atyre që do ta implementojnë projektin por edhe opinionit të gjërë, duke filluar nga koncepti për mësim të integruar.

Kjo nuk do të të thotë asimilim. Kjo do të thotë promovim i bashkëveprimit dhe mirëkuptimit në mes bashkësive etnike në një mënyrë që të respektohen të drejtat e tyre për të ruajtur identitetin e tyre, por në të njëjëtën kohë edhe pengon politikat që çojnë në ndarje.

Kur ne flasim për ngritjen e vetëdijes së “Arsimit të integruar” është shumë e rëndësishme që të gjitha palët të përfshihen në proces, të involvohen, prindërit, nxënësit, mësuesit por edhe autoritetet lokale'', sqarojnë nga OSBE-ja.

Sipas deklaratave në media nga Zyra për Zhvillimin e Arsimit, rekomandimi i Komisionerit të Lartë të OSBE-së Knut Volebek është zbatimi i kujdesshëm i gjuhës maqedonase tek komunitetet pakicë pa afate të caktuara.''

Ministria e Arsimit dhe Shkencës informoi se në pjesën e strategjisë lidhur me gjuhën, tendenca është për të futur një lëndë fakultative në gjuhën e nacionaliteteve të ndryshme në klasën e parë, të dytë apo të tretë. Këshilli për prindërit duhet të vendosë nga cila klasë dhe cilën gjuhë do ta mësojnë fëmijët e tyre, por nuk ka ndonjë datë specifike se kur duhet të fillojë zbatimi kësaj mase.

Është e nevojshme për përfshirjen e qytetarëve

Për çështjen e Arsimit të integruar në Maqedoni, ekspertja e pavarur Mirjana Najçevska nga Instituti për Hulumtime Sociologjike dhe ligjore për Deutsche Wellen shpjegon: "Arsimi i integruar” është dashur moti kohë të zbatohej në Republikën e Maqedonisë. Çfarë mua më frikëson është se shumë nga këto ide vijnë nga jashtë apo brenda të cilat janë pranuar dhe fillojnë të zbatohen, pa e bërë analizën e duhur të situatës konkrete. Ato zbatohen pa i shqyrtuar dhe vlerësuar parametrat aktual të marrëdhënieve ndëretnike dhe pa marrë parasysh të gjitha elementet pozitive apo negative me të cilat ne mund të përballemi në zbatimin e kësaj ideje.

Kështu që unë mendoj se ka nevojë për një analizë më të thellë dhe një qasje shumë profesionale në zhvillimin e idesë. Gjithashtu është e nevojshme edhe përfshirja e qytetarëve në ndërtimin e një sistemi që do të kishte futur “Arsimin e integruar” në shkolla, respektivisht përfaqësim sa më të madh të qytetarëve në ndërtimin e sistemit në tërësi. Çdo zbatim i menjëhershëm i ideve të tilla mund të jetë kundërproduktiv me efekte negative,duke shkatërruar anën pozitive të idesë.

Në çdo rast duhet të ketë një “Arsim të integruar” dhe në këtë mënyrë qytetarët duhet të kenë pjesëmarrje më të madhe në ndërtimin e sistemit, gjithashtu duhet të gjenden edhe modalitete kohore e përmbajtësore që do të përputhen më mirë me Maqedoninë'', vlerëson profesor Najçevska.

Përndryshe komunitetet pakicë gjuhën maqedonase e kanë mësuar nga klasa e parë në periudhën nga viti 1983 deri në vitin 1995. Në vitin 1996, pas 12 viteve të plota është vendosur që pjesëtarët e bashkësive etnike gjuhën maqedonase ta mësojnë nga klasa e tretë.

Në këtë moment Maqedonia është na fazën fillestare për mësimin e gjuhës së njëri-tjetrit. Nxënësit shqiptarë janë të obliguar që në mësimin nëntëvjeçar gjuhën maqedonase ta mësojnë nga klasa e katërt, ndërsa nxënësit maqedonas ta mësojnë gjuhën shqipe si lëndë fakultative nga klasa e gjashtë.
 

Shkollë në ShkupFotografi: DW
Shkollë në Niko NestorFotografi: Petr Stojanovski

Autor: Antoanella Dimitrieska/Qeriman Bekteshi

Redaktoi: Aida Cama