1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Art dhe dashuri në perëndim të Lajpcigut

Manuela Heim / Pandeli Pani13 Janar 2014

Aty ku dikur gjendej fabrika e trikotazhit apo objekte të tjera industriale sot ka atelie, salla kinemaje, dyqani arti dhe oferta gjithëfarësoji.

Fotografi: DW/M.West-Davies

"Arti dhe dashuria nuk mund të blihen." Për shumë vite kjo thënie lexohej tek një nga muret e vjetra me tulla të ndërmarrjes së trikotazhit. Tani ajo është venitur. Në perëndim të Lajpcigut gjendej dikur fabrika e trikotazhit në një sipërfaqje prej gjashtë hektarë. Aty punonin rreth katërmijë punëtorë. Pas rënies së Murit të Berlinit në vitin 1989 fabrika u mbyll dhe muret e reparteve të prodhimit filluan të shkatërrohen. Por tani ky ansambël është restauruar dhe është shndërruar në kompleksin kulturor Westkultur, që e ka marrë emrin pozicioni gjeografik i kësaj lagjeje, pra në perëndim të qytetit të Lajpcigut.

Dje reparte fabrikash, sot atelie

Vetëm disa vjet pas rënies së Murit të Berlinit objektet e dikurshme industriale të fabrikës së trikotazhit (Die Spinnerei) u kthyen në strehë për artistët, tregtarët e artit dhe artizanët. Sot veprat e disa prej artistëve të Shkollës së Re të Lajpcigut shiten shumë shtrenjtë. "Një vepër si kjo e Neo Rauch kushton rreth gjysmë milioni", thotë një punonjëse e galerisë Eigen + Art. Piktori Neo Rausch është ylli i ri i skenës së artit në Lajpcig dhe një nga themeluesit e Shkollës së Re të Lajpcigut.

Çdo vit në Lajpcig vijnë mijëra koleksionistë dhe të apasionuar pas artit për të blerë piktura dhe vepra të tjera. Për këtë arsye qiratë në këtë kompleks ndërtesash janë bërë gjatë viteve të përballueshme për të gjithë artistët. Për këtë arsye skena e pavarur kulturore është zhvendosur në pjesën tjetër perëndimore, kryesisht në rrugën Karl-Heine-Strasse.

Rrugë me vizione

Para disa vitesh rruga Karl-Heine-Straße qe si e vdekur. Xhamat e vitrinave të dyqaneve bosh qenë pis dhe ndërtesat karakteristike të perudhës vilhelmiane qenë në rrezik të shembeshin. Tani që kanë ardhur artistët pamja është krejt e ndryshme. Shtëpitë janë restauruar dhe në këtë lagje ka shumë studio, atelie dhe ambiente kulturore. Pronarët e shtëpive të kësaj zone ua vunë ato në dispozicion artistëve, muzikantëve dhe aktivistëve që i dhanë sërish jetë kësaj lagjeje.

Fotografi: cc-by-nc-sa3.0/guillermogg
Neo Rauch dhe Rosa LoyFotografi: picture-alliance/dpa

Rruga mban emrin e industrialistit Karl Heine, i cili në shekullin e XIX ëndërronte që lagja e tij të lidhej me botën e madhe përmes anijeve. Për këtë ai hapi edhe një kanal, i cili mban gjithashtu emrin e tj, dhe që e lidhte lagjen e tij me lumin Elsteri i Bardhë që kalon në Lajpcig. Ende sot aty gjendet anija Weltfrieden me të cilën gjatë verës mund të bësh një shëtitje nëpër kanalet që përshkojnë qytetin.

Mesazhe me llampa neoni

Pak më tej gjendet stalla e kuajve të pajtoneve të dikushme të qytetit. Sot në ambientet e saj njerëzit luajnë ping-pong, kërcejnë deri në orët e hershme të mëngjesit nën tingujt e elektrobeat. Në disa nga ndërtesat e kësaj zone janë vendosur mesazhe me llampa neoni. Në një fasadë sheh me drita të kuqe fjalën "Dashuri", në murin e një kishe të vjetër lexon fjalën "Ngushëllim", kurse në fasadën e një mejhaneje fjalën "Merak".


Në një nga rrugicat e kësaj zone gjendet një dyqan që riparon biçikleta. Ai të kujton një dhomë ndënjeje dhe era ngjitëses së gomave, tymi i duhanit dhe aroma e birrës së ftohtë përzihen me tingujt e muzikës elektronike eksperimentale. Dyqani quhet "Doktor Çudia".

Karl Marksi mes kutive të konservave

Rreth 20 metra më tej gjendet teatri Lindenfels, një nga pionerët e Westkultur. Aty nuk vihen në skenë vetëm pjesë teatrale, por shfaqen edhe filma dokumentarë. Në këtë ndërtesë gjendet edhe një sallë ballosh mbi derën e së cilës shkruhet "Kush hyn brenda, duhet të kërcejë!" Këtu organizohen rregullisht koncerte dhe lexime letrare.
Në cep të rrugës gjendet Libraria Popullore. Aty shiten libra të vjetër, pllaka gramafoni, revista por edhe kuti konservash nga koha e Republikës Demokratike Gjermane. Kur e pyesim shitësin nëse ka ndonjë libër nga Karl Marksi ai shkon drejt një rafti dhe vjen me një kopje të komentuar të Kapitalit në dorë, shtypur në RDGJ.

500 metra më tej gjendet parku Clara-Zetkin. Mes pemëve dhe skulpturave të ëngjëjve po puthet gjatë një çift të dashuruarish dhe sërish të shkon në mendje se diku nëpër park mund të shohësh sërish të shkruar shprehjen: "Arti dhe dashuria nuk mund të blihen."

Fotografi: DW/M.West-Davies