Arti tejkalon politikën - Bashkëpunimi i artistëve të rinj në Ballkan
27 Nëntor 2010
Për një javë krijues nga Ballkani në gjini të ndryshme të arteve figurative u organizuan në një koloni artistësh, e para në Shqipëri. Ideja e një kolonie arti me artistë të rinj nga vende të ndryshme të rajonit dhe më gjerë nuk është e re. Ajo u realizua për herë të parë në vitin 1996 në Maqedoni. Organizatorja e Kolonisë së sivjetme të artistëve në Tiranë, piktorja Jona Dividi, atëhere ishtë një vajzë e vogël, që mori me pjesë në koloninë e parë të artistëve në Maqedoni.
"Kam, qënë rreth 12- 13 vjeç. Ishim tre fëmijë në rrethin jashtëshkollor të pikturës, që u përzgjodhëm për të përfaqësuar talentet e reja të Shqipërisë në koloninë e artistëve në Maqedoni. Atëhere krijova një peisazh nga qyteti i Manastirit , me shtëpitë e tij të vjetra, karakteristike"
- thotëJona Dividi.Ky ishte momenti ku lindi ëndrra e Jonës, që një ditë të kishte një koloni artistësh nga Ballkani në vendin e saj. Ajo që përjetoi në Maqedoni, do të mbetej një magnet i fuqishëm që do ta çonte Jona Dividin të merrte pjesë në koloni të tjera artistësh të rinj në Kosovë, Bosnjë, Bullgari, Kroaci, Turqi, Itali, Francë. Por jo në Shqipëri.
Për herë të parë në Shqipëri
Do të kalonin 14 vjet që Jona Dividi, tani pedagoge e pikturës në Akademinë e Arteve të Bukura të realizonte sivjet, për herë të parë Koloninë e artit 2010, në Tiranë. Bashkëpunimi dhe njohja e ndërsjelltë e artistëve mbetet shtysa e fortë, që artistët e rinj nga Ballkani të pranojnë ftesën e saj për të qëndruar së bashku një javë në Tiranë, duke krijuar punime artistike dhe organizuar me to një ekspozitë artistësh, që ndodhen dhe krijojnë për një javë në të njëjtin mjedis.
"Mblidhen artistët dhe bashkëpunojnë me njëri tjetrin. Në 'Koloni artistësh 2010', bazë ka qenë Tirana dhe rrethinat e saj. Por shkuam edhe në Patok, nga ku u frymëzuan pejsazhe interesante nga pikpamja e shprehjes artistike. Secili prej nesh vjen nga një akademi arti, ka bazën e vet artistike. Me vlerë ka qenë bashkëpunimi dhe kombinimi i artistëve dhe krijimeve të ndryshme artistike"
, vë në dukje Jona.Teknika artistike origjinale, simbolika universale
Amela Ajanoviç vjen nga Sarajeva në " Koloninë artistike 2010" të Tiranës. Ajo krijon në gjininë e grafikës në një mënyrë mjaft origjinale: përdor pambukun, të cilit i jep ngjyrat dhe format që dëshiron. Në ekspozitën e punimeve të artistëve nga Ballkani, që kurorëzoi një javë qëndrimi dhe pune artistike në Tiranë, ajo është paraqitur me një pikturë që paraqet rrathë.
"Për mua rrathët janë një element figuracioni, që simbolizon kozmosin, një lëvizje që ende nuk ka përfunduar, nuk është kryer. Rrathët më sjellin ndërmend miqtë, artistët e kësaj kolonie në Tiranë. Ashtu si rrathët edhe miqësia jonë nuk përfundon dhe do të zgjasë për gjithmonë. Kjo koloni artistësh nuk është diçka, që sapo e kam njohur por një formacion artistik me një traditë më se dhjetëvjeçare dhe jam e lumtur, që jam pjesë e saj ", thotë Amela Ajanoviç.
Slavenka Gançeva vjen nga Sofia, kryeqyteti bullgar. Ajo merret me punime artistike në qeramikë por edhe lëvron peisazhin me teknikën e akrilikut. Në ekspozitën e Kolonia e artitit 2010, ajo është paraqitur me tri punime.
"Janë tre peisazhe nga Patoku, afër Laçit, ku kam ndërthurtur teknikën e qeramikës me ngjyrat në akrilik. Dëshira për të njohur dhe bashkëpunuar me artistë të tjerë më solli në Tiranë. Jam ed ashuruar me Tiranën" - thotë Slavenka Gançeva.
Arti tejkalon politikën
Hajrush Fazlliu, pedagog i pikturës në Universitetin e Prishtinës dhe pjesëmarres në 'Koloninë e artistëve Tirana 2010', e konsideron aktivitetin në Tiranë një simbol të realitetit të sotëm në Ballkan, ku konfliktet kanë mbetur në të shkuarën dhe i kanë lënë vendin bashkëpunimit.
"Gjatë ditëve që kaluam në Shqipëri, pamë një Ballkan që bashkëpunon, një brez që aspiron Evropën"
- thotë Hajrush Fazlliu.Bashkëpunimi rajonal është një nga parakushtet e BE-së, që ai t’i hapë Ballkanit derën e shtëpisë europiane. Duket se atë që politika synon, arti e arrin me gjuhën e tij universale, përmes së cilës realizon konkretisht dhe lehtësisht bashkëpunimin dhe njohjen e ndërsjelltë, mes popujve të Ballkanit.
Autore: Ani Ruci / Tiranë
Redaktoi: Eliana Xhani