Artistët e avangardës dhe Lufta e parë Botërore
10 Nëntor 2013"Vitet e Luftës Botërore janë si vende të zbrazëta, ku duket sikur artistet kanë pushuar së punuari." Gjë që nuk është e vërtetë, sepse një pjesë e tyre kanë qenë shumë produktivë", thekson Angelica Franke. Gati tre vjet ajo ka punuar me ekipin e Galerisë Federale të Artit për përgatitjet e ekspozitës. Atyre u ra në sy se biografitë e artistëve kishin boshllëqe shumë të mëdha: Në to paraqiteshin si periudha krijuese vitet deri në 1914, vitin e shpërthimit të luftës, dhe pastaj koha pas vitit 1918.
Përmasa e produktivitetit gjatë Luftës së Parë Botërore e ka çuditur edhe kuratorin e ekspozitës, Uwe M. Schneede. "Që artistët kanë punuar në front dhe në prapavijën e frontit, nganjëherë me mjete primitive, është e mahnitshme. Fernand Léger, i cili nuk ka patur telajo në dispozicion, ka prerë rriska druri nga pemët për të pikturuar." Të tjerë kanë vizatuar në letër, kanë pikturuar akuarele. "Kështu është krijuar një pasuri me punime ndërkombëtare, për të cilat ne nuk kemi ditur asgjë deri tani", konkludon Schneede.
Përse fati i Kalorësit Blu shërbën si shembull
Kush dëshiron të kuptojë, se si lufta e ka ndryshuar botën e artit, duhet të ketë parasysh se koha para vitit 1914 ka qenë koha e lulëzimit të artistëve të avangardës kudo në botë. Përtej kufijve të vendeve dhe gjuhëve artistët bashkëpunonin në rrjete ndërkombëtare. Ata kërkonin së bashku forma të reja të paraqitjes. Ndërsa artistët e revolucionarizonin së bashku botën e artit, politikanët evropianë i çonin shtetet në përplasje.
Pasojat janë të njohura: 10 milionë njerëz humbën jetën, shumë më tepër pësuan dëmtime fizike dhe shpirtërore. Ndër ta edhe disa artistë të modernizmit klasik. Simbolik për forcën shkatërruese të Luftës së Parë Botërore është fati i kolektivit të artistëve, Kalorësi Blu. "Në Kalorësin Blu bënin pjesë tre artistë rusë: Mariane von Verefkin, Aleksej von Javlensky dhe Vasily Kandinsky", thotë historianit i artit Schneede. Në Mynih ata e ndjenin veten si në shtëpinë e tyre, punonin me artistët gjermanë Franz Marc, August Macke dhe Gabriele Münter. Por kur shpërtheu lufta, ata u detyruan të largoheshin nga Gjermania si të huaj armiq. Atyre iu desh të arratiseshin. "Kështu grupi u shpërnda", thotë Schneede. August Macke ra në Champagne pak pas fillimit të luftës në vitin 1914. Franz Marc vdiq në vitin 1916 në Verdun.
Nga shokë bëhen armiq
Lufta hyri si një pykë në miqësinë e tyre. Franz Marc e përshëndeti luftën, jo nga pasioni patriotik, por sepse ai e konsideronte të prishur botën borgjeze të Evropës së vjetër. Te lufta ai pa një forcë, që do të prodhonte të pastrën dhe të renë. Kur ai i shprehu këtë ide në një letër shokut të tij Kandinsky, ai i ktheu këtë përgjigje: "Çmimi për pastrimin është i llahtarshëm.”
Në anën ruse Kazimir Maleviç dhe Vladimir Majakovski shkuan në luftë dhe luftuan kundër Gjermanisë. Të tjerët iu shmangën luftës, duke u zhvendosur në vende neutrale: Robert Delaunay shkoi në Spanjë, Hans Arp në Zvicër.
Por entuziazmi dhe patriotizmi shpejt u mbytën në botën e llogoreve. Sidomos në frontin e perëndimit lufta i ngjante një apokalipsi. Max Beckmann u bë në vitin 1915 dëshmitar i sulmit të parë gjerman me gaz klorit në Ypres në Belgjikë. Pak më vonë ai pësoi një krizë nervore. Artistë të tjerë në uniformë si Georges Braque, apo Mikhail Larionov u plagosën rëndë.
Në kërkim të teknikave të reja artistike
Thyerjet ndjehen qartë edhe në pikturat, thotë Uwe Schneede. "Ernst Ludwig Kirchner, i cili nuk ka qenë fare në front, por në shërbim ushtarak, ka pikturuar një autoportret, në të cilin e paraqet veten me dorën e djathtë të prerë, pra dorën e piktorit." Sikur artisti të donte t'i thoshte atij, që e kundron pikturën, se lufta ia ka hequr atij fuqinë krijuese.
Për shkak se e kuptuan se mjetet e tyre të mëparshme nuk ishin më të përshtatshme, artistët nisën të radikalizohen. George Grosz erdhi në përfundimin se një botë të shëmtuar mund të pikturohet vetëm e shëmtuar. Kazimir Maleviç e gjeti përgjigjen në abstraksion të plotë. Me tablonë legjendare kuadrati i zi ai vendosi themelet për të ashtuquajturin suprematizëm.
Përgjigjet kreative për fuqinë shkatërruese të luftës
Në Zyrih lindi në vitin 1916 lëvizja e dadaistëve si antiart, si për të vënë në pikëpyetje gjithçka ekzistuese, si dyshimi i pikturuar. "Fakt është se dadaizmi u krijua, sepse artistët kishin shkuar në Zvicrën neutrale si refugjatë lufte dhe ishin takuar në Zyrih", thotë Uwe Schneede.
Të tjerë preferuan, të arratiseshin në një botë tjetër (vizuale). "Giorgio de Chirico dhe Carlo Carrà u shtruan në një spital psikiatrik ushtarak në Ferrara, për t'i shpëtuar luftës dhe që të mund të pikturonin të qetë. Kështu janë krijuar vepra të mëdha të pittura metafisica, të cilën e pasoi surealizmi", thotë historiani i artit.
"Ne nuk e dimë se çfarë do të kishte ndodhur, sikur.." mendon edhe Angelika Franke. Por edhe për të është e qartë se suprematizmi, dada dhe surealizmi janë reagime artistike krejtësisht të drejtpërdrejta ndaj luftës.