Artisti shqiptar dhe ariu i Berlinit
23 Mars 2010
Çfarë janë arinjtë e Berlinit?
Eva Herlitz është një nga ideatorët dhe organizatorët e United Buddy Bears: "Berliner Bär është një ari i veçantë, 2 metra i gjatë, me duar të shtriqura përpara dhe që u jepet artistëve për ta pikturuar. Ariu është kafsha simbol e qytetit të Berlinit. Baddy Bear, ndodhen në Berlin kudo në rrugë, buddy vjen nga anglishtja dhe do të thotë shok dhe ne duam që kushdo, që vjen në qytetin e Berlinit, të shohë ariun dhe ta ndjejë veten të mirëpritur."
Ariu simbol i qytetit të Berlinit
144 arinjtë e United Buddy Bears janë kthyer në Berlin pas një rrugëtimi të gjatë në Amerikën Latine. Aktualisht ata mund të shihen në një ekspozitë në stacionin kryesor të trenit të kryeqytetit.
Mes arinjve ndodhet edhe ariu nga Shqipëria. Ai është pikturuar nga Agon Gjongecaj. "Ariu ynë u bë një ambasador i elementëve shqiptarë si humanizmi, mendjet e ndritura dhe harmonia, toleranca, sepse titulli i ekspozitës është ta njohim njeri tjetrin më mirë, dhe të kemi tolerancë mes njeri tjetrit."
Kjo është edhe ideja e organizatorëve. Eva Herlitz: "Artistët përpiqen të japin infomacione për vendin e tyre në ariun, që pikturojnë, që do të thotë se kur shihen arinjtë e veçantë mësohet për një vend të caktuar. Dhe sa më shumë, që dihet për një vend, aq më shumë mirëkuptim kihet për njerëzit e atij vendit.
Ariu shqiptar, ambasador i vendit
Me idenë e tyre çifti Herlitz, Eva Herlitz dhe i shoqi Dr. Klaus Herlitz organizuan në vitin 2001 ekpozitën e parë të arinjve. Për të pikturuar ariun nga Shqipëria u porosit Agon Gjongecaj.
"Ideja ime, unë kam folur dhe për tirqet, për zhgunin, që ka përdorur dhe jugu, pra është ideja e eksperiencës së traditës shqiptare, brezi që ka pas shqiptari, pra është gjithshka rreth traditës shqiptare. Kam futur dhe për Nënë Terezën, qe na jep mesazhin që vetëm përmes dashurisë mund të ecim përpara, që kemi nevojë për një marrëveshje paqësore mes njerëzve në Ballkan, që mos ta urrejmë njeri tjetrin. Ky është mesazhi, që kam përcjellë."
Gjongecaj mori ndihmë nga Ambasada Shqiptare në Berlin, e cila bleu ariun, të cilin Gjongecaj e pikturoi për t`i dhënë identitetin shqiptar. Ai punoi së bashku me shumë artistë të tjerë në studion e ofruar nga firma Herlitz. Ekspozita e parë shëtiti disa muaj nëpër Gjermani para se të shitej në një ankand në Berlin, në favor të Unicef-it.
Por Gjongecaj u porosit në vitin 2003, sërish për të bërë ariun shqiptar të United Bear, . "Kësaj here idenë unë desha ta jap përmes diellit, ariu shqiptar, që përmes diellit ngroh jetën. "Dielli shqiptar mbi Portën e Brandenburgut," shkroi një gazetë e Berlinit. Elementët artistikë të përdorur janë realistë, ka një pjesë surealizmi, që është një kombinim i reales me irealen."
Ekspozita e ngritur në vitin 2004 ka shëtitur ndërkohë në 17 vende në gjithë globin. Në mes të muajit maj do të shkojë në Astana, në Kazakistan.
Autor: Aida Cama
Redaktoi: Angjelina Verbica