1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Asambleja e Nato-s përfundon punimet në Berlin

Shuka, Anila27 Maj 2008

Kabineti gjerman vendos zgjatjen e mandatit të trupave gjermane në Kosovë

Në Berlin përfundoi të martën takimi pranveror i Asamblesë Parlementare të Nato-s. Një nga temat kryesore të debateve ishte e ardhmja e Ballkanit dhe siguria në Kosovë. Para asamblesë folën sot edhe ministri jashtëm i Gjermanisë, Frank Walter Steinmeier, dhe Sekretari i përgjitshëm, Jap de Hoop Scheffer. Në Berlin sot gjithashtu kabineti shprehu vullnetin për ta zgjatur edhe me një vit mandatin e trupave gjermane në Kosovë.

"Eulex-i është i domosdoshëm"

Frank-Walter Steinmeier nënvizoi në fjalën e tij domosdoshmërinë e instalimit të EULEX-it në Kosovë: "Në se nuk arrijmë ta bëjmë një gjë të tillë, atëherë e gjithë barra e garantimit të sigurisë në Kosovë do të bjerë mbi KFOR-in. Dhe këtë nuk mund dhe nuk duhet ta lejojmë, kjo nuk është në interes të Nato-s", tha shefi i diplomacisë gjermane në fjalën e tij para Asamblesë Parlamentare të Natos. Fjalimi i zëvendëskancelarit gjerman ishte i fundit i sesionit të pranverës së Asamblesë që u hap të premten në Berlin.

Që Aleanca e Mbrojtjes Veriatlantike do të dëshironte ta reduktonte sa më shpejt numrin e ushtarëve të saj në Kosovë, kjo u vu re edhe nga fjalimi i Jap de Hoop Schefferit, i cili u bëri thirrje parlamentarëve të mbështesin procesin e instalimit të EULEX-it. "Duke pasur parasysh hyrjen në fuqi të kushtetutës kosovare muajin e ardhshëm është e rëndësishme që të arrihen marrëveshje transparente mes BE-së dhe UNMIK-ut në fushën e policisë dhe ju kërkoj që ta mbështesni këtë përpjekje të institucioneve tona kryesore", tha holandezi Scheffer.

Shqipëria dhe Kroacia më 9 korrik nënshkruajnë anëtarësimin në Nato

Sfida kryesore e NATO-s vazhdon të jetë përfundimi i sukseshëm i angazhimit në Afganistan, i cili këron edhe më tej kapacitete dhe fonde të reja. Kjo, siç vuri në dukje Jap de Hoop Scheffer, në një Nato që është në zgjerim e sipër me anëtarë të rinj.

Scheffer me këtë rast tha se bisedimet me Shqipërinë dhe Kroacinë po ecin mirë dhe se pritet që nënshkrimi i marrëveshjes përkatëse të bëhet më datën 9 korrik dhe u bëri thirrje parlamentarëve që ta ratifikojnë sa më shpejt atë dokument. Por apel drejtoi Scheffer edhe në prani të delegacioneve të vendeve të prekura, "që të vazhdojnë të inkurajojnë reformat e nevojshme në vendet e tyre para dhe pas anëtarësimit për të rritur kontributin e tyre në Aleancë". Scheffer shprehu shpresën se deri atëherë në procedurat e anëtarësimit do të përfshihet edhe Maqedonia, ftesa ndaj së cilës ka dështuar në veton greke.

Qeveria gjermane vendos zgjatjen e mandatit të Bundeswehr-it

Pak para se të përfundonte në Berlin seanca pranverore e Asamblesë Parlamentare të Natos, kabineti qeveritar i kancelares Angela Merkel, shprehu vullnetin për zgjatjen e mandatit të kontigjentit gjerman të KFOR-it. Prania e KFOR-it në Kosovë në këtë fazë është më se e domosdoshme, tha të mërkurën zëdhënësi i qeverisë gjermane, Ulrich Wilhelm: "Misioni ndërkombëtar i KFOR-it përveç kësaj mbështet ndërtimin e strukturave demokratike dhe do të normalizojë kushtet jetësore për të gjithë banorët e Kosovës", tha ai më tej.

Vendimi i zgjatjes së mandatit do të duhet të kalojë në parlamentin gjerman. Seanca e parë për këtë çështje do të jetë qysh të enjten. Përveç grupit parlamentar të të majtëve, të cilët kërkojnë tërheqjen e menjëhershme të trupave nga Kosova, partitë e tjara e mbështesin këtë mision, por kanë dyshime për ligjshmërinë e tij, sidomos mbas zvarritjes së kalimit të kompetencave nga UNMIK-u tek EULEX-i.

Ministri gjerman i punëve të jashtme, Frank Walter Shtajnmajer, u mundua t'ua heqë shqetësimin të martën, jo vetëm parlamentarëve të tij, por edhe atyre të vendeve antare të Nato-s, duke u shprehur optimist për suksesin e negociatave që po zhvillohen aktualisht me OKB-në.