ASEAN-i kundër masave ndëshkimore ndaj Myanmarit
23 Nëntor 2007Në një kohë që BE i ka ashpërsuar sanksionet, Bashkësia e Shteteve të Azisë Juglindore, ASEAN është kundër masave ndëshkimore. Qëndrimet nuk u afruan në takimin e së enjtes (22.11) në Singapur.
Presioni ndërkombëtar ndaj juntës ushtarake të Myanmarit po shtohet. Të enjten, ditën e fundit të takimit të nivelit të lartë të ASEAN-it në Singapur, përfaqësues të BE u takuan me shefat e qeverive të federatës aziatikojugore të shteteve. Të paktën në një pikë të dyj palët janë të të njëjtit mendim, tha presidenti i Komisionit të BE, Zhoze Manuel Baroso:"Në çështjet e të drejtave të njeriut, pozicionet tona po afrohen, edhe ne e mbështesim procesin e pajtimit kombëtar në Myanmar"
Por në temën e sanksioneve, edhe më tej ka mendime të ndryshme. Komisarja e BE, Benita Ferrero-Valdner tha se ndihmat financiare të BE varen nga një hapje dhe demokratizim i Myanmarit. BE u përmbahet sanksioneve të tij, ndalimit të importit të drurit, metaleve, mineraleve dhe gurëve të cmuar nga Myanmari: "Këto janë shumë qartë - të ashtuquajtura sanksione të zgjuara-.Këto sanksione prekin shumë qartë juntën, regjimin, të gjithë ata që fitojnë të gjitha paratë. Njerëzit në Birma janë kaq të varfër. Përkundrazi, ne punojmë në interes të popullit. Ne u ndihmojmë njerëzve në çështje si banimi, shkollimi etj."
Por shtetet e Aseanit vazhdojnë t'i kundërshtojnë edhe më tej sanksionet. Pasi patën respektuar më parë dëshirën e anëtarit të tyre, Myanmarit duke e anulluar daljen e të dërguarit të OKB-së, Ibrahim Gambari në takimin e nivelit të lartë, kryeministri i Singapurit, Lee Hsien Long u pozicionua papritur dhe i kërkoi Myanmarit që ta cojë përpara pajtimin kombëtar: "Pajtim kombëtar do të thotë që të niset një dialog me Aung San Su Ci-në dhe partinë e saj, do të thotë lirim i të burgosurve politikë, do të thotë të gjendet një kalim paqësor për në demokraci dhe të marrë fundi shfrytëzimi ekonomik i popullit. Eshtë e qartë se çfarë duhet bërë, të paktën nga këndvështrimi i shumicës së shefave të shteteve të vendeve të ASEANIT."
Jo të gjitha vendet e ASEAN-it kanë të njëjtin mendim. Këtu qëndron edhe problemi i bashkësisë johomogjene të shteteve, sepse format e shteteve dhe të feve brenda saj janë shumë të ndryshme. Presidentja e Filipineve, Arojo, nuk u lodh së theksuari se sa e rëndësishme është për vendin e saj lirimi i Auung Sang Suu Ci-së: "Më lejoni ta them qartë, ne i përshëndesim përparësitë e ASEAN-it, por ne jemi të shqetësuar për zhvillimet në Myanmar, përsa u përket të drejtave të njeriut. Veçanërisht ne nuk aprovojmë mënyrën e veprimit me Auung San Su Ci-në dhe kërkojmë lirimin e saj, tani."
Tema të tjera të takimit ishin hapat e përbashkët kundër ndryshimit të klimës si dhe bashkëpunim më i ngushtë në fushën ekonomike. Bisedimet e nisura për krijimin e një zone të tregtisë së lirë po avancojnë me vështirësi.