Koreja e Veriut bllokon kompleksin industrial Kaesong
3 Prill 2013Koreja e Veriut nuk ka lejuar futjen e punonjësve koreanojugorë në kompleksin e përbashkët industrial Kaesong që ndodhet në kufirin mes dy Koreve. Koreja e Veriut ka kërcënuar ta mbyllë Kaesongun. Por deri tani kjo nuk ka ndodhur. Punonjësve dhe automjeteve që duhet të fillonin të mërkurën (03.04.2013) në mëngjes turnin e parë, iu desh të ktheheshin mbrapsht. Asnjë punonjës nga jugu, nuk u lejua të kalonte kurifin, bëri të ditur Penjani.
Koreja e Veriut ka lejuar vetëm daljen e koreanoveriorëve që ndodheshin në kompleks, njoftoi agjencia koreanojugore, Yonhap. 860 punonjësit u lejuan të largoheshin nga Koreja e Veriut. Nuk është e qartë sa kohë do të zgjasë bllokada. Ministri koreano-jugor i Mbrojtjes Kim Kwan Jin tregoi vendosmëri. Nëse "gjendja bëhet serioze", atëherë një aksion ushtarak do të ishte i mundshëm, në mënyrë që të sigurohet jeta e koreano-jugorëve.
Parku ekonomik Kaesong ndodhet në territoret koreano-veriore rreth dhjetë kilometra larg kufirit me Korenë e Jugut. Zona e veçantë ekonomike u krijua në vitin 2004 si projekt i përbashkët ndërkufitar. Atje bëjnë pjesë 123 firma koreano-jugore, me rreth 50 mijë punonjës. Kompleksi është projekti i vetëm i përbashkët ekonomik që funksionon, midis dy vendeve. Ai është një nga mundësitë e pakta të veriut të izoluar dhe varfëruar, për të marrë valutë.
Me këtë bllokadë gjendja është ashpërsuar edhe më shumë në gadishullin korean. Që prej testimit të tretë atomik të bërë nga Koreja e Veriut në muajin shkurt, gjendja ka qenë e tensionuar. Kryetari i shtetit, Kim Jong Un pati vendosur të shtunën e kaluar "gjendjen e luftës" me Korenë e Jugut. Përveç kësaj ai kërcënoi SHBA-në, aleate me Korenë e Jugut me sulm atomik.
Ministri i Jashtëm amerikan John Kerry, theksoi gatishmërinë për mbrojtje të vendit të tij, duke pasur parasysh kërcënimet e bëra nga Koreja e Veriut. SHBA-ja është e gatshme të mbrojë veten dhe Korenë e Jugut, tha Kerry pas një takimi në Uashington me kolegun koreano-jugor, Yun Byung Se. Retorika koreano-veriore e luftës është provokative dhe e rrezikshme. Rivënia në punë e reaktorit bërthamor Yongbyon do të shkelte qartë marrëveshjet ndërkombëtare, tha Kerry duke pasur parasysh njoftimet e bëra nga Koreja e Veriut. Kerry i bëri thirrje Koresë së Veriut që t`i kthehet bisedimeve. Vetëm kështu regjimi mund të çlirohet nga izolimi ndërkombëtar.