Veprimi i shpejtë hap dyert e eurointegrimit
17 Prill 2013 Raporti special i publikuar nga Komisioni Evropian për Maqedoninë ka qenë temë kryesore e takimit të zhvilluar në Shkup midis përfaqësueses së lartë të BE-s për politikë të jashtme dhe siguri, Catherine Ashton dhe kryeministrit Nikolla Grueski. Dy bashkëbiseduesit Ashton dhe Gruevski përshëndetën raportin pranveror për Maqedoninë, i cili vlerësoi progresin lidhur me reformat në të gjitha sferat.
“Perspektiva evropiane e Maqedonisë është e gjallë dhe e realizueshme dhe se për këtë qëllim vendi duhet të vazhdoj implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, kultivimin dhe vazhdimin e dialogut politik dhe me mediat që janë me rëndësi thelbësore. Integrimet evropiane të vendit tuaj fillojnë nga shtëpia juaj”, ka deklaruar në Shkup Ashton.
Zyrtarja e lartë e BE ka theksuar nevojën e përforcimit të marrëdhënieve ndërfqinjësore si dhe vazhdimin e procesit të reformave.
Ashton : Sa më shpejt të zgjidhet çështja e emrit
Në takimet e zhvilluara me autoritetet më të larta politike të Maqedonisë Ashton ka diskutuar edhe për çështjen e zgjidhjes së kontestit të emrit midis Maqedonisë dhe Greqisë. Ky problem duhet të zgjidhet sa më shpejt, sepse është bërë pengesë në proceset eurointegruese të Maqedonisë, ka theksuar baronesha Ashton.
“Procesi në OKB për zgjidhjen e emrit po merrë fuqi dhe ne nxisim të dyja palët që të shfrytëzojnë përpjekjet e mediatorit Nimic. Nevojitet një zgjidhje pa vonesë. E dijë se kjo mund të jetë e rëndë, megjithatë nuk ka alternativë tjetër, dhe nuk ka mënyrë tjetër për të ecur përpara. Të veproni më shpejt është më mirë se sa më vonë. Kjo është mënyra e vetme për përparim në raport me evrointegrimet”, është shpreh Catherin Ashton.
Ti jepet shans dialogut
Brukseli është i interesuar që sa më shpejt të ketë zhvillime pozitive në Maqedoni, të cilat do të ndihmonin kapërcimin e ngërçit politik në dialogun midis pozitës dhe opozitës maqedonase .
“BE po ndjek me kujdes realizimin e marrëveshjes së 1 marsit, sidomos me formimin e Komisionit Anketues dhe firmosjen e Memorandumit për Mirëkuptim. Ne inkurajojmë liderët politikë që të tejkalojnë ndarjet dhe të krijojnë një frymë të re politike”, është shprehur zyrtarja e lartë e BE-së.
Rajoni ka nevojë për misionin e BE-s
Cathrin Ashton gjatë qëndrimit në Shkup është takuar në një takim të vaçant edhe me kryetarin e BDI-s Ali Ahmeti. Ahmeti ka nënvizuar nevojën për përkushtim të mëtejmë të BE-së për përfundimin e misionit të filluar për një rajon të integruar në BE.
“E vetmja e ardhme e përbashkët për rajonin e trazuar mbetet integrimi i të gjitha vendeve në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Ky proces është përgjigja më e mirë për të gjitha mendjet që diskutojnë për ndryshim kufijsh dhe agjendat e ndryshme destabilizuese në rajon. Përkushtimi i madh i BE-s nevojitet akoma, sepse në rajon po zhvillohen disa procese të rëndësishme, përfshirë dialogun Prishtinë-Beograd, çështja e emrit të Maqedonisë, të drejtat e shqiptarëve në Luginë të Preshevës, konsolidimi i Bosnjës, debate për Sanxhakun dhe Vojvodinën, ”, theksohet në komunikatën e BDI-s pas takimit Ahmeti - Ashton.
Autor: Fatos Musliu/ Shkup
Redaktoi: Auron Dodi