1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Asif Ali Zardari president i ri i Pakistanit

Thomas Bertlein6 Shtator 2008

Edhe pse vejani i Benazir Butos dhe kryetari të Partisë Popullore të Pakistanit u zgjodh president, nuk mund të thuhet se ai gëzon simpati në Pakistan.

Asif Ali Zardari
Asif Ali ZardariFotografi: AP

Pakistani është një demokraci parlamentare. Ose të paktën do të bëhet sërish, pas viteve të diktaturës ushtarake. Pas fitores së Partisë së tij Popullore të Pakistanit në shkurt, vejani i Benazir Butos Asif ali Zardari premtoi: "Ne planifikojmë forcimin e parlamentit dhe kthimin e pushtetit prej kudo në parlament."

Kritika për korrupsion dhe rezerva të tjera

Sot (06.09) Zardari u zgjodh president. Por ndryshimin e 17-të të kushtetutës, të futur nën Musharafin, i cili i jep presidentit fuqi të plota për ta shpërndarë Parlamentin, Zardari dhe partia e tij deri tani nuk e kanë hequr. Dhe kjo i bën mosbesues kundërshtarët e tij: a synon vërtet ai ta forcojë parlamentin apo ta koncentrojë gjithë pushtetin te vetja, siç druhen disa?

Kundër Zardarit ka edhe rezerva të tjera. Kritika për korrupsion, në radhë të parë. Për shkak të tyre ai ndenji me vite të tëra në burg. Por asnjëherë nuk u vërtetua gjë. Ish-stari i lojës Cricket dhe politikani opozitar Imran Khan bën pjesë në kritikët më të ashpër të Zardarit:

"Ai akuzohet para së gjithash se ka shpërdoruar 100 miliardë rupie. 1 milliardë Euro! Dhe po të vësh pastaj në krye një njeri të tillë, ai do të ketë shumë pushtet: mendoni që ndryshimi i 17-të i kushtetutës është ende në fuqi. Në një rast të tillë, kryeministri është vetëm një marionetë. Gjykatësit janë të tijët, të tjerët ai nuk do t'i rikthejë. Po të bësh kryetar shteti një njeri të tillë, a mund të presësh që në këtë vend të funksionojë ndonjë gjë si duhet?"

Zardari nuk është president shumë më i mirë se Musharafi

Meqë Zardari dhe Partia Popullore nuk ka ndërmend t'i rikthejë në detyrë gjykatësit e pushuar nga Musharafi, Liga Myslimane e Nazar Sharifit e braktisi javën e kaluar koalicionin e madh qeveritar. Ajo ka paraqitur një kandidat të vetin në zgjedhjet presidenciale.

Shumë më i mirë se Musharafi nuk është një president Zardari, duket se mendojnë edhe avokatët që luftojnë për gjykatësit e pushuar nga puna- dhe i kanë këmbyer parullat anti-Musharaf me sllogane kundër Zardarit: "Hajduti iku, në vend të tij erdhi një grabitqar", thërrasin këta avokatë në Lahore.

Veç të tjerave, gazeta "Financial Times" e Londrës informoi këto ditë se Zardari ka probleme psiqike, dhe prandaj është i papërshtatshëm si president. Me këto informacione pararendëse negative për të, Zardarit si president nuk i mbetet gjë tjetër, veçse t'i habisë për mirë njerëzit.