Asistencë austriake për ruajtjen e mjedisit shqiptar
28 Dhjetor 2010
Marrëdhëniet me Austrinë në fushën e mbrojtjes së mjedisit konsiderohen nga autoritetet zyrtare në Tiranë si një ndër më të rëndësishmet në BE. Kjo për vetë traditën dhe kujdesin që tregohet nga ky vend për çështjet e mjedisit në tërësi, por dhe me mbrojtjen, shfrytëzimin me kriter dhe zgjerimin periodik të territoreve pyjore. Një nga këto bashkëpunime, është ai i koorporatës së pyjeve austriake, që për disa vite ka punuar me strukturat shqiptare të mjedisit, në hartimin e planeve të mbarshtimit të sipërfaqeve pyjore. Sipas ekspertëve shqiptarë të mjedisit aktualisht asistenca e palës austriake fokusohet në disa aspekte të rëndësishëm që kanë të bëjnë me menaxhimin e pyjeve komunalë, si dhe ngritjen e shërbimit këshillimor në pyje, si një shërbim i ri në vendin tonë.
Memorandumi Austri-Shqipëri
Kontaktet mes Tiranës dhe Vjenës gjatë vitit 2010 ka qënë mjaft intensive. Ministri i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Fatmir Mediu duke ju referuar vizitës më të fundit të punës që ka patur në Austri e vlerëson si sukses nënshkrimin e memorandumit bashkëpunues mes dy vendeve, me qëllim shkëmbimin eksperiencave, ose realizimin e projekteve konkrete në drejtim të mbarështimit pyjor, dhe trajtimin dhe menaxhimin e zonave të mbrojtura dhe parqeve kombëtare. Mediu: "Një fushë tjetër është dhe monitorimi i çështjeve mjedisore nga agjencitë respektive në Shqipëri dhe Austri.Gjatë diskutimit që patëm me homologët tanë folëm për një program binjakëzimi, sipas konceptit që ekziston në BE. Nga kjo agjencia shqiptare mjedisore do të përfitojë nga eksperienca e palës austriake. Për investime dhe angazhime konkrete kemi patur ADA-n, Agjencinë për Zhvillim të Austrisë. Ajo na ka asistuar në drejtim të hartimit të legjislacionit dhe programeve të punës nga ana institucionit tonë”.
Mbetjet urbane - pika e dobët e mjedisit shqiptar
Në Shqipëri mjaft problematik është sektori i trajtimit dhe menaxhimit të mbetjeve urbane. Një tregues negativ ky, i dukshëm thuajse në të gjithë territorin e vendit, në zonat urbane dhe rurale, përgjatë vijës bregdetare, buzë rrugëve kryesore dhe atyre dytësore. Grupet e punës në nivel ekspertësh nga të dyja shtetet kanë bërë një “fotografim” të situatës dhe problematikës. Në përcaktimin e pikave më të nxehta, në legjilacionin aktuale praktikën e pushtetit lokal dhe atij qëndror. Një situacion që i shërben hapit tjetër konkret: trajtimin në zinxhir të mbetjeve sipas standartave dhe direktivave që jepen nga Komisioni Europian.
Një nga llojet e mbetjeve urbane që paraqesin një rrezik permanent për popullatën janë ato spitalore. Organizatat dhe aktivistët e mbrojtjes së mjedisit në Shqipëri në mënyrë sistematike kanë shprehur shqetësimin për mungesën e standarteve në trajtimin e mbetjeve spitalore. Mënyra e grumbullimit dhe metodologjia e asgjesimit të tyre bëhet në një mënyrë të tejkaluar, pa selektivitet, ku djegia nuk garanton kontroll të rreptë për gazrat që çlirohen në atmosferë. Si një rrezik potencial për banorët në afërsi të furrave që trajtojnë këto mbetje.
Ndihmë austriake në menaxhimin e mbetjeve spitalore
Ministri i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Fatmir Mediu, thotë për Dë se në kuadër të bashkëpunimit me palën austriake është kërkuar ndihmë për trajtimin specifik të mbetjeve spitalore. “Nisur nga kuadri i bashkëpunimit që kemi me palën austriake e kemi trajtuar dhe këtë aspekt. Nga pala austriake jemi asistuar për të dalë me një projektvendim të përbashkët të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Mjedisit në menaxhimin e mbetjeve spitalore. Dua të them se kjo asistencë është shumë e rëndësishme për të arritur në akte ligjore dhe normative, ku ne jemi tashmë në fazën për zbatim. Eksperinca austriake është mjaft e vyer dhe sidomos investimet që janë mjaft të vlefshme për Shqipërinë”.
Për trajtimin e mbetjeve spitalore ka patur dhe një tryezë të përbashkët mes ekspertëve të shëndetësisë dhe atyre të mjedisit ku janë diskutuar dhe modelet nga vende e tjera. Mes tyre dhe mënyra se si trajtohen e menaxhohen këto mbetje pa krijuar efekte negative për popullatën dhe mjedisin nga autoritetet austriake.
Autor: Arben Muka
Redaktoi: Lindita Arapi