1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

060111 Ägypten Christen

6 Janar 2011

Koptët e Egjiptit festojnë të enjten në mbrëmje (06.01) Krishtlindjet. Por festa zhvillohet nën hijen e hidhërimit. Pas sulmit të përgjakshëm ndaj një kishe në Aleksandri natën e vitit të ri besimtarët ndiejnë dhimbje.

Protesta të koptëve në Egjipt kundër terroritFotografi: dapd

Natë e qetë e shenjta natë - Melodia e këngës së Krishtlindjeve, që shpërndahet ëmbël nga altoparlantët e një dyqani të vogël në Kairo, tingëllon thuajse si një përbetim për ditët e ardhëshme të festës. Dyqani në kuartierin luksoz Zamalek është i specializuar për dekorimet e Krishtlindjeve. Zakonisht edhe pak para festës në të vijnë blerës, por tani dyqani është bosh: "Ne kemi më pak klientë. Ata janë të hidhëruar nga ajo që ndodhi në Aleksandri. Por ne kjo ngjarje nuk na shkaktoi ndonjë dëm të madh, sepse gjithësesi nuk kemi pasur shumë klientë. Kjo ka të bëjë me gjendjen ekonomike, jo kushdo është sot në gjendje të blejë të tilla gjëra."

Pemët artificiale të Krishtlindjeve janë ekspozuar duke zënë edhe trotuarin përpara dyqanit. Një plak bore me drita që pulsojnë të tërheq vëmendjen aty pranë. Në dyqan janë varur lojërat për zbukurimin e pemës, vargje e kurora me drita. Pronarja e dyqanit është myslimane, por edhe ajo është e shqetësuar prej atentatit të përgjakshëm në Aleksandri: "Ne jemi të hidhëruar, jo për shkak të biznesit, por për shkak të vëllezërve koptë në Egjipt. Ne jemi një popull dhe kemi një gjak."

Miqësi mes koptëve dhe myslimanëve jo vetëm Gjermani në Gjermani, si në foto. Edhe myslimanët e Egjiptit solidarizohen me koptëtFotografi: Maged Saad

Myslimanët në Egjipt solidarizohen me vëllezërit koptë dhe duan t' i mbrojnë ata

Shumë besimtarë myslimanë sonte në mbrëmje (06.01)duan të shkojnë në kishë bashkë me miqtë e tyre të krishterë për solidaritet dhe në mbrojtje të tyre prej sulmeve të reja. Përgatitjet për meshat e Krishtlindjeve janë në kulmin e tyre. Papa i koptëve, Shenuda i III pas një farë ngurrimi vendosi të mos e anullojë meshën: "Ne do t' i festojmë Krishtlindjet, kështu do Zoti. Sepse lindja e Krishtit është një ngjarje e rëndësishme për ne të krishterët. Përveç kësaj unë u lutem bijve të mi, që të qetësohen, sepse të gjitha problemet mund të zgjidhen me qetësi. "

Thirrjes së kreut të kishës, për t' i ndalur protestat, nuk i janë përgjigjur të gjithë anëtarët e bashkësisë. Të krishterë të indinjuar protestojnë tek tuk nëpër rrugë. Por shumica e tyre duan që natën e Krishtlindjes të shkojnë në meshë si zakonisht. "Unë do të shkoj në kishë, pavarësisht nëse vdesim. Krishti është sakrifikuar me gjak për ne. Prandaj ne duhet të shkojmë, ne duam të jemi bijtë e tij."

Meshat e koptëve këtë herë do të jenë më të shkurtra. Frika e terrorit ekziston.Fotografi: AP

Frika ekziston - pas paralajmërimeve të reja dhe listave me kishat koptike, si objektiv i mundshëm i sulmeve, të publikuara në faqet islamike të internetit. Sigurisht disa besimtarë do të preferonin më mirë të festonin me njëri-tjetrin në siguri dhe brenda mureve të shtëpisë. Por ka të tjerë që e luftojnë frikën e tyre me këmbëngulje, si 52 vjeçarja Meriam: "Ne do të shkojmë në kishë, ne nuk kemi përgatitur asgjë në shtëpi, sepse jemi të vrarë shpritërisht. Por unë do të shkoj me fëmijët e mi në meshë. Jo, unë nuk kam frikë, ne jemi në dorë të Zotit. S' prish punë, shpresoj të vdesim si martirë."

Meshat e Krishtlindjeve në masa të forta sigurie

Kjo nuk do të jetë një festë e gëzuar Krishtlindjesh. Kishat ndodhen nën mbikqyrje të fortë. Ekspertët e piroteknikës janë në gatishmëri, automjetet e blinduara janë vendosur nëpër udhëkryqet e mëdha. Meshat, që normalisht zgjasin gjatë gjithë mbrëmjes, sivjet do të jenë më të shkurtra, për arësye sigurie ato lejohen të vazhdojnë deri në mesnatë. E kësaj i shtohet edhe zia për 23 të vdekurit në Aleksandri si dhe hidhërimi për shumë të plagosur, që Krishtlindjet do t' i kalojnë në spital. "Ne ndiejmë dhimbje dhe nuk pushojmë së vajtuari. Kur shoh televizior qaj për viktimat. Por Zoti qoftë me ne. Ne do t' i përmbahemi besimit tonë, ne nuk do të dorezohemi", thotë një besimtare.

Autor: Linda Staude/Vilma Filaj-Ballvora

Redaktoi: Lindita Arapi